E Shtunë, 31 Tetor 2026

“S’ka kohë për instalimin e pajisjeve të leximit të kartave të identitetit”

07-04-2011 / Gazeta 55

Apeli i Brukselit: Zgjedhjet e 8 majit, brenda standardeve të Bashkimit Evropian

Brukseli rithekson se është koha për një angazhim të të gjitha forcave politike në Shqipëri për të përmbushur 12 prioritetet e vendosura nga Komisioni Evropian. Në takimin e Komitetit të Stabilizim-Asociimit është përshëndetur progresi ekonomik, reforma buxhetore e fiskale, respektimi i kushteve për liberalizimin e vizave, por tashmë, në plan të parë del mbajtja e zgjedhjeve lokale sipas standardeve të kërkuara. Zëdhënësja e komisionerit për Zgjerimin Stefan Fyle, është shprehur se Brukseli pret që zgjedhjet të zhvillohen sipas standardeve demokratike.
“Në këtë komitet që mblidhet një herë në vit, ne diskutuam marrëdhëniet e Shqipërisë me Bashkimin Evropian. Sigurisht, përsa i përket situatës politike, ne kemi ritheksuar ato që ka thënë komisioneri Fyle gjatë seminarit të KE-së në Tiranë, që për të përmbushur kriteret e integrimit, në Shqipëri kërkohet një bashkëpunim brenda e jashtë parlamentit i qeverisë me opozitën”, tha Natasha Butler, zëdhënëse e komisionerit Fyle.
Sikurse ka komentuar ministrja e Integrimit Evropian, Majlinda Bregu, në këtë mbledhje është gjykuar gjithashtu se është e pamundur që të realizohet kërkesa e opozitës për pajisjen e të gjitha qendrave të votimit me aparate leximi për kartat e identitetit.
“Pala shqiptare bëri disa komente në lidhje me këtë kërkesë dhe komisioni i dha të drejtë që pajisja me sisteme të tilla kontrolli e të gjitha qendrave në të gjithë vendin, për zgjedhjet lokale, vetëm një muaj para mbajtjes së tyre, do të ishte e vështirë për t’u arritur”, vazhdoi më tej Butler.
Komiteti i Stabilizim-Asociimit ka diskutuar edhe për procesin e liberalizimit të vizave. Edhe pse procesi me Shqipërinë përbën një histori suksesi, sërish Komisioni Evropian thekson se duhet të vazhdojë respektimi i kritereve të parashikuara.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›