Mehmet Pashë Dërralla, gjenerali i parë që u bekua nga Ismail Qemali
Skënder Shkupi
Teksa po dilte nga zyra e Fatmir Sejdiut, Presidentit të Kosovës në Prishtinë, Valdet Dërrallës (Gjinalit), mbesës së ministrit të Luftës të së parës qeveri shqiptare të krijuar nga Ismail Qemali më 1912, iu turrën një tufë gazetarësh për të mësuar se çfarë kishte biseduar me numrin 1 të shtetit të ri të Kosovës.- Përse nuk hytë brenda? – i pyeti ajo.
- Na thanë se ishe e mbesa e një ministri Lufte.
- Po pastaj?
- Epo ne jemi kundër luftës.
Situatë gazmore ku ndërthuren padituria, naiviteti dhe mbeturinat e klisheve ideologjike të komunizmit. Historia jonë është ndërtuar mbi skema artificiale të gjoja njëfarë doktrine shkencore, që kishte shumë pak lidhje me shkencën. E ashtuquajtura “luftë e klasave” përjashtoi kontributet e shumë figurave të shquara të së kaluarës, duke i zëvendësuar ato me personazhe gjysmë anonime. E rëndësishme ishte përshtatja me skemat e gatshme interpretuese dhe jo nënshtrimi i interpretimeve ndaj fakteve reale. Si rrjedhojë, gjenerali që krijoi ushtrinë shqiptare më 4 dhjetor 1912, Mehmet Pashë Dërralla, mbeti thjesht një emër që mezi përmendej e që kujtohej vetëm si i pari “Ministër Lufte” i Shqipërisë së lirë.
Ndodh rëndom që për shkrime përkujtimore, të cilat merren me trajtimin e figurave të mëdha të së kaluarës sonë, shpesh, botues të ndryshëm shfaqen skeptikë. Ata, jo krejt pa arsye, gjykojnë që në to ka herë-herë edhe subjektivizëm në përmbajtje dhe skematizëm në formë: X-i lindi këtu, u shkollua diku gjetiu, bëri ato që bëri këtu apo atje dhe mbylli sytë diku në një pikë të rruzullit tokësor. Botuesi, që ka edhe sensin e tregtarit, mendon se trajtime të tilla tashmë nuk paraqesin fort interes për lexuesin e zakonshëm, prandaj i shmanget “rrezikut” të rënies së interesit për gazetën apo revistën e tij. Në këndvështrimin e tij ai ndofta ka të drejtë. Sepse jo gjithmonë në shkrime që u kushtohen figurave historike ka një mesazh të qartë për lexuesin e ditëve tona. Ai lexues është i prirur të projektojë veprimtaritë e së kaluarës në vrundullin e përditshmërisë së tij dhe sa më shumë pika takimi të gjejë ndërmjet të kaluarës dhe aktualitetit, aq më me interes do ta ndjekë një shkrim përkujtimor për jetën dhe veprën e një figure të madhe të historisë sonë. Këto janë fakte reale që duhen marrë parasysh. Por le të kthehemi në temë:
Kush ishte Mehmet Pashë Dërralla?
Lindur më 1843 në Gërdec të Tetovës, Mehmet Dërralla ishte biri i Hasan Pashë Derallës, një ndër protagonistët e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit të vitit 1878. Arsimin fillor e mori në Tetovë, kurse atë të mesëm në Shkup. Ishin vite kur ndjenja e fortë e lirisë dhe e shpëtimit kombëtar po ngjizej me shpejtësi në të gjitha trojet shqiptare. Në familje ai mësoi shumë për të kaluarën e popullit të tij dhe më pas, kjo ndjenjë e kultivuar tek ai nga prindërit dhe rrethi shoqëror e bënë gjeneralin e ardhshëm një luftëtar të paepur për lirinë e kombit të tij.
