Kryesia e LSI vendos të marrë pjesë në protestë
Kryesia e LSI, vendosi mbrëmë që t’i bashkohet thirrjes së socialistëve për protestën popullore. Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili, u shpreh pas mbledhjes së kryesisë se edhe pse ka tentuar të koordinohet me PS-në për protestën e sotme, ka gjetur mungesë vullneti prej tyre. Sipas tij, lajtmotivi i protestës është largimi i Berishës. “Kryesia e LSI-së vendosi të marrë pjesë në protestën e nesërme të opozitës. Ky vendim është në përputhje të plotë dhe në vijim të linjës tepër të qartë politike të LSI-së dhe prioritetit kryesor të saj: Imponimit të dorëheqjes së Berishës”, tha Vasili. Sekretari i LSI-së i bëri thirrje anëtarëve dhe simpatizantëve të saj t’i bashkohen opozitës në këtë protestë. “LSI u bën thirrje të gjithë anëtarëve, simpatizantëve të saj dhe të gjithë shqiptarëve t’i bashkohen protestës së opozitës, kundër Kryeministrit të fatkeqësive, tragjedive, vdekjes e varfërisë dhe lajtmotivi politik i yni, sot, nesër dhe deri ditën e shporrjes së Berishës nga pushteti do të jetë; “BERISHA TË IKË SOT, NESËR ËSHTË VONË. ME BERISHËN S’KA REFORMA, POR VETEM VIKTIMA”. Dje në ambientet e parlamentit, kryetari i LSI-së, Ilir Meta, mbështeti idenë e mocionit për shkarkimin e Sali Berishës. “Ne mbështesim fuqimisht mocionin e shkarkimit. Duam t’ju kujtojmë që të gjithë opozitarët, të cilët për fat të keq votuan në 21 Prill ndryshimet kushtetuese me Berishën, se sot është shumë herë më e vështirë, përpara 21 prillit, për të hequr Berishën, sepse me ndryshimet që u bënë në 21 prill, para se të bëhen 71 vota për të hequr Berishën, duhen të gjenden njëherë 71 vota se kush do të zëvendësojë Berishën. Ky është një nga problemet më të mëdha të 21 prillit”, tha Meta.