Kapen grabitësit e armatosur
02/12/2004 Përfundojnë në prangat e policisë 2 grabitës dhe shoqërohen 2 të tjerë. Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Tiranës, bëjnë të ditur se mbrëmjen e së martës në fushën e Aviacionit, fare pranë Komisariatit nr.2 kishte ndodhur një vjedhje me dhunë. Një qytetar, me iniciale P.N., ishte ndaluar nga persona të armatosur me automatik, duke e kërcënuar që t'u jete të gjithë paratë dhe sendet me vlerë që posedonte. Ai u qe përgjigjur negativisht kërkesave të tyre. Por, pak sekonda më pas e pa veten pre e dhunës së tyre. Të panjohurit e kanë rrahur kalimtarin keqas, e kërcënuan se do ta vrisnin nëse denonconte në polici dhe në fund i kanë marrë gjithçka të vlefshme. Të njëjtat burime saktësojnë se, më pas hajdutët janë larguar duke humbur në rrugicat e errëta aty parnë. P.N. lajmëroi menjëherë policinë për t'i ardhur në ndihmë. Pas një aksioni të rrufeshëm, u bë i mundur arrestimi i 2 prej tyre. Sakaq, dy të dyshuar të tjerë, ndër të cilët një minoren, u shoqëruan në komisariat. Dritan Hardhija, 25 vjeç dhe Roland Dervishi, 18 vjeç, janë të prangosurit. Ndërsa Qani Biçaku dhe L.Biçaku u lanë të lirë për mungesë provash. Policia bllokoi në cilësinë e provës materiale një armë automatike, një radio ndërlidhëse, një këllëf pistolete, gaz lotsjellës që u shërbente për të hutuar viktimat dhe 2 celularë të vjedhur. Burimet shprehen se ka gjasa që banda e hajdutëve të ketë dhe pjesëtarë të tjerë. Por, ata nuk janë identifikuar ende nga forcat blu. Dyshohet se P.N. nuk është viktima e parë e grabitësve të dhunshëm. Këta të fundit "gjuanin" zakonisht tregtarë të vegjël të lagjeve dhe i bastisnin. Ndaj D.Hardhija dhe R.Dervishi, u mor masa e arrestit për vjedhje me dhunë dhe në bashkëpunim, vepër penale e parashikuar nga nenet 139, 25 dhe 278/2 të Kodit Penal. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit.