“Ilaçet, 50% e farmacive s’kanë kushte”
Ruajtje dhe magazinim barnash në kushte jo të përshtatshme. Me të tilla kushte janë më shumë se gjysma e farmacive në kryeqytet. Në këtë konkluzion ka arritur Autoriteti Shëndetësor Rajonal pas kontrolleve të ushtruara në këto subjekte. Por jo vetëm kaq, 3 farmaci janë mbyllur për të mos u hapur më të paktën për dy vjet, derisa subjekti privat të ketë përmbushur të gjitha kërkesat dhe të marrë të drejtën e rilicencimit. Gjithashtu janë gjobitur me vlerën 200 mijë lekë të reja katër farmaci, të cilat nuk kishin dokumentacion, dhe nuk plotësonin kushtin për punësimin e një drejtuesi teknik, i cili të ishte diplomuar për sektorin e farmaceutikës. Sipas ASHR-së vendi ku ruhen, konservohen dhe tregtohen barnat, duhet të jetë i ndarë sipas llojeve të medikamenteve dhe temperaturë që kërkohet nga prodhuesi i farmaceutikës.