Në vijim ai ndoqi studimet e larta në Akademinë Ushtarake të Stambollit, ku edhe u diplomua me rezultate të shkëlqyera. Në Stamboll kishte një mjedis shqiptarësh të përkushtuar për çështjen e madhe të shpëtimit kombëtar, jo vetëm nga Turqia Osmane, por edhe nga shtetet e reja ballkanike të sapodala nga zgjedha e huaj, por që përgatiteshin me shumë zell të vinin nën zgjedhë fqinjët e tyre shqiptarë. Në atë mjedis, Mehmeti u formua plotësisht si patriot dhe veprimtar i paepur për çështjen kombëtare shqiptare dhe për lirinë e popullit të tij.
Pasi shërbeu për një periudhë në një regjiment këmbësorie në Anadoll, Mehmetit iu dha e drejta të ndjekë shkollën e lartë të shtatmadhorisë në Stamboll, e cila përbënte edhe shkallën më të lartë të arsimimit ushtarak të kohës në Turqi. Karriera e tij pas mbarimit të kësaj shkolle pati ngjitje të shpejtë dhe për formimin e tij teorik dhe aftësitë e demonstruara iu dha qysh në moshën 35-vjeçare titulli “pasha”, që do të thotë “gjeneral”.
Gjenerali i ri u emërua komandant xhandarmërie në Bagdad të Irakut dhe, më vonë, në Halep të Sirisë. Nga Siria u transferua në Selanik, që në atë kohë kishte shumë pak banorë të përkatësisë greke dhe përfaqësonte një port të rëndësishëm të perandorisë osmane në Gadishullin Ballkanik. Më pas transferohet në vilajetin e Kosovës, ku vendoset me detyrë në kryeqendrën e tij, në Shkup. Në vijim e shohim në funksionin e qeveritarit dhe komandantit të qarkut të Prizrenit që përfshinte edhe Gjakovën, Tetovën dhe Lumën.
Gjëmimet e Kosovës
Këtu mbyllet edhe karriera osmane e gjeneralit të ri.
Të ishe pasha në shekullin e XIX në një perandori që, ndonëse e dobësuar, ende shtrihej në hapësira të pamata të Europës Juglindore, Lindjes së Afërt dhe Afrikës së Veriut, ishte një fat dhe privilegj i madh. Të shumtë do të ishin ata që ç’nuk do të jepnin për të arritur në një shkallë të tillë. Mirëpo, gjenerali i ri, Mehmet Dërralla, në kulmin e karrierës së tij e hoqi uniformën madhështore osmane të pashait, për të mos e veshur më kurrë gjatë gjithë jetës së tij. Një gjest që, ndofta, për një shtresë shqiptarësh materialistë të sotëm, do të ishte i pakuptueshëm.
Kjo ndodhi në vitin e ashpër 1878, kur Lëvizja Kombëtare Shqiptare pati një kulmim historik. Gjenerali i ri tashmë ishte vënë në dispozicion të Ushtrisë Vullnetare të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Ai u emërua këshilltar i njërit prej udhëheqësve popullorë të Lidhjes, Sulejman Vokshit, i cili luante rolin e Ministrit të Mbrojtjes të asaj që mund të quhej si qeveri pararendëse e Shqipërisë së pavarur. Ai punonte dhe luftonte njëherësh në organet më të larta të Lidhjes së bashku me të atin, Hasan Pashë Derallën, i përjetësuar në këngën e IX te “Lahuta e Malcisë” e poetit tonë të madh, At Gjergj Fishta. Babë e bir ishin në vijën e parë të frontit të luftës për liri. Babë e bir ishin të gatshëm të sakrifikonin gjithçka për një ideal. E pra, nëse do të qëndronin në punë të tyre, urtë e butë me Portën e Lartë, ata do t’i kishin të gjitha të mirat, do të kalonin një jetë të qetë e të lumtur materiale. Por ata kurrë nuk menduan atë që ne e dëgjojmë herë pas here në ditët tona nga individë që vetëquhen “të mençur”, se “ky vend s’bëhet”.
Lidhja u shtyp pas një rezistence të fuqishme trevjeçare të trupave të saj që komandoheshin nga ushtarakë të zotë, ndërmjet të cilëve shquhej edhe Mehmet Pashë Dërralla, përballë epërsisë numerike dhe teknike të ushtrisë së Dervish Pashës të dërguar nga Stambolli.
