Ilir Meta: Të miratohet pa humbur kohë reforma parlamentare dhe Gjykata e Lartë
Kreu i LSI-së: KQZ do të drejtohet nga një grua? Ogur i mirë për zgjedhjet e vitit 2013, vizita e Panaritit në Greqi e suksesshme
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, vlerëson si të suksesshme vizitën e Ministrit të Jashtëm, Edmond Panariti, në Greqi, duke theksuar se, kjo vizitë do të kontribuojë për një stad të ri të marrëdhënieve mes dy vendeve tona, për stabilitet, paqe dhe integrimin europian të rajonit tonë.
Në një konferencë për shtyp, Ilir Meta theksoi se gjatë kësaj vizite janë trajtuar të gjitha çështjet, ato që konsiderohen të vështira e të mbartura nga e kaluara, por edhe çështje që kanë të bëjnë me progresin e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe me kujdesin ndaj qytetarëve, në mënyrë të veçantë për lehtësimin e komunikimit dhe bashkëpunimit për shkak të pengesave e vështirësive të ndryshme, kryesisht në fushën e transportit dhe patentave.
Lidhur me çështjen tepër të debatuar për një kohë të gjatë atë të kufirit detar mes dy vendeve, Meta theksoi se, qëndrimi i Ministrit të Jashtëm ka qenë parimor e transparent, ashtu sikurse në Tiranë.
“Kjo çështje do të zgjidhet në respekt të ligjeve kombëtare e ndërkombëtare, në transparencë të plotë të Kushtetutës së vendit, të vendimit të Gykatës Kushtetuese dhe ligjeve ndërkombëtare”, tha ai.
Ndërsa, ngritjen e çështjes çame dhe pronave të shqiptarëve në Greqi, në të gjitha takimet zyrtare dhe përpjekjet për zgjidhjen e kësaj çështje, e cilësoi si një tjetër hap të rëndësishëm për të theksuar në mënyrë parimore marrëdhëniet mes dy vendeve.
Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, shprehu vlerësimin për kërkesën e ministrit Panariti për abrogimin përfundimtar të një ligji absurd të luftës me Shqipërinë. “Ky është një tjetër hap i rëndësishëm për të larguar hijet e së kaluarës nga marrëdhëniet mes dy vendeve, të cilat duhet të jenë marrëdhënie të ngushta të bashkëpunimit në emër të një të ardhmeje të përbashkët mes dy vendeve tona dhe për të gjithë qytetarët”, u shpreh Meta.
I pyetur nga mediat lidhur me drejtimin e KQZ-së nga një grua, Meta tha se, “drejtimi i KQZ-së nga një grua besoj se do të jetë ogur i mirë për zgjedhjet e 2013 dhe për të gjitha zgjedhjet që do të vijnë gjatë këtij lidershipi të ri të KQZ-së. Lidhur me rregulloren e procedurave parlamentare dhe projektligjin për Gjykatën e Lartë, dy kërkesa të rëndësishme të Brukselit për t’i akorduar Shqipërisë në mënyrë të konsoliduar statusin e vendit kandidat, ato nuk po realizohen për kapriçio të dëmshme, të cilat nuk na ndihmojmë të ecim më shpejt në rrugën e integrimit evropian”, përfundoi deklaratën kreu i LSI-së.