E Diel, 1 Nëntor 2026

Ilir Meta: “Mbrojtja e Kushtetutës, luftë kundër korrupsionit kryeministror”



Lideri i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, shpalli dje zyrtarisht fillimin e fushatës për referendumin në mbrojtje të Kushtetutës. Meta tha se ky proces tashmë është i pakthyeshëm dhe synon kthimin e vendit në rrugën e demokracisë parlamentare, por njëkohësisht edhe rikthimin në rrugën e integrimit europian. Duke dënuar edhe njëherë ndryshimet kushtetuese gjatë seancës parlamentare të 21 prillit, kryetari i LSI-së deklaroi se referendumi do t’u shërbejë aspiratave integruese të vendit dhe do të ndikojë në luftën kundër korrupsionit politik dhe atij ekonomik. “Kushtetuta e vitit 1998 ka qenë reforma më e rëndësishme, më e madhe dhe më solide që është zhvilluar ndonjëherë në vendin tonë gjatë 18 viteve të pluralizmit politik. Dhe ajo që ka ndodhur më 21 prill është antireforma më e madhe që ka ndodhur në vend. Jam i bindur se procesi i referendumit do t’i shërbejë mbrojtjes së aspiratës europiane të vendit tonë dhe të gjithë shqiptarëve për arsye se do të rikthejë ndarjen e pushteteve, një parim i sanksionuar qartë në Kushtetutë dhe i cenuar nga ndryshimet e ndodhura në nenet 104 e 105, dhe te neni për zgjedhjen e presidentit. Do të ndihmojë në luftën kundër korrupsionit bërja e referendumit, sepse shfuqizimi i neneve 104 e 105, si dhe i zgjedhjes së presidentit me një shumicë të thjeshtë partiake, do të ndihmojë për rritjen e kontrollit të parlamentit ndaj qeverisë, do të ndihmojë në luftën kundër korrupsionit dhe abuzimit të çdo qeverie dhe kryeministri, aq më tepër duke pasur në konsideratë atë që është kryeministër sot dhe skandalet korruptive, të cilat nuk mbarojnë, por që sidoqoftë kulmojnë në atë të Gërdecit”, - u shpreh Meta.
Por lideri i LSI-së theksoi gjithashtu se suksesi i referendumit do të rikthejë pavarësinë e sistemit gjyqësor, që është nën kërcënimin e vazhdueshëm të kryeministrit Berisha. “Do të ndihmojë në rikthimin e pavarësisë së Gjyqësorit, i cili është cenuar në mënyrë të paprecedentë me ndryshimet e fundit kushtetuese. Do të ndihmojë në një republikë shumë më të vendosur për të respektuar votën e qytetarëve shqiptarë dhe për t’i pasur pushtetet dhe institucionet në këtë vend nën kontrollin e qytetarëve. Kështu që ky është një proces i cili jo vetëm që nuk e dëmton procesin e integrimit europian të vendit, por përkundrazi, e mbron dhe e forcon aspiratën europiane të të gjithë qytetarëve shqiptarë”, - tha Meta.

13 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›