E Diel, 1 Nëntor 2026

“Rama, zgjatim i vullnetit komandues të Sali Berishës”

 

Për Artur Zhejin, një prej bashkëkryetarëve të Komitetit për Mbrojtjen e Kushtetutës, tryeza e krerëve të partive opozitare nxori në pah varësinë e dyshimtë të Edi Ramës nga Berisha. Zheji analizon marrëdhëniet Rama-Meta, duke parashikuar shanse të pakta për unifikim të opozitës.
Z.Zheji, pas një viti përplasjesh dhe akuzash, dy krerët e partive kryesore të opozitës, PS dhe LSI, u ulën në një tryezë të thirrur nga Edi Rama. U desh vdekja e Kosta Trebickës, dëshmitarit kyç të Gërdecit, që kreu i PS-së t’i shtrinte dorën e bashkëpunimit Ilir Metës. Pavarësisht rezultateve të munguara të këtij takimi të parë, a shihni shanse për bashkëpunim PS-LSI nën çatinë e një koalicioni të përbashkët?
“Iluzione të humbura”, ky titull i famshëm i romanit të famshëm të Viktor Hygoit, më tingëlloi në mendje sapo dëgjova përgjigjen zhgënjyese të Ramës, në prononcimin e tij të mëvetshëm dhe “ekskluziv” të orës 17:30, transmetuar drejtpërsëdrejti nga “Neës 24”. Kuptova pra se (e hidhur, por e vërtetë) nuk qenkam gabuar (si dhe do të doja në të vërtetë) në leximin e të ashtuquajturit “konflikti Meta-Rama” mbas amendimeve të turpshme kushtetuese të 21 Prillit 2008, një bashkim i zymtë votash PD-PS, në shërbim të Berishës dhe në dëm të shqiptarëve.
Ky takim, vlerësuar me optikën e përfundimit të tij, nxori lakuriq një të vërtetë, që të vret sytë edhe një herë:
“Edi Rama, nuk është më Edi Rama, por një zgjatim elokuent, i gjatë, i pashëm, i veshur mirë, por gjithmonë një zgjatim i përpëlitur, i vullnetit komandues të Kryeministrit Sali Berisha”.
E pra, edhe vdekja e Kosta Trebickës apo edhe eliminimi i tij, me të gjithë konsekuencat makabre që sjell, nuk e nxori dot Ramën nga orbita e një mvartësie të dyshimtë nga Berisha, apo frika patologjike ndaj tij. U kuptua pak si tepër qartë se “mllefi” i Ilir Metës, na qenkej një mllef i tepruar ndaj Sali Berishës, i cili sot, më tepër se kurrë, e ka kohën të kuptojë se shqiptarët e falën njëherë në vitin ‘97, por nuk kanë ndërmend ta falin dy herë 11 vjet më vonë. Nëse ky “mllef” prej opozitari radikal i Ilir Metës, kur është radikalizuar dhe po radikalizohet përditë, aksioni politik diktatorial dhe fashistoid, i kryeministrit në panik, është i tepërt për shijet e Ramës, atëherë zoti Rama le të dorëhiqet nga roli tanimë i pamerituar i kryetarit të Partisë Socialiste.
Sepse nëse kryetari aktual i Partisë Socialiste, kujton se vetëm performanca e jashtme e liderit të shqetësuar, nervi i fjalës dhe zymtia aktoriale e fytyrës, mjafton për të krijuar idenë se ai po përpëlitet për drejtësi dhe po rifillon të bërit opozitë, gabohet. Opozita nuk është as retorikë dhe as kumbim fjalësh të tendosura nga nervozizmi, opozita në radhë të parë është Aksion Politik, është ngushtim me cilindo mjet demokratik të hapësirës së kundërshtarit, që po cilësohet nga një opinion gjithmonë e më i gjerë, një Rrezik Kombëtar!
Pas takimit, z.Meta e kushtëzoi bashkëpunimin me PS-në me hartimin e një strategjie politike për t’i imponuar dorëheqjen Berishës, por u vu re toni i zbutur i tij ndaj Partisë Socialiste. Mendoni se kjo është një sjellje taktike e z.Meta për të vënë në provë hezitimin e z.Rama për opozitë të fortë ndaj Berishës?
