Skela: “Do t’i festojmë Krishtlindjet të qetë”
Mediat gjermane dhanë vlerësime maksimale për lojën e Ervin Skelës në barazimin 1-1 me Bajer Leverkuzen, të shtunën e kaluar.
Për gazetën gjermane “Berliner Zeitung”, Skela foli edhe për suksesin ndaj një klubi të dorës së parë si Leverkuzen. “Ne pamë se edhe ndaj një kundërshtari me buxhet të madh mund të luajmë si të barabartë”. Gazeta rajonale “Lausitzer Rundschau” shkruan: “Regjisori bëri një nga lojërat më të mira të tij në këtë sezon. Ishte thuajse i pranishëm në të gjitha aksionet e rrezikshme si pasues. Dha asistin për Shaon në barazimin 1-1. Vetë Skela thotë: “Goli i vonshëm që solli dhe barazimin ishte ekstremisht i rëndësishëm për ne”. Për gazetën “Lausitzer Rundschau”, Skela dha këtë intervistë të shkurtër:
Ervin Skela, me çfarë ndjenjash shkoni në pauzën dimërore?
Me pozitive. Goli i vonshëm i barazimit në Leverkuzen ishte ekstremist i rëndësishëm për ne. Ishte tamam shumë relaksues për kokën. Kështu, ne mund të festojmë të qetë Krishtlindjet.
Megjithatë, Energi ka vetëm 13 pikë.
Janë shumë pak pikë. Kjo është e qartë. Nga ana tjetër, ne kemi luftuar për këto 13 pikë shumë fort. Ne nuk kemi pasur aspak fat në këtë sezon. Përndryshe, do të kishim katër pikë më shumë në llogari. Gjithsesi, grupi duket më i konsoliduar se një sezon më parë.
A do të ketë më shumë qetësi në skuadër në ndeshjet e kthimit?
Duhet patjetër të kemi më shumë qetësi. Por, me gjithë ato probleme që ne patëm, ne jemi ende në garë. Nëse ne do t’i zgjidhim problemet, atëherë unë nuk do të kisha më asnjë shqetësim për renditjen.
“Dream team”, UEFA zgjedh 60 kandidatët
Ashtu si çdo vit, UEFA çeli sondazhin për të ndërtuar “Skuadrën e ëndrrave të vitit 2008”, të cilët do të përcaktohen nga votat dhe të pasionuarit e tifozëve. Ky është edicioni i tetë i sondazhit, ku në atë të kaluar votuan 13 milionë persona. “Dream team” do të përfshijë të gjithë lojtarët më të mirë që luajnë në kampionatet europiane. UEFA ka përzgjedhur kandidatët, janë 60 të tillë, pesë kandidatë, ku do të fitojë një për çdo rol, plus një trajneri. Natyrshëm, që nuk mund të mungonte këtu fituesi i topit të artë Kristiano Ronaldo dhe zëvendësi i tij, Lionel Mesi. Këto “nominime” përfshijnë lojtarë nga disa kampionate. Më shumë të nominuar ka kampioni në fuqi i Europës, Mançester Junaitid, me shtatë lojtarë. Çelsi, finalist i Ligës së Kampioneve, me gjashtë. Zenit St. Petërsburg, fitues i Kupës UEFA, ka pesë lojtarë dhe po kaq ka edhe Reali i Madridit. Spanja përfaqësohet me 14 lojtarë. Janë gjithsej 20 skuadra, që kanë të paktën një lojtar. Nuk mungojnë as emrat e Balak, Tmoshuk, Arshavin. Lampardit në rolin e “trekuartistëve”, apo Riberisë, Shnajderi, Robenit në rolin e anësorëve. Nga kampionati italian janë Maikon, Zaneti e Ibrahimoviç të Interit, Kielini e Del Piero të Juventusit. Pesë janë trajnerët që ndodhen në listë. Temuri Ketsbaia i Anorthosis Famagusta, skuadra e Arian Beqajt, Fatih Terimi trajneri i Turqisë, Luis Aragones tekniku i Spanjës, Dik Advokat trajneri holandez i Zenitit dhe Aleks Sër Ferguson i Mançester Junaitid. Në faqen e UEFA-s do të votohet deri në datën 12 janar 2009 për të përcaktuar edhe skuadrën ideale.
16 Dhjetor 2008