E Diel, 1 Nëntor 2026

Musho: Unë s’e kam vrarë Irenën

05/05/2005  Bashkëshorti: Ka pasur proteza, të cilat i ka vënë në Shqipëri

Unë i kam ndjekur lajmet e këtyre dy ditëve nga Shqipëria, ka thënë Agim Musho mbrëmë. Kam marrë vesh se është gjetur një kokë e prerë gruaje. Ai pohon se do të jetë i gatshëm të japë ndihmën e tij, sigurisht, nëse kjo i kërkohet nga grupi hetimor.

Në Durrës është gjetur një kokë e prerë gruaje, që ka dhe një goditje plumbi. Dyshohet se është e Irenës?

Kam dëgjuar nëpërmjet shtypit. Më vjen mirë që policia dhe prokuroria e kanë gjetur kokën e Irenës. Por duhet të gjejnë edhe trupin.

Besoni se e vrara është ish-gruaja juaj?

Unë kam ardhur në Shqipëri më 2 shkurt. Që nga ajo ditë dhe derisa jam larguar kam pasur shumë agjentë policie dhe oficerë të shërbimeve sekrete që më gjurmonin. Unë nuk e kam vrarë Irenën, nuk kam pasur si ta bëj këtë gjë. Hetuesit e dinë mirë këtë gjë, pasi isha në survejim të plotë.

Do dëshmoni për të ndihmuar hetimin që të mundësohet identifikimi?

Po, do të bëj këtë gjë, ndonëse nuk kam fort besim, pas atij qëndrimi disamujor në Shqipëri.

Ka pasur Irena protezë dhëmbësh?

Po, ka pasur. Unë i mbaj mend me datë dhe ditë të caktuar, kur ajo ka bërë rregullimet e dhëmbëve. Protezat, në pjesën e sipërme apo të poshtme të gojës. Di emrin e dentistëve ku ajo ka bërë mjekimet dhe vënien e dhëmbëve. Këto do i deklaroj të gjitha me detaje.

Janë bërë në Gjermani?

Jo, janë bërë në Shqipëri. Kjo do të dalë shumë shpejt dhe unë do të sjell të gjitha provat për këto pretendime. Por, kam frikë se vrasja është bërë nga persona që unë kam akuzuar gjithnjë gjatë qëndrimit tim në Shqipëri.

Sot një dentist në morg për verifikimin e protezës

TIRANË- Koka e gjetur në Jubë-Sukth është mbyllur në një kuti të izoluar dhe tashmë gjendet në frigoriferët e Morgut të Tiranës. Që në orën 07.00 të ditës të djeshme, ajo u soll nga ekspertët e Durrësit dhe do të hapet sot në mëngjes, me urdhër dhe prani të krerëve të Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe të Mjekësisë Ligjore. Komisioni do të ekzaminojë me imtësi këtë kokë gruaje, me inde të buta, kapëse dhe fjongo pas dhe një plumb të depërtuar me hyrje nga prapa kafkës e dalje në pjesën ballore të saj. "Kemi të bëjmë me një rast tepër specifik. Konfirmojmë se kafka është ndarë nga trupi, pasi ka marrë fillimisht një plumb dhe është prerë ç’njerëzisht", thanë dje për gazetën "Metropol" mjekët eksperto-ligjorë. Procedurat që do të kryhen sot konsistojnë në ekzaminimin e plotë të pjesëve të nofullave e specifikisht rishikimi i mundësisë së ndonjë ndërhyrjeje në dhëmbët e viktimës, para vrasjes, apo të ndonjë proteze. Për këtë qëllim, sot do të paraqitet në morg edhe një dentist i specializuar. Skaneri i kafkës do të shpërdahet në laboratorët përkatës, ndërsa flokët përbëjnë një mjet të vlefshëm për identifikimin e viktimës. ADN-ja, sipas fjalëve të mjekëve, do të dërgohet urgjent në Itali, me qëllim që kthimi i rezultateve prej andej të korrespondojë me rezultatet paralele dhe verifikimet në Tiranë. Burime nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, e cila do të ndjekë hap pas hapi rezultatet e hetimeve, thanë se nga të gjitha verifikimet paraprake po kryhen në pistën e Irena Selit, të zhdukurës së 16 dhjetorit të vitit të kaluar, ndërkohë që provat janë mbledhur para dy ditësh nga Prokuroria e Durrësit.