Më lejoni të saktësoj pyetjen tuaj, zoti Meta dhe kryesia e LSI-së, nuk e kushtëzuan bashkëpunimin me PS-në pas takimit me zotin Rama, por përpara. Shumëkush mendonte dhe ndoshta shumëkush shpresonte, se Meta do ta refuzonte këtë takim, por nuk ndodhi ashtu. Mirëpo takimet politike të këtij niveli dhe kaq të pompuara në media nga vetë zoti Rama, kanë apo duhet të kenë një temë dhe një objekt madhor, duhet të shërbejnë për të koordinuar një strategji politike. Unë e shoh normale dhe serioze që kryesia e LSI-së u mblodh duke e vlerësuar seriozisht dhe politikisht këtë takim, të trumbetuar mediatikisht si të jashtëzakonshëm dhe në rrethana të jashtëzakonshme.
Por edhe unë, në këtë kontekst dhe duke dëgjuar reagimin aposteriori të Ramës, do të shtroja një pyetje: Po përse e kërkoi takimin e partive të majta Edi Rama?
E kishte të qartë ai vetë qëllimin? Apo thjesht donte të tërhiqte nga vetja kamerat dhe vëmendjen publike, për t’u rishfaqur si “kapedani” i opozitës së bashkuar?
Hajde se i falet ky mëkat narcisist, (e kush nuk dashurohet me veten hera-herës?), por “kapedani” pse e kërkoi mbledhjen e “trimave” të opozitës? Për t’i ftuar rreth kafes së ngrohtë dhe për t’u çmallur? Mund të falet edhe ky mall.
Por më duket se nuk falet dot ftesa që ai i bëri të ftuarve:
“Asgjëbërje ndaj Sali Berishës!”
Ai, Edi Rama, jo vetëm që nuk parashtroi asnjë projekt konkret, për të ndërmarrë apo sipërmarrë së bashku ndonjë aksion politik, por në pasditen e po asaj paraditeje, iu vërsul me goxha yrysh, “atyre” që kërkonin “koordinimin e të gjitha forcave dhe aksioneve politike për rrëzimin sa më parë të Sali Berishës, nga pushteti kryeministror!”
Disa ditë më parë edhe Edi Rama e akuzoi kryeministrin aktual si përgjegjës për vdekjen e të ndjerit Trebicka dhe shpluhurosi me tërsëllimë pezmin e tij (që e kish ruajtur të pagjumë dhe të pagojë në zemër për 6 muaj…) për krimin shtetëror të Gërdecit, e pra e akuzoi Berishën si mos më keq. Mos vallë vetëm me fjalë?! Mos vallë vetëm për efekt mediatik dhe elektoral? Mos vallë mjaftoi vetëm kërcënimi i djaloshit Gerti, nga foltore e PD-së, për të bërë një piruetë prej balerini pas? Kjo është pak si shumë e turpshme, apo jo?
Sa e mundur do ishte që opozita e bashkuar t’i impononte dorëheqjen z.Berisha 9 muaj para zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare?
Po ju jap një shembull fare të fundit dhe fare të verifikueshëm të ndodhive parlamentare. Para tri ditësh u shkarkua një anëtar “disident” i Këshillit Kombëtar të Radio-Televizioneve, zoti Frano Kulli. Ai u shkarkua me më pak se 60 vota, pasi që edhe shumica ishte jo kompakte në votim. Nëse opozita do të kish braktisur Kuvendin, e pra ta kish bojkotuar, do të mungonte kuorumi, mbledhja e Kuvendit do të ish anuluar dhe “disidenti” Kulli do të ish edhe sot nënkryetar i KKRT. Në sa e sa raste në botë taktika e bojkotit të Kuvendit ka provokuar zgjedhje të parakohshme. Bojkoti i Kuvendit është pra një formë, imponimi shumë efikas, aq më tepër kur nuk janë të pakta dyshimet për trafik votash shpëtimtare në mjaft raste. Ju e dini se Berisha mbahet sot në Kuvend me rreth 75 vota, edhe këto të luhtashme rast pas rasti. Kjo do ta shtrëngonte Kryeministrin në një tension të madh dhe do të jepte një sinjal të fortë te ndërkombëtarët, se me Berishën nuk ka më pakte, të asnjë forme, sepse ai majmet, fryhet dhe egërsohet më keq mbas tolerimeve institucionale.
Mirëpo duket qartë se Rama nuk e do këtë. Ai nuk u skandalizua për Frano Kullin, si dhe nuk shpreh asnjëherë shqetësime për kapjen e mediave elektronike shtetërore dhe institucioneve të tyre drejtuese. Ai nuk shqetësohet se Kuvendi i Jozefinës, prodhon, edhe falë kuorumit të dhuruar prej të të tijve, ligje dhe antiligje. Ai deri dje ishte dakord me ligjin për Prokurorinë e Përgjithshme, bazuar në draftin qeveritar dhe të shqyrtuar në komisionin bipartizan PD-PS, sot është apo shtiret i shqetësuar. Porse nuk na heq dot dyshimin që ligji i ri mund të jetë një dhuratë tjetër që do të mund t’i bëhet Berishës, në dëm të Ina Ramës dhe pavarësisë së këtij institucioni të rrethuar, që shqiptarët kanë shpresë të zbardhë të vërtetën mbi krimin e Shtetit Shqiptar në Gërdec.
