E Diel, 1 Nëntor 2026

KQZ: Marrëveshja PD-PR për zona të lira është e ligjshme

05/05/2005  Sinani. Vetëm partitë që kanë fituar më shumë së 20 % kandidojnë në 100 zona

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka mbështetur marrëveshjen mes republikanëve dhe demokratëve për zonat e lira, duke dalë kundër mendimit të PS-së. Zëdhënësi i KQZ-së, Erton Sinani, tha se ligji zgjedhor detyron kandidimin në 100 zona elektorale vetëm të partive që kanë marrë mbi 20% të votave në zgjedhjet e kaluara. Në këtë mënyrë, KQZ hedh poshtë pretendimet e socialistëve, sipas të cilëve marrëveshja mes PR dhe PD për zonat e lira elektorale bie në kundërshtim me Kodin e ri Zgjedhor. „Kodi Zgjedhor detyron partitë që kanë marrë mbi 20 % në zgjedhjet e kaluara të kenë 100 kandidatë. Nuk ka asnjë kriter të përcaktuar në kod, që ka të bëjë me kandidimin, apo jo, apo me pasjen ose jo të një dokumenti, që verifikon kandidimin, apo praninë e tij në një grupim të caktuar“, tha Sinani.

Opozita

Por, në përputhje me ligjin, e cilësojnë marrëveshjen dhe përfaqësuesit e dy partive të opozitës, të cilët vetëm një ditë më parë ranë dakord që të dalin së bashku në zgjedhje në tri zona të lira elektorale. Jemin Gjana, deputet i Partisë Demokratike, thotë se kandidaturat e propozuara nga partitë e vogla do të kandidojnë nën siglën e PD-së dhe ligji detyron vetëm dy partitë e mëdha të kandidojnë deputetë në të gjitha zonat elektorale në sistemin mazhoritar. „Nuk do të ketë asnjë thyerje të neneve të Kodit Zgjedhor nga PD. Ka patur një koment të pasaktë, që komentohet sikur PD ka lëshuar territor, duke lënë zona të lira. Këtu ka një të vërtetë, sepse ka një marrëvshje, që është partiake, ka disa kandidatura të propozuara nga strukturat e PR, PDR, por që të gjitha këto kandidatura në listat e zgjedhësve do të jenë nën siglën e PD-së. Pra, në 100 zonat elektorale si kandidatë të PD-së, pavarësisht se nga kanë ardhur këto kandidatura”, tha Gjana. Si të nxituar e ka cilësuar deklaratën e PS-së edhe kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu. Sipas tij, marrëveshja e firmosur një ditë më parë mes dy krerëve të partive respektive PR dhe PD është e mbështetur në ligj. “Sipas aktmarrëveshjes që kemi nënshkruar me Partinë Demokratike, kandidatët e PR-së do të dalin nën logon e PD-së, pasi ajo është e detyruar që të shpallë 100 deputetë në zonat elektorale. Për sa i përket proporcionalit, Partia Republikane do të ketë kandidatët e saj, që do të zbatojnë ligjin dhe të gjitha kriteret që do të dalin nga KQZ”, tha Mediu.

PS

Vetëm disa orë pas nënshkrimit të marrëveshjes mes dy partive politike, ish-bashkëkryetari socialist për reformën zgjedhore, Elmaz Sherifi, doli në një konferencë, ku deklaroi se marrëveshja mes PR dhe PD është shkelje e Kodit Zgjedhor. Në bazë të marrëveshjes, kandidatët e PR-së do të kandidojnë nën siglën e PD-së në tre zona elektorale, 51, 55 dhe 98. “Republikanët ashtu edhe Berisha duhet ta dinë se Kodi Zgjedhor e ndalon një marrëveshje të tillë. Sipas Kodit dhe nenit 15 të tij, partitë dhe koalicionet, partitë anëtare të të cilave në zgjedhjet pararendëse kanë fituar më shumë se 20 për qind të votave, janë të detyruara të dalin në zgjedhjet e këtij viti me nga 100 kandidatë”, tha Sherifi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›