E Diel, 1 Nëntor 2026

Ushtria e shtetit më të ri me popullatën më të re në botë

Autori i Lajmit: red.
Xhevat Rexhaj

Muajt dhe vitet shkojnë me shpejtësi marramendëse. Në historinë e popujve të ndryshëm ka data dhe muaj që lënë ngjyra për ardhmërinë. Në jetën e SHBA-së muaji janar është një muaj kur sytë jo vetëm të amerikanëve, por të tërë botës orientohen nga SHBA, sepse aty në mënyrën më demokratike ndërrohen presidentët. Te ne shqiptarët muaji janar është një muaj që na sjell shumë dhimbje, sepse kemi data ku kemi humbur figura të mëdha kombëtare. Pra në janar të shekujve dhe viteve të ndryshme kemi humbur princër, mbretër, president dhe shumë heronj dhe atdhetarë me përmasa të mëdha kombëtare. Ne shqiptarët i kemi përkujtuar dhe do t i përkujtojmë ata që dhanë shumë për kombin shqiptar. Mirëpo jeta nuk do të ishte zhvillim interesant sikur të mos ndodhnin edhe gjëra dhe data të tjera që do të sjellin edhe gëzime në muaj të caktuar. I tillë do të jetë tani e tutje edhe janari, pra në janarët e ardhshëm shqiptarët në përgjithësi do të kenë datë historike, ku ata me krenari do ta kujtojnë. Pikërisht sonte, pra në përfundim të datës 20 dhe fillim të datës 21, në orën 24.00 në mesnatë do të zyrtarizohet me aminin e Mikut tonë më të madh SHBA-së dhe miqve tjerë që na kanë pranuar, USHTRIA E REPUBLIKËS SË KOSOVËS ( FSK). Prej nesër shteti i ynë e merr edhe formatin përfundimtar, e rrumbullakon dhe e finalizon shtetësinë e vet, prej nesër Republika e Kosovës ka forcat e veta të armatosura, prej nesër populli i Kosovës ka ombrellën e vet që do ta mbrojë nga ajri dhe nga toka, ka pasardhësit e një ushtrie që u formua në luftë dhe së bashku me aleatin e madh NATO e çliroi Kosovën. Prej sot unë nuk kam hamendje se nuk do të ketë kurrë më “Kosova Veriore” dhe pjesa tjetër, jo Kosova është dhe do të jetë e tërë. Nuk ka se si të mos i falënderohemi vullnetit dhe angazhimit të gjithë atyre që u desh të transformohen nga UÇK së pari, në TMK dhe tani të jenë pjesë e një shtylle kryesore të shtetit, me këtë u rrumbullakua dhe u finalizua shteti demokratik dhe sovran, Republika e Kosovës, duhet falënderuar të gjithë ata që nuk do jenë pjesë aktive në Ushtrinë tone, ama ata moralisht janë ushtarë dhe oficerë të Republikës së Kosovës. Unë, pa marrë parasysh bindjet e mia politike, ndiej kënaqësi të veçantë për këtë akt zyrtarizues, gjithherë do të përulem si çdo qytetar i Kosovës para kësaj Ushtrie, kjo do të jetë pjesa dhe struktura më vitale e shoqërisë sonë, kjo ushtri do të jetë në aleancë dhe së shpejti anëtare e aleancës ushtarake NATO, aty ku po futet vëllai ynë, Shqipëria, sa kënaqësi. I lumi ai shqiptar që në një apo mënyrën tjetër ka kontribuar që Kosova të jetë shtet dhe ta ketë ushtrinë e vet, për mua është mrekulli kjo ndodhi. Me këtë rast unë si qytetar i thjeshtë i shtetit tim përgëzoj nga zemra Komandantin e parë të kësaj Ushtrie, ministrin dhe të gjitha institucionet shtetërore, tërë oficerët dhe ushtarakët, përgëzoj tërë popullin e Kosovës dhe dëshiroj bashkëpunim të mirë të ndërsjellë, Kosova ka uniformën ushtarake, me fat.

Ky lajm është publikuar: 21/01/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›