E Diel, 1 Nëntor 2026

PD-ja do të shkojë në zgjedhje me fondet që i ka akorduar KQZ

07-04-2011 / Gazeta 55

Kryeministri Berisha: Mazhoranca, fushatë në dietë, s’do lejohet shpërdorimi i asnjë aseti publik


“Fushata elektorale e mazhorancës qeverisëse do të bëhet vetëm me fondet që KQZ ka dhënë për fushatë dhe asnjë qindarke e fondeve publike nuk do të përdoret për të”. Kreu i qeverisë Sali Berisha bërë të ditur sot në mbledhjen e qeverisë e cila është fundit deri në datën e zgjedhjeve, se askush nuk do të mund të përdore makinat e shtetit për fushatë, nëse duan munda ta marrin me qira atë, siç ka bërë vetë ai. Për mazhorancën, fushata elektorale e zgjedhjeve të 8 majit, do të jetë një fushatë në dietë”. Kështu u shpreh kryeministri Sali Berisha gjatë mbledhjes së djeshme të Qeverisë, e cila është edhe e fundit para zgjedhjeve të 8 Majit. Sipas tij, në fushatë zyrtarët do të marrin pjesë me fondet e partisë, aq sa ai është, duke e ekonomizuar në maksimum. “Fushata për zgjedhjet e 8 majit, në të cilat i pari do të jetë qytetari, do të jetë në dietë, pasi ky është edhe interesi i qytetarit”, theksoi kreu i qeverisë. Duke shtuar më tej, se ky vendim paraprihet nga një tjetër, i një rëndësie të jashtëzakonshme, si ai i reduktimit të makinave të zyrtarëve të lartë. “Pjesëmarrja në fushatë, vetëm me fondet e përcaktuara për partitë. Unë personalisht i kërkova partisë që të marr me qira veturën time, dhe kjo do ndodhë me secilin prej jush”, iu drejtua ai ministrave. Përveç të tjerash, ai tha se mazhoranca shkon në zgjedhje me një kuadër ligjor të përmirësuar. “Ne kemi miratuar ligjin e financimit të partive dhe kjo është shumë e rëndësishme. Ne po nxjerrim këtë urdhër si një moment ndarje nga një praktikë e shkuar. Ai që kishte shumicën, ai kishte dhe shumicën e mjeteve, Por tani del ndryshe, SHPK ka shumicën e mjeteve, por ne do të ndjekim atë që thamë, fushatë në dietë”, tha më tej Berisha . Punonjësit e administratës publike duhet të respektojnë oraret zyrtare gjatë fushatës elektorale. Kjo ka qenë porosia tjetër që ka lënë kryeministri Berisha gjatë mbledhjes së sotme të qeverisë. “Nuk mund të ndërpresim reformat e qeverisë për një muaj, do të ishte shumë e kushtueshme, ndaj bëj thirrje që ato të vazhdojnë më tej”, tha ai. Sipas tij, vajtja tek qytetari në mënyrë sa më të thjeshtë dhe me propozime konkrete për problemet e tyre, vlen më shumë se kapardisja. Kjo përbën sipas tij, edhe një nga elementët e veçantë të kësaj fushate elektorale për mazhorancës.


Turizmi të shndërrohet në çështjen kryesore të fushatës elektorale


Kreu i ekzekutivit Sali Berisha kërkoi dje nga anëtarët e kabinetit të qeverisë të ndjekin nga afër përgatitjet për sezonin e ri turistik. Duke trajtuar turizmin si një ndër çështjet kryesore në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, Kryeministri theksoi se këtë vit, Shqipëria është shpallur destinacioni kryesor turistik dhe ne duhet t’i përgjigjemi me përgjegjësi të gjithë atyre që do të zgjedhin Shqipërinë për pushimet e tyre. Kryeministri tha që fushata elektorale nuk duhet të shpërqendrojë vëmendjen nga sezoni turistik, por të nxisë e frymëzojë edhe më shumë për ta shndërruar turizmin në çështje kryesore. “Ne jemi në një moment shumë të rëndësishëm, kur të gjithë jemi në fushatë dhe kemi shans të trajtojmë në interesin më të mirë të vendi një nga problemet më të rëndësishme që është sezoni turistik, i cili është shndërruar në një levë jashtëzakonisht të rëndësishme të ekonomisë shqiptare dhe reputacionit të vendit”, u shpreh kryeministri.   Berisha përcaktoi disa nga problemet më kryesore, ku duhet të përqendrohet vëmendja dhe angazhimi maksimal: mbetjet urbane, zhurmat,  kontrolli dhe ndalimi i derdhjes së ujërave të zeza në det. “Unë kërkoj nga ju që aty ku jeni, pasi e di që jeni të ngarkuar në zona të caktuara, vështrimi i përgatitjeve për turizmin të jetë çështja më parësore. Zgjidhjet imediate dhe parashikimet afatgjata duhet të jenë objektiv i kësaj fushate. Të mos harrojmë se ky është viti, në të cilin Shqipëria u shpall destinacioni kryesor turistik, nga ajo guide dhe agjencia, për të cilën parmbrëmë po lexoja, konsiderohet si bibla e guidave turistike të botës. Një agjenci ndër më gjigandet e transportit detar për herë të parë ka përzgjedhur Durrësin si një nga destinacionet më kryesore dhe ky lajm ka ushtuar në të gjithë botën. Ka përzgjedhur Durrësin si destanacion kryesor të saj, siç ka Hong Kongun dhe disa destinacione më kryesore. Fushata është fushatë, por të punojmë me përkushtim të madh në çdo mjedis, për të paraqitur një Shqipëri krejtësisht tjetër”, u shpreh kryeministri Berisha.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›