E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vendimi, hapja e dosjeve dhe dekretet do të votohen brenda korrikut



Konferenca e Kryetarëve në Kuvend u mblodh ditën e djeshme paradite me dyer të mbyllura ku vendosi që brenda këtij sesioni do të votohen në Kuvend projektligji për pastrimin e figurave si dhe dekretet e Presidentit të vendit. Pavarësisht se kanë mbetur edhe dy javë nga mbyllja e punimeve të Kuvendit, pasi në gusht nisin pushimet 40-ditore, Konferenca e Kryetareve ka vendosur që brenda këtij sesioni, këto projektligje të rëndësishme duhet të votohen në Kuvend. Në Kuvend tashmë janë pesë nisma ligjore për sa i përket hapjes së dosjeve, të cilat kërkojnë një kohë të konsiderueshme për t’u diskutuar si dhe gjashtë dekretet e Presidentit Topi për gjashtë emra të rinj në Gjykatën e Lartë. Shqyrtimi i dekreteve do të kërkojë një kohë të përshtatshme disajavore, pasi fillimisht do të diskutohet për kriteret ligjore, do të priten informacionet që do të vijnë nga institucionet e ndryshme, do të bëhen seanca dëgjimore me secilin prej gjashtë kandidatëve si dhe do të hartohet një raport që do t’i shkojë Kuvendit. Konferenca e Kryetarëve vendosi që komisionet përkatëse parlamentare të punojnë maksimalisht që të mbyllin shqyrtimet e projektligjeve brenda afatit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›