Më thoni një fitore politike institucionale të Ramës, ndaj Berishës? Vetëm Një!
Presidenti u zgjodh nga radhët e Shumicës, Kryepro-kurorja po ashtu, kryetari i KLSH-së mbeti një republikan, KKRT është e qeverisë, RTSH është e qeverisë, Kushtetuta e Re është e Berishës… etj., etj, dhe të gjitha këto me kuorumin, asistencën dhe bile edhe votat e Partisë Socialiste të politikës së re.
Zoti Rama nuk është i hutuar, por i vetëdijshëm në zbythjen e tij globale opozitare, këtë e kanë thënë tashmë një shumicë mendjesh të lira dhe njëkohësisht të habitura, politikanësh socialistë dhe jo socialistë, analistë dhe opinionistë.
Ky nuk është më një realitet i fshehur. Të vetmen “gjethe fiku” ky realitet ka absurdin që e shoqëron këtë fakt, këtë kapitullim të shëmtuar politik, që do ta ndjekë dhe do ta djegë karrierën e Edi Ramës (sa keq më vjen personalisht), në të njëjtin oxhak me tym të zi, me Sali Berishën, dhunuesin e tij të dikurshëm.
Si bashkëkryetar i Komitetit për Kushtetutën, ju keni theksuar se ekziston një pakt mes kryetarit të PS-së, Edi Rama dhe Kryeministrit Berisha për të eliminuar garën normale demokratike dhe për të forcuar pushtetin e tyre autoritarist në partitë respektive. A mendoni se thirrja e tryezës së partive opozitare nga ana e z.Rama është një shenjë që tregon të kundërtën e asaj që ju keni deklaruar? Apo e konsideroni ndryshim kursi të PS-së tani që po afrohen zgjedhjet? A është z.Rama në kohë për ta bërë këtë dhe si e vlerësoni pjesëmarrjen e z.Dule, anëtar i koalicionit qeveritar në këtë tryezë?
Zoti Ceka, e mbiquajti dhe e krahasoi këtë ftesë për takim, si një ftesë për gjah, duke dhënë të nënkuptojë, ftesën tinzare që ndoshta dikush i ka bërë të ndjerit Trebicka, për të dalë për gjah, me përfundimin që dihet. Zoti Meta e pranoi, por me kushtin që ky takim të mos të sajohej në një pazar të vockël politik, por në një: “përqendrim të energjive politike, duke përcaktuar si prioritet të vetëm largimin e Kryeministrit” nga timoni i fatkeqësive ku e degdis kaq mjerisht këtë Vend.
Nuk m’u duk i tepërt ky kujdes i Metës, takimi nuk prodhoi asgjë esenciale e të mirëfilltë.
Më lejoni të saktësoj se unë si kryetar i Komitetit për Mbrojtjen e Kushtetutës, nuk jam marrë me konkurrencën ndërpartiake, por me amendimet kushtetuese, të cilat ndryshojnë thelbin e një Kushtetute të votuar me referendum dhe të ndryshuar ethshëm nga bashkëpunimi i frytshëm PS-PD, mbas Gërdecit dhe në forcim të rolit të kryeministrit (Sali Berishës për të qenë më të konkret).
Ky akt i mistershëm politik, natën dhe me kohë të keqe, nën diktatin e Berishës, dhe mëkati që e shoqëron u rëndua me mëkatin tjetër, shumë më të madh: Grabitjen e shqiptarëve nga e drejta për t’u shprehur përmes referendumit, për pro ose kundra këtyre ndryshimeve!
Unë mendoj dekadenca politike nuk mund të jetë më e rëndë se kaq.  Kryetari i Partisë më të madhe opozitare, është shndërruar njëkohësisht në një kryepatericë të florinjtë që mban në këmbë qeverinë më të përfolur për korrupsion dhe më të përfolur për agresivitet anti-institutional. Ky është fakti i vrazhdë që shpaloset para nesh, të tjerat janë fjalë. Vetëm fjalë, qofshin këto të stisura bukur dhe me vernik apo varak vezullues. Për praninë e Dules, besoj se mjaftojnë fjalët e vetë Dules, ishte thjesht një vëzhgues që kalon nga tenxherja e djathtë tek kazani i majtë, hedh një sy dhe mban shënim.
Bisedoi: Robert Rakipllari

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›