E Shtunë, 31 Tetor 2026

Indrit Aliu, padi nga 9 kompani

 

Trazhgim Sokolaj

Katër denoncime të reja u regjistruan ditët e fundit në Prokurorinë e Tiranës kundër biznesmenit Indrit Aliu, personazh i konsideruar “supermashtrues”. Lajmi konfirmohet nga burime të akuzës, sipas të cilave, pas regjistrimit të dosjes mbi bazën e gjashtë kallëzimeve të para, edhe katër kompani të tjera biznesi denoncuan në Prokurori vjedhjen e shumave të mëdha me anë të mashtrimit, nga sipërmarrësi Indrit Aliu. Ai ka vepruar në Tiranë deri në mesin e muajit mars dhe më pas është larguar nga Shqipëria përmes pikës së kalimit kufitar të Qafë-Thanës. Duke iu referuar përmbajtjes së dosjes penale të hapur ndaj tij, Prokuroria tha se në total ka marrë dhjetë kallëzime nga të dëmtuarit e mashtrimeve të Indrit Aliut, nga të cilët, nëntë janë kompani biznesi dhe padia e dhjetë është bërë nga një individ. Skema e mashtrimit në të gjitha rastet ka qenë thuajse e njëjtë, nënshkrimi i kontratave për mallra apo shërbime, premtimi se shumat do të likuidoheshin brenda pak ditëve dhe më pas zhdukja pa gjurmë e Indrit Aliut. Ai ka hyrë ndërmjetës në tenderë rrugësh, ndërtime shkollash e veprash publike, ndërsa ka marrë automjete dhe kompjuterë nga kompanitë private, duke nënshkruar kontrata fiktive për blerjen e shërbimeve. Pasi premtonte shlyerjen e detyrimeve financiare “sapo t’i zhbllokoheshin problemet me llogaritë e tij në banka”, Indrit Aliu zhdukej pa lënë gjurmë. Viktimat e tij janë përpjekur të kontaktojnë me biznesmenin, që kishte krijuar kompaninë “Dejs” siç duket për koperturë në aktivitetin e tij të vërtetë.
Biznesmeni në kërkim
Gjurmët e fundit të Indrit Aliut janë gjetur në pikën e kalimit kufitar të Qafë-Thanës, më 16 mars 2009, tri ditë pas denoncimeve të para ndaj tij në policinë e Tiranës. Për shkak se denoncimet po verifikoheshin, policia ende nuk e kishte shpallur në kërkim biznesmenin e dyshuar, i cili edhe pse kishte vjedhur me mashtrim rreth 3 milionë euro, arriti të largohej i qetë nga Shqipëria. Duke iu referuar të dhënave, që janë konfirmuar me prova, organi i akuzës thotë se arratisja e 16 marsit 2009 ka qenë lëvizja e fundit e Indrit Aliut. Burimet nga hetimi, thonë ndërkohë se ai mund të ketë lëvizur edhe më vonë duke përdorur dokumente false porse një gjë e tillë ende nuk është provuar me fakte konkrete. Sipas të dhënave të policisë dhe prokurorisë, i kërkuari për vjedhjen e 3 milionë eurove dyshohet se ka ikur në Turqi ndërsa më pas itinerari i tij mbulohet me mister. “Viktimat” e të akuzuarit si “supermashtrues”, siç duket pasi janë vënë në dijeni të hetimeve, kanë nxituar të denoncojnë në polici dhe prokurori episodet e detyrimeve financiare që Indrit Aliu ka ndaj tyre. Megjithatë, arratisja e biznesmenit nga Vlora jashtë Shqipërisë duket se i ka bërë të pamundura veprimet e mëtejshme të organeve ligjore, që janë detyruar të kufizohen vetëm në dokumentimin e “bëmave” të biznesmenit fiktiv.

Zhdëmtimi i “viktimave”, Prokuroria kërkon pronat e biznesmenit Aliu
TIRANE – Prokuroria po heton edhe rolin e biznesmenit Indrit Aliu në ndërtimin dhe rikonstruksionin e shkollës së Zall-Herrit, pas të dhënave që implikojnë të dyshuarin edhe në këtë rast. Gjatë aktivitetit të tij, Indrit Aliu ka nënshkruar kontrata, duke futur në veprim kompanitë, që harxhonin paratë e tyre me premtimin se do likuidoheshin nga Indrit Aliu. Por pas kryerjes së punimeve, i dyshuari zhdukej duke shkaktuar humbje të mëdha financiare për biznesmenët që i kishin besuar. Disa nga të dëmtuarit e Indrit Aliut pohojnë se ai zhvillonte takime të ndryshme në organet e pushtetit lokal dhe në Ministri, duke premtuar tendera dhe aktivitete të tjera për biznesmenët në këmbim të përfitimeve të paligjshme ndaj tyre. Pas rritjes së numrit të personave të dëmtuar, i cili pritet të shtohet edhe më në ditët në vazhdim, prokuroria tha se i ka kërkuar të dhëna hipotekave, bankave të nivelit të dytë dhe zyrave të Tatim-Taksave, me qëllim identifikimin e pronave dhe pasurive të Indrit Aliut. Prokuroria tha se ato do të bllokohen me qëllim për t’u përdorur për zhdëmtimin e bizneseve të mashtruara nga personi i shpallur në kërkim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›