E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lushnjë, zbardhet vrasja e ish-shikasit në vitin 1997

Policia e Fierit rikthen dosjet e pazbardhura të viteve të fundit. Burime nga organi blu fierak shprehen optimistë se dosja e vrasjes së ish-shikasit nga Lushnja, Bashkim Shkurti, vrasjet e disa policëve gjatë vitit 1997, si edhe aktiviteti kriminal i bandave që kanë vepruar në Qarkun e Fierit janë drejt zbardhjes përfundimtare të tyre.

Burimet nga grupi i hetimit bëjnë të ditur se ish-shikasi është vrarë nga një person, anëtar i njërës prej bandave kriminale që vepronin në vitet ‘90. Hetimet e deritanishme, që thuhen se janë drejt përfundimit të tyre, tregojnë se autori i vrasjes së Bashkim Shkurtit është vrarë disa muaj pas ekzekutimit të kryer. Policia thotë se ai ka qenë anëtar i një bande kriminale, por ende nuk është përcaktuar qartë roli i tij në ngjarje.

Ndërkohë që të njëjtat burime pohojnë se janë drejt zbardhjes edhe një sërë dosjesh të vjetra, që deri më tani kanë mbetur pa autorë. Drejtoria e Policisë së Qarkut Fier ka vënë në punë strukturat e saj hetimore në kuadër të intensifikimit të masave për parandalimin, zbulimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale.

Dosjet apo veprat penale të vjetra ende të pazbardhura prej policisë janë marrë si një synim i punës goditëse të saj gjatë kësaj periudhe, që shënon edhe numrin më të lartë të ardhjes së emigrantëve, mes të cilëve mendohet që të ketë persona të implikuar në ngjarje të rënda kriminale në vitet e shkuara, apo që kanë dijeni në lidhje me ngjarje të ndryshme.

Sipas krerëve të Policisë së Fierit, ky është momenti më i volitshëm për të grumbulluar informacione dhe për të zbardhur shumë vepra penale të mbetura pezull prej më shumë se një dekade. Nga ana tjetër, nga të njëjtat burime policore mësohet se në këtë periudhë ndodhën edhe shumë vepra penale nën "petkun" e hakmarrjes personale. Kjo punë hetimore e intensifikuar në këtë stinë vere ka si synim mbajtjen në kontroll të rendit e qetësisë, si edhe ndalimin e personave me precedentë penalë, të cilët i janë fshehur gjatë kësaj kohe drejtësisë.

Krerë të Policisë së Fierit janë shprehur se kjo forcë goditëse do të vijojë edhe në ditët në vijim për të rikthyer qetësinë publike edhe në këtë fluks të madh turistësh dhe emigrantësh. Njëkohësisht për të arritur deri te rezultatet konkrete, policia ka kërkuar ndihmën edhe të komunitetit për grumbullimin e sa më shumë informacioneve që do të bëjnë të mundur zbardhjen e mjaft veprave penale.

Vlen të theksohet se Qarku i Fierit është lakuar si një nga qarqet me një nivel mbi mesataren të kriminalitetit, kryesisht në trafikimin e lëndëve narkotike dhe në shfrytëzimin e prostitucionit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›