E Diel, 1 Nëntor 2026

Ilaçet me TVSH, shitjet ditën e parë pa rritje, farmacitë në kolaps

SHKRUAN: Jonida Tashi 02-02-2011 11:39

Farmacistët: Ilaçet i kemi shitur pa rritje, furnizimet e reja me 10% më shumë. Problem medikamentet e listës së barnave me rimbursim, kush do ta paguajë 10% e TVSH-së

Çmimet e ilaçeve do të pësojnë rritje me 10%, për shkak të përfshirjes së medikamenteve në skemën e TVSH-së (Tatimi mbi Vlerën e Shtuar). Dje, ka qenë edhe dita e parë e hyrjes në fuqi të TVSH-së edhe për ilaçet, ndërsa kjo situatë ka futur së pari në kolaps farmacistët, të cilët, për të mos larguar pacientët i kanë shitur barnat pa TVSH. Ditën e hënë ishin depot farmaceutike, që furnizojnë farmacitë me medikamente mjekësore, ato që futën të parat 10% e TVSH-së së ilaçeve, dhe informuan farmacistët, se duke filluar që nga data 1 shkurt, në faturat e tyre do të shtohet edhe TVSH-ja. Në fakt, kjo situatë ka gjetur të papërgatitur farmacitë në kryeqytet, të cilët, në ditën e parë të aplikimit të kësaj skeme kanë qenë tepër të paqartë për mënyrën se si duhet të vepronin. Madje jo vetëm kaq, por ata shprehen se nuk i ka njoftuar askush se çfarë duhet të bëjnë në këtë rast, dhe se rritjen e ilaçeve me 10% ua kanë komunikuar depot farmaceutike. “Kemi shitur pa TVSH sot, ndërsa furnizimet e reja nga depot janë bërë me TVSH. Nuk na kanë thënë asgjë se si duhet të veprojmë, s’na ka ardhur asnjë shkresë për të na sqaruar, thjesht e kemi marrë vesh nga depot për TVSH-në. Problemi qëndron tek ne, se jemi hallka e fundit dhe na krijohen probleme me pacientët. Për këtë arsye kemi shitur ilaçe pa TVSH dhe nuk dimë se si do të vazhdojmë”, - shprehet një farmaciste pranë Gjykatës së Tiranës, në Tiranë. Të njëjtën gjë pohon edhe një tjetër farmaciste në lagjen “Ali Demi” në kryeqytet, Dorina Vasili, e cila shprehet se dje i ka shitur ilaçet me çmimin që kanë në pullë, pa përfshirë 10% e TVSH. Farmacistja shpjegon se rritja me 10% do të aplikohet për furnizimet e reja, që farmacitë do të bëjnë në depo, pasi do të blihet me TVSH, dhe jo për mallin që kanë në gjendje. Ndërkohë që një tjetër shqetësim që ngrenë farmacitë qëndron në faktin se si do t’i shesin ilaçet me TVSH, ata ende nuk dinë nëse në produkt do të ketë një pullë të dytë, apo rritja duhet t’i shtohet çmimit të medikamentit, të cilin do ta paguajë pacienti. “Për furnizimet e reja do aplikohet TVSH, kurse për të vjetrat jo. Një tjetër problem është se si do të vendoset TVSH, sepse ilaçet e kanë çmimin në pullë dhe nuk dimë se si do ja bëjmë. Nga depot na kanë thënë që nuk do të ketë pullë të dytë në ilaçe për TVSH-në. Ndërsa faturat për furnizimet e reja na kanë ardhur plus 10 %”, - pohojnë farmacistët. Po ashtu, sipas farmacistëve në kryeqytet, një tjetër problem që del nga përfshirja e medikamenteve në skemën e TVSH-së, është se kush do ta paguajë 10% e TVSH-së për listën e barnave me rimbursim. Barnat aktualisht importohen dhe prodhohen me pulla, të cilat monitorohen nga Qendra e Kontrollit të Barnave nga Ministria e Shëndetësisë. Në ndryshimet e fundit, të bëra për vendosjen e akcizës, edhe për produkte të reja (për të cilat nuk ishte aplikuar deri tani), vlerësohet të jetë parashikuar vendosja e pullës fiskale, në tregtinë me shumicë të barnave, që është bërë edhe shkak për rritjen e çmimit të tyre, megjithëse parashikimet e Financave nuk ishin të tilla, të paktën përsa i përket deklaratave publike.

10% më shumë nga çmimi aktual do të rriten çmimet e ilaçeve, për të gjitha furnizimet e reja. Për furnizimet e reja, pullat e emetuara në ilaçe do të kenë të përfshirë edhe TVSH-në

30 janar ishte dita e fundit e shitjes së ilaçeve pa TVSH. Për ilaçet që janë në gjendje, llogaritja e çmimit të ri do të bëhet nga farmacistët, bazuar në çmimin e mëparshëm që është i vendosur në pullën e sigurisë

Çdo javë, 15 mijë të prekur

Autoritetet shëndetësore, sikurse kishin paralajmëruar në mesin e muajit janar, se në fillim të shkurtit vendi do të preket nga epidemia e gripit, kanë bërë dje shpalljen e kësaj të fundit. Sipas tyre, vendi ynë tashmë është prekur nga epidemia e gripit sezonal, megjithëse numri zyrtar i të prekurve, që deklarohet nga autoritetet shëndetësore, që prej muajit nëntor të vitit të shkuar, vazhdon të jetë 15 mijë persona në javë. Sipas kreut të Institutit të Shëndetit Publik, Enver Roshi, vendi nuk është në panik, pasi situata epidemiologjike është nën monitorim. Sipas tij, pacientët me simptomat e gripit duhet të izolohen për disa ditë. “Gjithsej, në total, numri i rasteve arrin në 68 me A/H1N1. Javën e kaluar, numri total i rasteve me infeksione të sipërme dhe të poshtme respiratore ishte diku tek 15 mijë raste. Ka një shtim të rasteve. Bazuar në situatën epidemiologjike që kemi, tendencën në rritje të infeksioneve respiratore, jemi në epidemi”, - thotë drejtori i Shëndetit Publik, Enver Rroshi. Rekomandimi që kreu i ISHP-së jep, edhe si mjek, është që të gjithë njerëzit që kanë probleme me gripin në përgjithësi duhet të orientohen te mjeku i familjes, duhet të izolohen disa ditë kur janë me temperaturë të lartë, me dhimbje koke. “Në rast se temperatura vazhdon, duhet të shkojnë te mjeku i familjes apo specialisti, për t’u parë më tutje”, - thotë Roshi. Fatmirësisht, në vend nuk janë shënuar viktima nga gripi, ndërkohë që ka pasur edhe raste me një gravitet të lartë, si pasojë edhe të sëmundjeve të tjera kronike.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›