E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Iliria”, vepra e radhës kushtuar poetit Ndre Mjeda

Autori i Lajmit: red.
Studiuesi i njohur shkodran, Mentor Quku, ka prezantuar dje librin “Iliria”, një vepër e radhës kushtuar poetit të njohur të Rilindjes Kombëtare, Ndre Mjeda, seria e të cilave siç ka premtuar autori “do të arrijë në më shumë se 10 volume”. Promovimi i librit, nën kujdesin e bibliotekës së universitetit “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës, në bashkëpunim me Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve shkodranë, përkoi me 70-vjetorin e lindjes së studiuesit Quku, dhe në një farë mënyre aktiviteti i djeshëm shërbeu dhe si një moment për prezantimin e krijmtarisë së tij. Arjeta Ferlushkaj, punonjëse pranë bibliotekës austriake të Universitetit të Shkodrës, solli për të pranishmit pjesë nga karriera e tij, ku Quku dallohet sidomos për periudhën dhjetëvjeçare të drejtimit të Muzeut të Shkodrës, gjatë së cilës ishte dhe organizator i seminarit ndërkombëtar “Shkodra në shekuj”. Ndërkohë, ai spikati dhe për një sërë studimesh dhe botimesh në fusha të ndryshme të dijes, që lidheshin me profesionin e tij bazë, si në metodikën e dhënies së mësimit, pedagogji familjare, pedagogji shkollore, pedagogji sportive, tekstologji, psikologji të arteve figurative, psikologji sportive, psikologji të moshave dhe shumë botime të ndryshme që kanë zgjuar interes në opinion. Por, mbi të gjitha ajo që e ka bërë shumë të njohur Mentor Qukun është studimi në hollësi i veprës së Ndre Mjedës, për të cilin ka organizuar kërkime në Shqipëri, Arkivin Qendror të Shtetit, Arkivin e Qarkut Shkodër, Arkivin e Muzeut Historik Shkodër, Bibliotekën Kombëtare, Bibliotekën Marin Barleti , Shkodër, bibliotekën e universitetit ”Luigj Gurakuqi” Shkodër, bibliotekën e Durrësit; për të vijuar në Kosovë me Arkivin Kombëtar, Arkivin e Bashkisë së Prizrenit, Arkivin e Arqipeshkvisë së Prizrenit, etj. Për të thelluar studimin ndaj veprës së Mjedës, Quku ka bashkëpunuar jo pak dhe me Bibliotekën Nacionale të Austrisë, me Arkivin e Universitetit të Vjenës, me Muzeun Nacional të Vjenës, bibliotekën e Universitetit të Gracit, Arkivin Propaganda Fides, me Arkivin e Jezuitëve Romë, Arkivin e Bibliotekës së Hamburgut si dhe në Francë, Poloni, Danimarkë, Spanjë etj. Për të gjitha këto, Quku është laureat i çmimit letrar “Serembe 2008”. “Mentor Quku u ka premtuar lexuesve botimin e 10 vëllimeve për Mjedën, në mos edhe më shumë. Nuk janë pak. Ai është i vetëdijshëm për atë që ka marrë përsipër dhe se kjo punë zakonisht bëhet me grupe njerëzish. Por, ai po ia del më së miri ta kryejë këtë detyrë edhe i vetëm. Kur ia permend përgjegjësinë që i ka ngarkuar vetes, menjëhere përmend Mjedën dhe mbushet me energji. Kjo i jep forcë për të ecur para, pa u ndalur dhe me vetëbesim të madh”,- u shpreh shkrimtari i njohur, Fadil Kraja. Nga të dhënat që ofroi referuesja Arjeta Ferlushkaj, drejtuesja e këtij aktiviteti, studiuesi Mentor Quku nga seria “MJEDA” ka nxjerrë në qarkullim, Mjeda-1 (1866-1888) Rinia, Mjeda-2 (1888-1899) Albanologu, Mjeda-3 libri i parë (1899-1912) Alfabeti, Mjeda-3 libri i dytë (1899-1912) Lirija, Mjeda-7 (Bashkëkohësit), ndërkohë që këto ditë do të shkojë për shtyp vëllimi i gjashtë i serisë, i cili ka titullin ”Mjeda-4 (1912-1925) Politikani”. Ndërkohë, brenda një viti do të dalin nga shtypi dhe dy vëllimet e fundit, Mjeda-5 (1925-1937) Gjuhëtari dhe Mjeda-6, Bibliografia. Por, studiuesii Quku synon që brenda pak vitesh të përgatisë dhe botimin e veprës së Mjedës në disa vëllime të veçanta, si poezia, proza, vepra studimore (folklor, mitologji, gjuhësi, leksikografi), ndërkohë që ai prej vitesh po punon për gjetjen e fotove, dorëshkrimeve, autografeve dhe relikeve të Mjedës, të cilat do t i botojë në një katalog fotografik. Një projekt tjetër është dhe botimi në anglisht i një përmbledhjeje të eseve të tij mbi jetën dhe veprën e Mjedës. Duke përshëndetur të pranishmit në prezantimin e librit të tij të radhës, studiuesi Quku tha se “e ndien detyrim të përcjellë mirënjohje për të gjithë ata që e ndihmuan dhe vazhdojnë ta ndihmojnë në këtë punë të madhe e jo pak të lodhshme që ka marrë përsipër”. “Gjithçka ua detyroj prindërve, familjes, miqve e dashamirësve të shumtë. Por, njëkohësisht falënderoj dhe Mjedën, sepse duke u marrë me të kam gjetur lumturinë”, - përfundoi studiuesi 70-vjeçar.

Ky lajm është publikuar: 21/01/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›