Zef Preçi: “Hapja e pjesshme e kutive, fitore për të dyja palët”
Autori i Lajmit: S. TopiZef Preçi, analist
“Hapja e pjesshme e kutive, fitore për të dyja palët”
Ndërkombëtarët vazhdojnë të shprehin shqetësimin e tyre për zgjidhjen e krizës politike në Shqipëri. Zëvendëspresidenti i PE-së, Rouçek, gjatë një takimi të zhvilluar me zotin Rama dha si alternativë të mundshme zgjidhjeje dhe hapjen e pjesshme të kutive. Si e shikoni këtë variant?
Shqetësimi ndërkombëtar në lidhje me tryezën e kësaj fundjave nga ana e presidentit Topi, si pika e kthesës në kapërcimin e krizës aktuale politike, ka të bëjë me një numër faktorësh. Të tillë janë: qëndrimet “e palëkundura” të palëve të shprehura në formën e kushteve të panegociueshme në lidhje me (mos)hapjen e kutive të votimit; kriticizmi i opozitës ndaj qeverisë dhe vazhdimi nga ana e kësaj të fundit të fushatës së sulmeve ndaj Ramës, etj. Nga ana tjetër, mendoj se palët, sidomos opozita, është qartësuar tashmë se rrugëzgjidhjet e krizave, edhe në një rast të provokuar artificialisht si kjo e sotmja, duhen zgjidhur nga vetë aktorët kryesorë politikë të vendit dhe në çdo rast brenda kontekstit institucional dhe kushtetues të vendit. Pesë-gjashtë muajt e fundit provuan edhe se bojkoti i Kuvendit nga ana e përfaqësuesve të PS-së nuk ka gjetur mbështetje të mjaftueshme brenda vendit siç pritej, madje as jashtë tij dhe, nëse Rama e shtyn qëndrimin jashtë Kuvendit deri në afatin kushtetues të “djegies” së mandateve të deputetëve të PS-së, shtohet rreziku jo vetëm i izolimit ndërkombëtar të forcës së tij politike, ndërsa vendit i ofrohet një krizë institucionale me pasoja të rënda në procesin e integrimit evropian të tij. Në këto kushte, duket se ai po kërkon një “modus operandi” për ta nxjerrë PS-në nga kjo situatë ku ai e kishte futur vetë fill pas zgjedhjeve të 28 Qershorit 2009, kur objektivat e tij duket se përgjithësisht janë realizuar. Kështu ai e konsideron veten “legjitimisht” në krye të PS-së (askush në këtë forcë politike nuk konteston më mënyrën se si “rrëmbeu” një mandat të plotë në krye të saj); arriti të ruajë formalisht unitetin e “rreshtimit” pro bojkotit të Grupit Parlamentar të opozitës; rifilloi marrjen e pozicioneve opozitare ndaj Qeverisë (ndonëse me argumente dukshëm të konsumuara); si dhe po tenton të riparojë disi imazhin e dëmtuar të PS-së në sytë e ndërkombëtarëve për shkak të bojkotit parlamentar të paargumentuar ligjërisht dhe kushtetueshmërisht. Ndoshta në këtë kontekst të fundit duhet parë edhe vizita “blitz” në Strasburg e Ramës dhe dërgatës së tij. Për sa i takon deklaratës se Rouçek, zëvendëspresidenti i Parlamentit Evropian dhe përfaqësues i grupit socialist në atë institucion (PE), të artikuluar në media sot, mendoj se nuk ka vend për koment. Kjo sepse i njëjti zyrtar i lartë i PE-së në mesin e janarit të këtij viti në takimin me Kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, pati deklaruar në media se "… jam kundër çdo bojkoti. Në një demokraci ne zhvillojmë zgjedhje, ndonjëherë fiton, ndonjëherë humb, por duhet të pranosh rezultatin. Parlamenti është zemra, është qendra e demokracisë". Kjo jo se