Lidhja e Prizrenit u shtyp, por Mehmet Dërralla nuk hoqi dorë nga idealet e tij. U aktivizua etshëm në Lidhjen e Pejës të vitit 1899, e cila, nën drejtimin e Haxhi Zekës u orvat të realizonte atë që nuk arriti ta bënte Lidhja e Prizrenit. Por përpara një ushtrie të madhe turke të armatosur rëndë e të organizuar, prej 40 mijë vetash, edhe kjo përpjekje e atdhetarëve shqiptarë dështoi. Mehmet Pashë Derallën e internuan në Bagdad për t’i prerë çdo mundësi kontakti me Shqipërinë dhe problemet e saj.
Kryengritja xhon-turke e vitit 1908, që u pasua nga një amnisti e përgjithshme, i dha mundësi Mehmet Pashës të rikthehej në funksione të larta në ushtrinë osmane. Në Stamboll mendonin se ai do ta mirëpriste rehabilitimin dhe riveshjen e uniformës së gjeneralit osman. Pas dy dështimesh të hidhura, a nuk ishte rasti që ai të mendonte, më në fund, edhe për veten e familjen e tij, për të ardhmen e tij dhe njëherësh për prosperitetin e të tijve, për një jetë të qetë e të lumtur? Mirëpo për çudinë e shumë turqve dhe të pak shqiptarëve që nuk e njihnin sa e si duhet, Mehmet Dërralla refuzoi duke dhënë përgjigjen e tij befasuese: “U jam mirënjohës për bamirësinë, por tani i takoj tjetërkujt”. Ai refuzoi, sepse fatet e Shqipërisë i qenë njësuar në vetëdije me fatet e tij. U kthye në atdhe me po atë vendosmëri të viteve të stuhishme të të dy lidhjeve historike shqiptare që mbetën vetëm si gurë kilometrikë udhërrëfyes drejt pavarësisë. E presin triumfalisht në vendlindje pas një mungese të gjatë gati dhjetëvjeçare. Tashmë ai ishte bërë i njohur edhe në qarqet më të larta të Europës. Emri i tij qe cituar edhe nga ministri i Jashtëm i Austro-Hungarisë, konti Bertoldt, për të cilin “Mehmet Pashë Dërralla qe një burrë me kulturë të gjerë dhe ndjenja të pastra kombëtare”.
Mehmet Dërralla ishte një nga organizatorët më në zë të kryengritjeve të mëdha të Kosovës të viteve 1910, 1911 dhe 1912. Bashkëpunimi i tij i ngushtë me Hasan Prishtinën e kishte bazën në afrinë e idealeve e të ndjenjave atdhetare si dhe në reputacionin e madh që kishin këta dy atdhetarë të shquar në hapësirat përkatëse nga kishin dalë, në Kosovë e Maqedoni. Ndërkohë që betejat triumfuese të verës së vitit 1912, që kulmuan me marrjen e Shkupit, qendrës së vilajetit të Kosovës, nga kryengritësit shqiptarë, alarmuan pa masë fqinjët ballkanikë që kurrë nuk pranuan idenë se shqiptarët ishin edhe ata njëlloj të shtypur e të robëruar nga turqit dhe kishin, ashtu si ata, të drejtën e shenjtë për të jetuar të lirë e të pavarur.
