E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në trevjetorin e ndarjes nga ne të Presidentit të parë të Kosovës, dr.Ibrahim Rugova

Autori i Lajmit: red.
Në trevjetorin e vdekjes së të madhit, arkitektit të pavarësisë së Kosovës dhe Presidentit të parë të Kosovës, dr.Ibrahim Rugova, më duhet të ndalem dhe të mendoj para se të shkruaj disa rreshta dhe të kujtoj shumë nga thëniet e tij të shtrenjta e të cilat në çdo moment i kujtoj. Ibrahim Rugova ishte vizionari i së sotmes. Këtë që ne sot po e gëzojmë ai e kishte parashikuar para 20 viteve. Ai ka bërë që vuajtjet e shqiptarëve kosovarë sot të shpërblehen me atë që na takonte qysh në vitin 1912. Andaj mosprezenca e tij në Kosovën e Pavarur është një mungesë, pikëllim, dëshpërim, por mbi të gjitha emri i tij është vetë Pavarësia-Epoka e Rugovës. 21 janari i vitit 2006 ishte një ditë e cila asnjëherë nuk mund të zëvendësohet me ndonjë moment që do të më thyente mendjen e të mendoj diç tjetër përpos porosive të tij të urta me shumë shije të thurura nga një njeri i urtë që edhe botës i fali shembull se si me paqe fitohet ajo që e meriton. Presidenti Rugova çdoherë çmoi kontributin e secilit duke mos anashkaluar aftësitë dhe meritat e askujt që donte të kontribuonte në çështjen e cila ishte ideal për të gjithë shqiptarët, Pavarësia e Kosovës. Presidenti për çdo festë diti të urojë qytetarët që sot, për fat të keq, s kam një kalibër të përafërt, i cili edhe pse gjendemi në kohë më të mira, s mund të gjejë fjalë e as të krijojë hapësirë për afrimin e kombit. Sot Kosovës më shumë se kurrë i mungon një president që përfaqëson unitetin e popullit. Kosova pati fatin që të ketë një prijës që me mençurinë e tij arriti Kosovën ta miqësojë me shtetet më demokratike në botë, arriti që me punë të krijojë marrëdhënie shumë të forta e siç thoshte ai - të përhershme me miqtë tanë, Amerikën. Rugova ishte Luftëtar i Politikës moderne, gjithashtu ky njëherësh ishte Misionar i Paqes, për të cilin gjithë bota i bëri nderimet më të larta. Ishte ai, i cili me politikën e tij paqësore arriti çështjen e Kosovës ta ndërkombëtarizonte dhe ta fuste në axhendën e qendrave botërore të vendosjes, përkundër vështirësive e barrierave që ka hasur gjatë karrierës së tij politike. Figura më e ndritur në njëvjetorin e pavarësisë së Kosovës.... respekt për punën e palodhshme të Dr. Ibrahim Rugovës.

Gani Geci
(Autori është deputet i Parlamentit te Republikës së Kosovës)
Ky lajm është publikuar: 21/01/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›