Leskaj: Të hapur për aleatët. Gjinushi: Mocion për Berishën
Aristir Lumezi
Socialistët dhe socialdemokratët ende nuk kanë një qëndrim të unifikuar për bërjen e opozitës në Parlament. Kryetarja e grupit parlamentar socialist, Valentina Leskaj, duke iu përgjigjur propozimit të Skënder Gjinushit për mocion ndaj Sali Berishës, u shpreh se është e hapur të mirëpresë çdo propozim. “Të gjitha opsionet janë në tavolinë dhe ne jemi të hapur për të diskutuar çfarëdolloj propozimi që mund të sjellin aleatët tanë. Do thotë që procesi që filloi dje me tryezën nuk është një proces i mbyllur. Ne jemi të hapur për çdo lloj propozimi dhe afrimi që ata mund të kenë”, tha Leskaj. Sipas saj, “diskutimi i tryezës së partive, nuk ishte për çështjen e koalicionit, por ka qenë për krijimin e një fronti të përbashkët për më shumë drejtësi e siguri në vend, për standarde demokratike në vend. Natyrisht, ne mbetemi të hapur dhe për koalicionet”. Ndërsa kreu socialdemokrat u shpreh dje më i qartë për mënyrën se si duhet të largohet kryeministri Berisha. Gjinushi u shpreh dje se mirëpret dhe se do nxisë një mocion shkarkimi për Berishën. “Ne e mirëpresim dhe patjetër e nxisim, sepse është minimalja që mund të bëjë një Parlament normal. Pra nëse i kërkojmë që edhe populli të ketë rolin e vet, opozita me popullin, gjithmonë në rast krizash duhet të rakordojnë, sepse edhe opozita duhet të japë kurajon e duhur, ndërgjegjësimin e duhur se ku është e keqja dhe si korrigjohet, por edhe njerëzit duhet të dinë të kërkojnë të drejtën e tyre, por jo një herë në katër vjet, por atëherë kur është e nevojshme për vendin”, tha Gjinushi.