Vlerësimi nga Ismail Qemali
Lidhja Ballkanike e monarkive të gadishullit kundër Perandorisë Osmane pati, ndërmjet të tjerash, si teh kryesor të goditjes, pushtimin e trojeve shqiptare. Mali i Zi, Serbia, Bullgaria dhe Greqia ishin të interesuara të mohonin ekzistencën e kombit shqiptar, pasi duke e njësuar atë me turqit, kishin në dorë mundësinë e zgjerimeve të mëdha territoriale. Ishin ditë të tmerrshme jete ose vdekjeje për shqiptarët. Në kushte tepër të vështira atdhetarët e shquar, ndërmjet radhëve të para të të cilëve qëndronte edhe Mehmet Pashë Dërralla, u ngritën në këmbë për mbrojtjen e tokave shqiptare dhe çlirimin e vendit nga robëria 500-vjeçare osmane. Gjenerali Dërralla, në luftimet e ashpra me serbët e Bozhidar Jabkoviçit, një kriminel e gjakësor i lindur, arriti t’i mbajë trupat serbe në hapësirën ndërmjet Drinit të Bardhë e Drinit të Zi. Një bllokim i tillë krijoi terrenin e domosdoshëm, siguroi kushtet historike për ngjarjen e madhe të ngritjes së flamurit në Vlorë më 28 nëntor 1912.
Mbështetur në meritat, kapacitetet profesionale dhe atdhedashurinë e tij të zjarrtë, Mehmet Pashë Derallës iu ofrua nga Ismail Qemali posti i ministrit të Parë të Luftës të së parës qeveri shqiptare të krijuar pas shpalljes së pavarësisë. Ai u bë organizatori dhe frymëzuesi i qëndresës me armë në dorë kundër të gjitha trupave pushtuese ballkanike që po i merrnin frymën Shqipërisë. Ai reformoi trupat vullnetare dhe siguroi sovranitetin e Qeverisë së Vlorës brenda dhe jashtë vendit, duke përligjur njëherësh edhe një mbrojtje diplomatike e ushtarake të koncertit të fuqive të mëdha të Europës kundër synimeve gllabëruese të fqinjëve shovinistë.
Drejtimin e ushtrisë shqiptare Mehmet Pashë Dërralla e mbajti mbi shpatullat e tij për më shumë se 18 muaj, deri në maj të vitit 1914, kur këtë rol qeveria e Princit Vilhelm fon Vid ia kaloi Esat Pashë Toptanit. Shpërthimi i Luftës së Parë Botërore u pasua me marshimin e trupave pushtuese serbe në thellësi të territoreve shqiptare. Ndonëse i survejuar dhe i ndjekur nga organizatat terroriste sllave “Cërna Ruka” dhe “Narodna Obrana”, Mehmet Pashë Dërralla së bashku me të birin Halimin nuk reshti së luftuari kundër serbëve, duke u prirë luftëtarëve kosovarë në beteja të ashpra e të pabarabarta. Në nëntor të vitit 1915, në Gërdec të Tetovës serbët kryen një gjenocid të mirëfilltë, ku u vranë 150 vetë, ndërmjet të cilëve 9 burra nga Dërrallajt. Ndërkohë gjenerali i vjetër ishte burgosur dhe qe dërguar në qelitë e Podgoricës nga serbët që bashkëpunonin shumë ngushtë me trupat malazeze të pushtimit. Nën presionin e ushtrive austro-hungareze që kishin nisur veprimet e tyre luftarake dhe po përparonin në veri të Serbisë, të burgosurit e Podgoricës u liruan dhe Mehmet Pashë Dërralla kaloi në Shkodër. Në moshë të thyer, më 1918, ai u kthye në vendlindje ku edhe mbylli sytë po atë vit.
Që të vihen në vend vlerat
Jemi katër vjet larg festimit të 100-vjetorit të shpalljes së pavarësisë. Ndërkohë ky vit është 90-vjetori i vdekjes së Mehmet Pashë Derallës, i cilësuar si numri 3 i kabinetit të parë të Shqipërisë së pavarur dhe 165-vjetori i lindjes së tij. Përballemi, për rastin në fjalë, me dy probleme shqetësuese për historiografinë tonë, që e kanë burimin te mbeturinat e mentalitetit bolshevik që ende vegjetojnë në trajtimet e shumë dukurive historike, kryesisht të shekullit XX.