qëndrimet individuale politike për çështje të caktuara nuk ndryshojnë, por se qysh nga ai takim në ditët e sotme është miratuar një rezolutë e PE-së që përcakton qëndrimet institucionale të PE-së. Dmth, duke e marrë të mirëqenë këtë deklaratë, nuk besoj se do të sjellë ndonjë ndryshim në cedimin e Berishës nga pozicioni i tij i moshapjes së kutive të votimit. Sidoqoftë, deklarata për “ofrimin si alternativë të mundshme zgjidhjeje të krizës edhe hapjen e pjesshme të kutive”, siç u bë e ditur dje nga disa media të këtushme, duhet parë në kontekstin e varianteve të shumta që nxjerr “pa lagur” të dyja palët. Por më shumë kjo deklaratë i vjen në ndihmë Ramës në rastin e një “dështimi të paralajmëruar” të tryezës së Topit, gjë që uroj të mos ndodhë. Sipas mendimit tim, çështja nuk duhet parë si një distancë në qëndrime midis Ramës dhe Berishës, pasi historia e marrëdhënieve të tyre gjatë 4-5 viteve të fundit ka provuar të kundërtën… Duhet të jemi të qartë: hapja e kutive në mënyrë të pjesshme (vetëm disa syresh) dhe administrimi i dokumenteve ligjore të administrimit të procesit zgjedhor, pa kryerjen e rinumërimit të fletëve të votimit që gjenden në to, nuk kërkon ndonjë procedurë të hetimit parlamentar dhe as mund të justifikojë qëndrimin jashtë Kuvendit për gjashtë muaj të deputetëve të zgjedhur nga populli në listën e PS-së. Ajo është parashikuar shprehimisht në nenin 178, pika 6) të Kodit Zgjedhor në fuqi: “Me marrjen e kutive të votimit dhe fletëve të votimit të papërdorura dhe pas përfundimit të afatit për ankimet, sipas këtij Kodi, KQZ-ja hap të gjitha kutitë e votimit, nxjerr procesverbalet e votimit, si dhe tabelat dhe procesverbalin e numrit të fletëve të votimit dhe ia dërgon ato Arkivit Qendror të Shtetit në mënyrën e caktuar prej tij. Të gjitha fletët e votimit dhe kundërfletët digjen nën mbikëqyrjen e KQZ-së”. Dmth, ky proces do të kryhet automatikisht në zbatim të ligjit zgjedhor edhe pa krijimin e “Komisionit Rama” për zgjedhjet e fundit parlamentare. Duke mos e përjashtuar si një variant, tashmë të sqaruar mediatikisht në detaje nga Kastriot Islami, personalisht e shoh si pjesë të skemës midis PS-së dhe PD-së në formatin “ëin-ëin” (fito : fito), e cila do të mund tu ruante “fytyrën” (por edhe pozicionet të dyja palëve), duke shënuar kështu një hap përpara drejt normalizimit të jetës politike parlamentare në vend. Unë nuk besoj se PD-ja do të “lëshojë pe” duke lejuar rinumërimin e fletëve të votimit, mbasi kështu do të rrëzohej tërësisht gjithë mbrojtja institucionale e kushtetuese e pozitave të saj në raport me kërkesën ultimative dhe konsekuente të Ramës për hapjen e kutive.
Një tjetër mundësi që duket se mund të gjejë dhe mbështetjen e demokratëve është hapja e kutive, por hetimi vetëm i materialeve zgjedhore dhe jo i fletëve të votimit. Mund të jetë kjo zgjidhje?