Në vendin e ngjarjes edhe saçme të armëve të gjahut

Policia e Qarkut Durrës, fare pranë vendit ku është zbuluar koka, e menduar e groposur jo më shumë se 4 muaj më parë, ka gjetur gëzhojën e një çifteje dhe një thikë me bisht prej druri, të ngulur pranë gropës, ndërkohë u konfirmua edhe vrima në kafkë. Ekspertë të kriminalistikës kanë pohuar se nga verifikimet e para, vrima në kokë nuk mund të jetë shkaktuar nga armë gjahu, por nga ndonjë pushkë automatike. Zona e Jubës, si dhe e gjithë sipërfaqja e mbuluar nga pyjet përgjatë Erzenit, deri në det është zonë që shfrytëzohet shumë për gjuetinë dhe kjo ka shtyrë ekspertët të mendojnë se gëzhoja nuk mund të këtë lidhje me armën e krimit. Sipas tyre, ekzekutimi me armë gjahu lë të tjera shenja në trupin e viktimës, duke e zgjeruar atë. Koka e gjetur gjatë përgatitjes së fushimit, për një stërvitje ushtarake nga forcat e ushtrisë, i përket seksit femër me moshë deri në 40 vjeç. Kafka, bëjnë të ditur burimet policore, është zbuluar në një gropë 40 cm të thellë, 500 m larg bregut të detit në fshatin Jubë, fshat që është rreth 30 km nga Durrësi. Policia ka bërë të ditur se kufoma së cilës nuk i është gjetur trupi, ishte gjysmë e dekompozuar dhe flokët ishin të lidhura nga pas me një fjongo.

Kërkimet për trupin, rezultatet ende larg

Kërkimet për gjetjen e trupit kanë vazhduar për më shumë se tri orë ditën që është zbuluar kufoma dhe janë ndërprerë rreth orës 22.00. Në vendin e ngjarjes, krahas pranisë së shumë forcave nga policia e Durrësit dhe prokuroria e qytetit bregdetar, kanë qenë edhe ekspertë të Ministrisë së Rendit dhe të Prokurorisë së Përgjithshme. Grupi hetimor nuk ka lejuar që në zonë të afrohen banorët dhe as media, ndërkohë që kërkimet në orët e mbrëmjes janë bërë me mjete ndriçuese. Në orët e para të mëngjesit të djeshëm kanë vazhduar kërkimet për të gjetur trupin e femrës së masakruar, por ka qenë e pamundur. Forca të shumta kanë kërkuar në një rreze shumë të gjerë, ndërsa thuhet se për të mbledhur prova, ekspertë të policisë gjyqësore kanë pyetur edhe banorë të zonës, kryesisht rreth personave që mund të kenë “frekuentuar” pyllin në muajt e dimrit si dhe fakteve të tjera. Vendi ku është gjetur koka e prerë e femrës është shumë larg nga banesat e para të fshatit, diku rreth 3 kilometra, gjë që do të bëjë të pamundur ndihmën në hetime. Në policinë e Durrësit bëhet e ditur se nuk ka asnjë kallëzim nga familjarë rreth humbjes së ndonjë femre, për kohën që mendohet se është deklaruar e humbur apo e zhdukur. Të njëjtat burime thonë se ka shumë të mundur që viktima të mos jetë banore e Qarkut të Durrësit.

Rendi: Në kokë ka dy vrima, hyrëse e dalëse

Ministria e Rendit Publik ka dalë dje në një version zyrtar, në lidhje me kokën e gjetur para dy ditësh në fshatin Jubë. Nëpërmjet komunikatës zyrtare, njoftohet se "Më datë 03.05.2005, ora 17.00, në fshatin Jubë, në derdhje të lumit Erzen, 500 metra nga bregu i detit, forcat ushtarake gjatë një stërvitjeje kanë konstatuar të mbuluar me dhe, një kokë njeriu e seksit femër, me flokë mesatarisht të gjata, lidhur pas koke dhe kapur me llastik e kapëse, me vrimë hyrje e dalje në pjesën e përparme të ballit dhe në fazën e dekompozimit. Pranë saj u gjetën prova materiale. Punohet për identifikimin e saj dhe zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje".

Ylli Seli, dua të shoh kokën e prerë që të qetësohem

ADN vëllait të Irenës

Gjetja e një koke gruaje të prerë në Durrës dhe dyshimi se mos ajo është koka e gruas së zhdukur më 16 dhjetor 2004, Irena Seli, ka alarmuar familjen e kësaj të fundit. "Jemi të shokuar dhe të terrorizuar, ka thënë dje vëllai i Irenës. Mbase dyshimi është i vërtetë, por nuk bindemi pa e parë vetë atë pjesë të mbetur. Do të më bëjnë mua ADN-në, për të krahasuar analizat shkencore dhe për të shkuar drejt një identifikimi gjenetik. Një Zot e di se çfarë po ndodh".

