E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zjarret shkrumbojnë kullota në Dibër dhe Kukës

Dy vatra zjarri janë shënuar gjatë dy ditëve të fundit në Bulqizë dhe në Kukës. Për pasojë disa hektarë pyje dhe dushqe janë djegur, ndërkohë që në të dyja rastet nuk dihen autorët apo shkaqet e zjarrit. Ka qenë pasditja e së hënës kur në pyjet mbi fshatin Dragu të Komunës Fushë-Bulqizë është pikasur një vatër zjarri. Të ndihmuara edhe nga temperaturat e larta flakët janë përhapur me shpejtësi, duke përshkuar një sipërfaqe pyjore kryesisht me shkurre dushku prej rreth dy hektarësh. Në afërsi të vatrës së këtij zjarri ka qenë edhe një parcelë me pisha, që fatmirësisht nuk janë përfshirë nga flakët. Lokalizimi i zjarrit nga ekspertët pyjorë të rrethit ka qenë i vështirë, pasi vatrat e zjarreve të ndihmuara edhe nga temperaturat e larta dhe era, janë shtuar me shpejtësi të madhe, ndërkohë që ndërhyrja e zjarrfikëses ka qenë e pamundur, për shkak të mungesës së rrugës dhe terrenit tejet malor. Vetëm rreth mesnatës, duke u gdhirë dita e djeshme, është mundësuar fikja e zjarreve. Nuk dihen autorët e vënies së këtij zjarri, por pyjorët dyshojnë se ai mund të ketë ardhur nga pakujdesia e hedhjes së bishtave të cigareve nga banorë të zonës ose barinj që tentojnë të shtojnë sipërfaqet e kullotave për bagëtitë e tyre.

Ndërkohë në Kukës, zjarri ka përfshirë masivet me shkurre në ekonominë pyjore të zonës Mamëz-Kalimash, përkatësisht në malet e Kolshit. Paraditen e së martës, një personel i Drejtorisë së Shërbimit Pyjor, i ndihmuar edhe dhjetëra banorë të fshatit, kanë bërë të mundur izolimin e plotë të zjarrit, duke shpëtuar kështu edhe një pjesë të mirë të prodhimeve bujqësore që rrezikonin të përfshiheshin në flakë. Në masivet me shkurre mësohet se janë djegur rreth 5 ha, ku dëmet, siç raportohet nga shërbimi pyjor, kanë qenë minimale. Drejtues të shërbimit pyjor në Kukës thanë se me ndihmën dhe mbështetjen e komunitetit po përpiqen të mbajnë nën kontroll gjendjen edhe në kushtet e verës së sivjetme me temperatura mjaft të larta.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›