E Diel, 1 Nëntor 2026

Paloka: TVSH po censuron opozitën

05/05/2005  Kuvendi i PD-së është transmetuar vetëm 2 minuta

Zëdhënësi i Partisë Demokratike, Edi Paloka, ka akuzuar dje drejtuesit e televizionit Publik Shqiptar se po censurojnë veprimtaritë e opozitës. Shkak për akuzat e Palokës janë bërë transmetimet, sipas tij, të cunguara të TVSH-së për Kuvendin Kombëtar të PD-së. „Televiozioni Publik Shqiptar, i cili drejtohet nga një lake i Fatos Nanos, partner në bixhoz dhe krimin ekonomik të Kryeministrit shqiptar, me afrimin e zgjedhjeve është kthyer tërësisht në tellallin e Kryeministrit. Pasi censuroi Kuvendin e Partisë Demorkatike, Zheji, volli vrer dhe shpifi e trilloi me moralin e padronit të tij kundër Partisë Demokratike dhe Kuvendit të saj. Skllavi i krimit ekonomik, ku është zhytur për vite me radhë Zheji së bashku me Gjinushët dhe Cekën, në fakt treguan vetëm tmerrin dhe panikun që i ka zënë për humbjen e shpejtë“, tha Paloka. Sipas tij, censurimi është vënë re dhe në kronikat e së majtës, ku PD-ja pretendon se dhe për kronika të parëndësishme, së majtës i jepet kohë disa herë më shumë se opozitës. „Kur transmetohet Kuvendi i Partisë më të madhe të opozitës jepen kohë vetëm dy minuta, kjo s'mund të quhet asgjë tjetër vetëm se censurë. Ndërkohë edhe kur Nano mender nesh vete në VC, kronika bëhet nga dhjetë minuta. Kjo do të thotë ta përdorësh televizionin, që paguhet nga taksat e të gjithë shqiptarëve në favor të një force politike. Për këtë akt të fundit të Zhejit, të zhgjyer në korrupsion, Partia Demokratike e siguron atë dhe padronin e tij se tashmë asgjë nuk i shpëton dot nga humbja e sigurt dhe dhënia llogari para ligjit“, tha Paloka. Transmetimet e TVSH-së përpara zgjedhjeve gjithnjë janë bërë objekt debati mes opozitës dhe maxhorancës, për njëanshmëri në transmetimin e kronikave.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›