Dyshimi

Ylli Seli ka pohuar se e kanë pyetur prokurorët për detaje që kanë të bëjnë me Irenën, për shenja, që ndihmojnë në identifikimin e saj. "Më kanë pyetur për një protezë dhëmbësh dhe për shumë gjëra që mendohet se ndihmojnë në hetim. Unë nuk bindem për asgjë, ka thënë Seli, pa parë vetë, këtë do t’ua kërkoj prokurorëve, të cilët më kanë thënë se sot (dje) nuk ka mbërritur nga Durrësi, e ndoshta nesër (sot) do të më krijojnë një mundësi të tillë". Familjarët e së zhdukurës janë në një tension të madh deri në zbardhjen e kësaj historie të tmerrshme. Lidhur me martesën apo mikeshën e re të Agim Mushos, vëllai i ish-bashkëshortes së tij, Ylli Seli, ka pohuar se ajo nuk është gjermane, por një shqiptare, e quajtur Zeli, një mikeshë e vjetër e kohës së rinisë së tij, në parkun e autobusave. Ylli ka thënë: "Këtë histori familja Seli e di dhe e njeh mirë dhe nuk është histori e re".

Krahasimet

Prokuroria dhe ekspertët kriminalistë mjeko-ligjorë, do të shqyrtojnë rastet e grave të zhdukura në muajt e fundit, e do të bëjnë analiza krahasuese për një pjesë të madhe rastesh. Sipas specialistëve, ekzekutimi ka ndodhur afro një muaj e gjysmë apo dy muaj më parë. Gjithashtu, hetuesit thonë se vrasja është bërë në një vend tjetër dhe pastaj koka e viktimës është sjellë e varrosur në Jubë të Durrësit, vend në të cilin është vënë dhe thika. Thika me të cilën është prerë koka e gruas, sipas deeklarimit të ekspertëve

Kronologjia e zhdukjes

15 dhjetor 2004

Irena Seli dhe burri i saj, Agim Musho, nisen nga Gjermania për në Shqipëri. Ata udhëtojnë me makinën e tyre deri në Itali, ndërsa marrin tragetin nga porti i Triestes për në Durrës.

16 dhjetor 2004

Personeli i Portit të Durrësit vulos pasaportat e dy bashkëshortëve, të cilat mbërrijnë në Durrës. Agim Musho thotë se gruaja është larguar në këtë moment, pasi e kishte lënë te makina.

20 dhjetor 2004

Pas publikimit të ngjarjes, Agim Musho paraqitet në Komisariatin e policisë numër 2 të Tiranës dhe denoncon zhdukjen e gruas, katër ditë pas ngjarjes.

23 dhjetor 2004

Pasi mësojnë se bashkëshorti i Irenës ishte larguar në Gjermani, familja e të zhdukurës shkon në Durrës dhe bën kallëzim penal për ngjarjen. Hetuesit e policisë marrin deklarimet e personave të afërt.

12 janar 2005

Pas disa hetimeve paraprake, policia e Komisariatit numër 2 në kryeqytet ia kalon dosjen Prokurorisë së Tiranës.

16 janar 2005

Agim Musho nga Gjermania, thotë se zhdukja e Irena Selit ka qenë një ngjarje dhe një inskenim i planifikuar prej saj. Musho e akuzon ish-gruan e tij për lidhje intime me një punonjës të policisë.

18 janar 2005

Merren në pyetje në Prokurorinë e Tiranës, vëllai dhe daja i Irenës. Ata shprehin dyshimet e para për vrasje ndaj Agim Mushos, ndërsa thonë se ai është larguar në Gjermani, pa mësuar asgjë për të shoqen.

19 janar 2005

Dosja penale për zhdukjen e Irena Selit i kalon për hetim Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Hetuesit e këtij institucioni thonë se dosja ka vetëm tri prova dhe se verifikimet e ngjarjes janë neglizhuar.

21 janar 2005

Hetuesit e Prokurorisë së Krimeve të Rënda kthehen nga qyteti i Durrësit pa arritur të marrin një konfirmim, nëse Irena ka mbërritur aty apo jo. Vërtetohet fakti se, pasaportat e udhëtarëve janë vulosur në traget.

23 janar 2005

Sekuestrohet në Durrës dokumentacioni i udhëtimit të pasagjerëve me tragetin “Venezia” të linjës Trieste-Durrës.

24 janar 2005

Grupi hetimor në Durrës deklaron se policia italiane e Triestes dhe kompania e udhëtimit, konfirmojnë se Irena Seli ka hipur në traget dhe se emri i saj gjendet në listat e pasagjerëve.

25 janar 2005

Motra e Agim Mushos, Drita, pohon për gazetën “Metropol” se, Irena Seli kishte filluar të kërkonte azil në Amerikë. Në funksion të këtij qëllimi, Irena kishte bërë një kallëzim në Prokurori për kërcënim, por kishte marrë edhe dokumente që “vërtetonin” keqtrajtimet dhe ndjekjen e saj nga policia.

2 shkurt 2005

Agim Musho kthehet nga Gjermania bashkë me të birin dhe merren në pyetje nga Prokuroria e Krimeve të Rënda.

3 shkurt 2005

Prokuroria bllokon pasaportat e Agim dhe Bruno Mushos, që të mos udhëtojnë jashtë Shqipërisë.

19 shkurt 2005

Prokuroria vendos që t’i japë pasaportën Bruno Mushos, i cili niset për në Gjermani, në shkollë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›