E Diel, 1 Nëntor 2026

Ilirian Dida edhe një vit burg më tepër për falsifikim

05/05/2005  Pas vendimit të gjykatës së Beratit, shkon në 5 vjet dënimi i ish-kryepolicit

BERAT - I është dashur të udhëtoj për të dytën ditë drejt qytetit muze ish-komisarit të Beratit, Ilirjan Dida, i cili dje ka qenë i ulur para togave të zeza për një tjetër çështje në gjykimin e radhës. Madje, dje ish-kreu i policisë ka dëgjuar me vëmendje vendimin që ka dhënë në seancën e fundit gjyqtarja e çështjes Edlira Pjetri, e cila pas gati 12 seancave gjyqësore, për një vit gjykim ka vendosur të bashkoj dy gjykimet, atë të dënimit që komisari mori dënimin me 4 vjet burg dhe vendimin e djeshëm me 1 vit burg, duke e dënuar përfundimisht ish-kreun e policisë të Beratit me 5 vjet burg. Përfundimisht ish-drejtori i policisë së Beratit, Ilirjan Dida, do të vuaj plot 5 vjet heqje lirie në burgjet shqiptare.

Ky ka qenë vendimi që atij i është komunikuar dje paradite nga Gjykata e Faktit në Berat.

Dida ka mëse një vit që hetohet nga kjo gjykatë për akuzën e “falsifikimit të dokumenteve, të stampave dhe të vulave shtetërore”, vepër penale kjo e parashikuar nga neni 190 e 136/2 i Kodit Penal.

Pas më shumë se 10 seancave gjyqësore, Gjykata e Beratit ka bashkuar dënimin me 4 vjet burg të dhënë nga gjykata e Gjirokastrës për akuzën e ‘mitmarrjes” me atë të falsifikimit të dokumenteve, të stampave dhe të vulave shtetërore. Dënimin këtë radhë në gjykatën e faktit të Beratit ish-komisari Dida e mori për falsifilimin e dokumenteve të një benci privat, të cilat ai e ka shitur në Elbasan, gjatë kohës që kryente detyrën e drejtorit të Policisë në Berat. Kjo autoveturë ka rezultuar e vjedhur dhe është sekuestruar nga policia shqiptare.

Një ditë më parë, në të njëjtin gjykim, Ilirjan Dida, u akuzua zyrtarisht për vrasjet e shtetasve Dritan Zhupa dhe Gjergji Gushali. Akuzat Didës iu bënë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Përfaqësuesi i kësaj strukture, Altin Malltezi, kërkoi masën e sigurisë “burg pa afat” për Didën, deri në përfundimin e plotë të hetimeve për vrasjet e kryera në tetor-nëntor 2001.

Vrasjet, për të cilët Dida është akuzuar, janë kryer në kohën kur ai mbante detyrën e numrit një të policisë së Beratit. Dida, përveç akuzës së dy vrasjeve, duhet të përgjigjet edhe për kryerjen e veprës penale të armëmbajtjes pa leje.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›