E para, përse vijon ndarja në dy kategori e personaliteteve të shquara të së kaluarës? Sot, ata që gjatë periudhës së diktaturës ngriheshin në qiell, kanë mbetur të paprekur në altarin e tyre (duke përjashtuar, ndofta, vetëm Haxhi Qamilin) kurse të tjerët që ua patën fshirë emrin “me gomë” edhe sot mezi përmenden. Kështu ka ndodhur me figurën e Mehmet Pashë Derallës dhe me figura të tjera të historisë sonë kombëtare. Është e trishtueshme që për nxjerrjen në pah të meritave e të rolit të tij në historinë tonë, iu desh një punë e stërmundimshme mbesës së tij, Valdet Dërralla (Gjinali), që me këmbënguljen dhe luftën e saj të admirueshme në mbrojtje të së vërtetës historike arriti ta shpëtojë Mehmet Pashën nga harresa. Po ata që nuk kanë mbesa e nipër të tillë a duhen lënë ende nën pluhurin e kuq të harresës së bolshevizmit shqiptar?
E dyta, zhvillimet e mëdha historike nuk janë produkt i një njeriu të vetëm, sado i madh e i lavdishëm të ketë qenë roli i tij në ngjarjet në fjalë. Mirëpo, edhe në këtë rast, përballemi me remineshenca të së kaluarës.
Në historiografinë komuniste momenti i shpalljes së pavarësisë lidhej tërësisht vetëm me një emër, atë të Ismail Qemalit. “Të tjerët” mezi përmendeshin ose nuk u ziheshin fare emrat, “as me gojë e as me shkrim”. Pavarësisht nga subjektivizmi shumë i mundshëm, kanë dalë autorë që formulojnë sot kritika të hapura ndaj Ismail Qemalit dhe politikës së tij. A ka kush të na thotë, qoftë edhe një gabim të vetëm të Mehmet Pashë Derallës?
Në të njëjtën historiografi komuniste Kongresi i Manastirit, 100-vjetorin e të cilit presim ta përkujtojmë sivjet, përshkruhej, me të drejtë, si vepër kolektive e një grupi jo të vogël gjuhëtarësh e atdhetarësh. Mirëpo edhe atje ka pasur disa figura qendrore që spikatën dhe lehtësuan suksesin e veprimtarisë historike të ndërmarrë prej grupit në fjalë. Historiografëve marksistë të Tiranës zyrtare u duhej të shmangnin me domosdo emrat e Mitat Frashërit e të At Gjergj Fishtës. Ashtu ndodhi. Na thuhej dikur se atje ishin të pranishëm Ndre Mjeda e Shahin Kolonja, e vetëm kaq. Mirëpo edhe sot, nëse askush nuk shqetësohet nga shprehja “pavarësia e shpallur e Ismail Qemalit”, dëgjuesit nuk ndjehen mirë nëse dikush do të shprehej rëndom me fjalët: “Alfabeti shqip i Gjergj Fishtës e i Mitat Frashërit”.
Së fundi, ka një Akademi Ushtarake që dikur mbante emrin e një luftëtari komunist që drejtoi një brigadë partizanësh. E zëvendësuan me një graduant më të lartë, po ashtu komunist, që pat njëfarë roli në vitet e asaj që quhet LNÇ. Por a mund të krahasohet roli, veprimtaria, niveli profesional, përkushtimi atdhetar apo sakrificat e mëdha që bëri për shpëtimin e Atdheut, Mehmet Pashë Dërralla me Spiro Moisiun? Pa dashur të cenojmë reputacionin e të ndierit Moisiu, nëse flitet me logjikë të ftohtë dhe objektivitet, të gjithë duhet të pohojmë se gjeneral Spiro Moisiu mbetet shumë larg gjeneral Mehmet Derallës. E megjithatë, Akademia Ushtarake e Tiranës mban emrin e oficerit të lartë kavajas.
Janë probleme me të cilat ne duhet të merremi seriozisht. Le të shpresojmë që 100-vjetori, që po afrohet, i shpalljes së pavarësisë së vendit, t’i gjejë, më në fund, edhe shqiptarët, të njësuar në vlerësimet e tyre historike, larg skemave idiote të një të kaluare të trishtë që ende nden hijen e saj të zezë deri në ditët tona.