Një mesfushor plotëson Burrelin para startit të sezonit
Burreli nën drejtimin e trajnerit shkodran, Fatjon Hasani, po u jep dorën e fundit përgatitjeve për sezonin e ri. Skuadra thuajse është e kompletuar dhe matjanët ndihen gati për startin e sezonit të ri ku me 1 shtator Burreli do të presë Gramshin. Për stafin drejtues skuadra e krijuar premton siguri, ku në grup mbizotëron komuniteti i futbollistëve shkodranë, të cilët kanë dalë nga dyert e Vllaznisë. Deri tani me Burrelin kanë nënshkruar 25 futbollistë, por drejtuesit mbeten sërish në merkato, pasi kërkojnë të afrojnë edhe një mesfushor, që të marrë përsipër organizimin e lojës. Andi Xhixha, Bekim Dushaj, Klodian Melani, Arbër Hoti, Bledar Murati, Ermal Mata, Henri Mata, Senad Lekaj, Hazir Dalipi, Jaser Rrustja, Arlind Pirani, Bledar Perfati, Ender Meta, Denis Lifja, Florian Pjetrani, Ervin Jaca, Elio Kurti, Edmir Bashi, Jurgen Proda, Shpëtim Çela, Ersi Çaku, Altion Lopçi, këto janë emrat e futbollistëve që do të jenë pjesë e Burrelit të sezonit të ri.
Stadiumi Dihet se prej kohësh stadiumi Liri Ballabani i është nënshtruar rikonstruksionit, ku kryesore është shtrimi i tapetit të ri. Por punimet vijojnë dhe stadiumi nuk do të jetë gati për fillimin e sezonit. Madje gjasat janë që për një periudhë gati dy mujore skuadra do ti presë mysafirët jashtë Burrelit. Kështu mbetet për të parë se ku do të luhet edhe ndeshja hapëse e sezonit me Gramshin. Ende nuk është përcaktuar se ku mund ti luajë Burreli ndeshjet e para që kalendari i rezervon në fushën e tij. Sipas zërave që qarkullojnë, si alternativë përmenden Lezha, Shkodra dhe Fushë- Kruja.