Mendoj se duhet të dallojmë qartë dy lloj zgjidhjesh: zgjidhje që lidhen me funksionimin e institucioneve duke filluar me Kuvendin (Shqipëria formalisht vazhdon të jetë një republikë parlamentare), me kryerjen e reformave integruese që përshpejtojnë afrimin e vendit me BE-në, reforma të cilat domosdoshmërisht kalojnë nga Kuvendi. Për këto zgjidhje janë të interesuar në radhë të parë qytetarët shqiptarë, por edhe pjesa e përgjegjshme e politikës dhe përfaqësuesit e institucioneve ndërkombëtare dhe përfaqësitë
diplomatike të akredituara në Tiranë, të cilët kërkojnë dhënien fund të bojkotit dhe vendosjen e opozitës në pozicionin kushtetues që i dhanë zgjedhjet e 28 Qershorit 2009. Zgjidhjet e tjera, duke përfshirë edhe variantin që ju citoni si “një zgjidhje”, më shumë se përgjigje ndaj ngërçit politik në Kuvend, mendoj se janë instrumente në duart e zotit Rama dhe zotit. Berisha në lojërat politike ndërmjet tyre. Debatet e djeshme në Kuvendin e Shqipërisë - përdorimi politik i radhës i fatit të viktimave të mizorisë komuniste - tingëllonte si një paralajmërim për rrezikimin e tryezës së zotit. Topi, ndonëse në garantimin e kësaj të fundit janë angazhuar gjerësisht trupi diplomatik në Tiranë dhe institucionet përfaqësuese të BE-së dhe ShBA-ve. Ndërsa mbështetja e deklaruar publikisht për zotin Topi dhe thirrja e përsëritur e ambasadorëve të SHBA-vë, Britanisë së Madhe, presidenca e BE-së, etj., për një zgjidhje të shpejtë të ngërçit politik aktual brenda kuadrit kushtetues të vendit, duhet “lexuar” edhe si një paralajmërim për pasojat mbi palën që mund të rrezikojë arritjen e mirëkuptimit të pritshëm Berisha-Rama në tryezën e ditës së shtunë.
Zgjedhjet e parakohshme mund të shihen si alternativa e mundshme e fundit të tryezës së thirrur nga presidenti Topi?
Nisur nga prerogativat kushtetuese në fuqi, sidomos mbas ndryshimeve të vitit 2008 në Kushtetutën e vendit tonë, kjo tryezë dhe as vetë presidenti Topi nuk kanë ndonjë rol institucional për të luajtur në drejtim të ideimit dhe të realizimit të zgjedhjeve të parakohshme. Kushtetuta e vendit parashikon një mori mekanizmash procedurale dhe hapash institucionale që kanë në qendër Kuvendin e Shqipërisë, duke përfshirë edhe vetëshpërndarjen e këtij të fundit…
Duke marrë në konsideratë mbështetjen politike që gëzon aktualisht zoti Berisha në krye të mazhorancës PD-LSI (e shprehur në numër deputetesh), si dhe faktin se qeveria e tij funksionon normalisht, në kushtet e mungesës së opozitës në institucionet e shtetit të së drejtës, mendoj se zgjedhjet e parakohshme as kanë motiv kushtetues, as nuk duket se ka ndonjë shqetësim ndërkombëtar për “bllokim të sistemit” që mund të zgjonte idenë e mbajtjes së tyre. Më shumë se një mundësi potenciale e dëshirueshme nga çdo
opozitë demokratike në botë, ky opsion është thjesht një pjesë e “lojës politike” të zotit Rama për të mbajtur “në rresht” militantët dhe për të vazhduar më tej në axhendën dhe ambicien e tij politike. Në kuadrin e përgatitjeve për tryezën e kësaj fundjave, presidenti Topi ka
demonstruar një angazhim maksimal dhe ky është, pa dyshim, edhe rasti për një ridimensionim pozitiv të pozitës së tij institucionale të zbehur jo pak nga ndryshimet kushtetuese të prillit 2008. Pavarësisht kësaj, të gjitha opsionet për një arritje modeste, pa përjashtuar variantin minimal: “PD dhe PS u takuan dhe… ranë dakord për tu takuar përsëri”, janë mbi tavolinë…
Ky lajm është publikuar: 12/02/2010