Skema e re e qarkullimit, Bashkia: Nuk do të ketë trafik
Punavija: Është llogaritur që ditët në vijim të jenë më të qeta nga pikëpamja e trafikut
Skema e re e qarkullimit të automjeteve në kryeqytet, për shkak të punimeve që po kryhen në Sheshin “Skënderbej”, nuk do të shkaktojë trafik në ditët në vijim. Garancia jepet nga përfaqësues të Bashkisë së Tiranës, të cilët shprehen të sigurt për skemën e re të qarkullimit të automjeteve, që po zbatojnë në Tiranë, e cila, sipas tyre, nuk rëndon aspak trafikun në kryeqytet. Në fakt, ndryshe nga dita e hënë, gjatë ditës së martë nuk ka pasur trafik të rënduar, pasi në të gjitha rrugët kryesore, automjetet kanë qarkulluar lirshëm. Këtë, drejtues të bashkisë e premtojnë edhe për ditët në vijim. “Sot (dje) e kemi monitoruar dhe me pak ngarkesë nga ora 7:30 deri në 08:10, kurse pjesa tjetër e ditës ka qenë plotësisht e lirshme në të gjitha pikat kryesore të qytetit. Është llogaritur që ditët në vijim të jenë më të qeta nga pikëpamja e trafikut. Ritheksoj dhe faktin që sot (dje) kemi një trafik më të lehtësuar, tregon që kapaciteti i rrjetit rrugor është plotësisht i mjaftueshëm, për të përballuar flukset e trafikut. Duke punuar në një bashkëpunim me organet e policisë, jemi shpresëplotë se trafiku do të jetë shumë i lirshëm”, - tha Enton Punavija, drejtor i Transportit në Bashki. Lidhur me trafikun e rënduar ditën e hënë në Tiranë, Punavia pranon që ka pasur trafik të rënduar, por sqaron se nuk ishte shkaku i tij skema e re e qarkullimit. “Çdo devijim trafiku, kërkon kohën e vetë që qytetarët të orientohen. Dita e hënë është një ditë që ka një ngarkesë pak më të shtuar sesa ditët e tjera, megjithatë nga konstatimet tona del se ishte një problem i menaxhimit të trafikut dhe i informalitetit. Kishte shumë mjete të tonazheve të rënda, si betoniere, kamiona, ose dhe mikrobusë, të cilët qarkullonin në zonat që prekin zonat hyrëse”, - tha Punavija. Sipas tij, çdo devijim që i bëhet qarkullimit të automjeteve në kryeqytet, studiohet me detaje, me qëllim për të lehtësuar qarkullimin dhe jo për ta rënduar atë.