E Diel, 1 Nëntor 2026

Korrupsioni, pranga kreut të legalistëve

Kryetari i Partisë Lëvizja e Legalitetit për Elbasanin, Shpëtim Myftaraj, është arrestuar nga policia pasi akuzohet për ryshfet.

Funksionari i PLL-së, i cili ka siguruar një vend në Këshillin Bashkiak të Elbasanit, duke shfrytëzuar postin, ka detyruar një qytetar t‘i paguante një shumë parash në këmbim të ndihmës.

Policia e Elbasanit njoftoi se një banor i qytetit ka denoncuar kreun e degës së PLL-së, pasi ky i fundit dyshohet se i ka marrë atij një shumë parash duke i premtuar se do t‘i siguronte një banesë sociale.

Burime nga policia saktësuan se dyshohet që kreu i PLL-së për Elbasanin, Shpëtim Myftaraj, i ka kërkuar rreth 3 milionë lekë të vjetra një qytetari, emri i të cilit nuk bëhet i ditur, pasi i ka premtuar atij se do përfshinte emrin e tij në listën e përfituesve të banesave sociale që jepen nga bashkia për të pastrehët.

Mësohet se "pazari" është kryer përpara zgjedhjeve të 28 qershorit dhe qytetari ka pranuar, duke derdhur në llogarinë e kreut të PLL-së shumën e caktuar prej këtij të fundit.

Mirëpo pas disa muajve, as emri në listë nuk figuronte dhe as kthimi i parave nuk po kryhej, duke detyruar qytetarin të denoncojë në polici mashtrimin, ndërsa, nga ana tjetër, premtimet e kreut të PLL-së vazhdonin ende.

Pas denoncimit, Policia e Elbasanit ka nisur hetimet, ndërsa ka bërë të mundur kapjen dhe arrestimin e Shpëtim Myftarajt.

Sipas policisë, dyshohet se në të tilla mashtrime mund të jenë implikuar edhe ish-këshilltarë të Bashkisë së Elbasanit, të cilët janë nën hetim e sipër.

Shpërndarja e banesave sociale për të pastrehët shoqërohet përherë nga debate të ashpra në të gjitha bashkitë e vendit. Në dhjetëra raste, qytetarë të ndryshëm kanë hedhur akuza për korrupsion në lidhje me këtë proces, por ky është rasti i parë kur ka një akuzë konkrete dhe policia ka vënë në pranga një nga të zgjedhurit vendorë që ka kërkuar ryshfet për të ndërhyrë në procedurën ligjore.

Ndërkohë, ky është arrestimi i dytë në pak kohë në radhët e këshilltarëve të bashkive të vendit. Disa ditë më parë, Policia e Tiranës arrestoi për përfshirje në kontrabandë një anëtar të Këshillit Bashkiak të Kamzës. Sipas akuzës, këshilltari i Bashkisë së Kamzës, në bashkëpunim me krerët e një shoqate jofitimprurëse kishin falsifikuar dokumentet për një sasi këpucësh të importuara për tregti, por që në dokumente figuronin se kishin ardhur në Shqipëri në formën e ndihmave humanitare.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›