E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ilir Meta: Stop arrogancës, Tirana ka nevojë për Lulzim Bashën

07-04-2011 / Gazeta 55

 “Tirana ka nevojë për një kryetar me vizion dhe që merret në mënyrë të pandërprerë me problemet e qytetarëve të saj. Prandaj, duhet të votoni kandidatin Lulzim Basha”. Me këto fjalë iu është drejtuar qytetarëve kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, gjatë një takimi hapës për fushatën e 8 Majit, ku ka shpallur edhe sloganin e kësaj force politike: “Ndryshimi i vërtetë për Tiranën”.
“Tirana sot nuk ka asnjë parking dhe është mbytur nga ndotja. Politika e fasadave, tashmë është shumë e vjetër. Ndaj duhet një Ndryshimi i vërtetë për Tiranën, që prek cilësisht jetën e çdo qytetari të saj”, tha Meta.
Duke shtuar më tej, se qytetarët e Tiranës, kanë nevojë për një kryetar bashkie që t’i ndihmojë për të zgjidhur problemet e tyre, pavarësisht nga interesat partiake.
“Dhe ky kryetar i ri që ata meritojnë, është Lulzim Basha”, tha më tej Meta.
Ai shtoi se Tirana është lodhur nga drejtimi arrogant i deritanishëm dhe ka nevojë për një drejtim të njerëzishëm.
“Tirana jonë dhe Tirana juaj është lodhur nga drejtimi arrogant dhe ka nevojë për një drejtim të njerëzishëm, ka nevojë për një vizion tjetër, një vizion që e do Tiranën gjithmonë të parën dhe kjo nuk mund të bëhet pa vënë të parët qytetarët e Tiranës sidomos në këtë fushatë elektorale. Ndaj unë jam i bindur se më 8 maj, me votë e të gjithë juve, me votën e të gjithë të rejave dhe të rinjve të Tiranës, me votën e të gjithë qytetarëve të Tiranës të lodhur nga politika e konfliktit dhe mllefit, të lodhur nga politika e interesave personale, do të votojnë për ndryshimin e vërtetë të Tiranës. Tirana është e para, qytetarët e saj janë të parë”, përfundoi fjalën e tij kreu i LSI-së.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›