Imami: “Akuzat për trafik armësh, flluskë sapuni - nuk jemi në kohën e Traktatit të Varshavës”
Ministri i Mbrojtjes, në seancë dëgjimore në Komisionin e Sigurisë - vlerësohen reformat në Forcat e Armatosura, mbështetet ngritja e një komisioni hetimor parlamentar
Në seancën e djeshme dëgjimore të Ministrit të Mbrojtjes Arben Imami, anëtarët e Komisionit të Sigurisë Kombëtare vlerësuan reformat dhe planin e përhapjes së Forcat e Armatosura. Ndërsa ministri i Mbrojtjes Imami ka mohuar akuzat e opozitës se përgjohen deputetët e opozitës dhe ambasadorët.
Në një prononcim për mediat pas përfundimit të mbledhjes së komisionit të sigurisë, Imami kërkoi ngritjen e një komisioni parlamentar në lidhje me akuzat e opozitës për përgjim. Në lidhje me kërkesat e opozitës për mbikëqyrjen në Ministrinë e Mbrojtjes, ministri Imami u shpreh se, “mbas kërkesave të zgjatura prej muajsh që unë të vij të paraqes dy gjëra shumë të rëndësishme të ushtrisë shqiptare, dy reforma të rëndësishme që janë kryer këto vite dhe që kanë pasur rezultate të shkëlqyera, që janë tabelat e reja të organizimit dhe përmirësimit të strukturave, po kështu dhe Konferenca me ACT-në. Shpresoj dhe besoj që edhe vlerësimet ishin jashtëzakonisht pozitive për punën e bërë nga Shtabi i Përgjithshëm dhe Forcat e Armatosura. Ky lloj kontrolli është një kontroll serioz parlamentar, është demokratik. Në qoftë se pas kësaj seance deputetët, le të themi të çdo krahu politik, do të kenë nevojë për pyetje të tjera sqaruese mund t’ua dërgoj me shkrim siç ja kam dërguar gjithmonë, ashtu sikurse mund të vij edhe të risqaroj”.
Më pas për çështjen e llojit të kontrollit politik apo administrativ, ministri Imami sqaroi se kontrolli nuk është çështje e ministrisë, por është kjo është çështje e parlamentit.
“Çështja e kontrollit nuk është çështje e Ministrisë, por është çështje e Parlamentit. Parlamenti duhet të ketë të qartë kufijtë dhe limitet e tij dhe çështjet le t’i diskutojë Komisioni dhe Kuvendi. Mbasi të kem një copë letër në dorë ku të përcaktohet një kontroll i caktuar, një hetim i caktuar, një program pune i caktuar, siç bëhet për çdo lloj kontrolli. E kam thënë dhe herë të tjera, edhe Kryeministri kur vjen kontrollon në Ministri me inspektimin e tij, vjen paraqitet, bën një takim dhe sjell një plan konkret. Përndryshe unë i kam pritur dhe i kam përcjellë sa herë ka qenë e mundur, jo vetëm deputetët e PD-së por edhe të PS-së, për çfarë do lloj pyetje me shkrim, me gojë. Kontrolli parlamentar është shumë i rëndësishëm, shkelja e limiteve të kontrollit parlamentar është një precedent i keq dhe sigurisht që unë si deputet dhe si ministër nuk do ta lejoj”, theksoi Imami.
Ndërsa në lidhje me akuzën e përgjimeve të përfaqësive të huaja, ministri i Mbrojtjes nënvizoi se akuzat janë një tullumbace njëlloj siç është akuza për trafik armësh dhe municionesh.
“Në fakt para dy ditësh u shfry ajo tullumbacja e parë e trafikut të armëve, u shpreh Imami. Lidhur me përgjimin, ju them se nuk ka gjëra të tilla, por për çdo element që është i lidhur me konfidencialitetin dhe sekretin, sikurse e thashë edhe në Parlament, jua përmenda edhe zotërinjve të nderuar të këtij Komisioni. Duhet të ngrihet një nënkomision me tre apo katër njerëz të besueshëm të grupeve parlamentare që të betohen për sekretin së pari, dhe kur të dalin nga ai komision të dalin me një deklaratë të përbashkët dhe të mos informojnë as kryetarët e partive se çfarë kanë parë, as gratë e tyre, por të thonë ka apo nuk ka përgjime”, vijoi Imami.
Kreu i ministrisë së Mbrojtjes theksoi më tej se Shqipëria është në luftë me terrorizmin dhe se bashkëpunohet me shërbimet e vendeve aleate.
“Ne punojmë kundër terrorizmit, ne punojmë së bashku me shërbimet e tjera dhe me ushtri të tjera të NATO-s. Duhet mbajtur në mendje që shërbimi i inteligjencës ushtarake është një nga shërbimet partnere të vendeve të NATO-s”, sqaroi Imami.
Nga ana tjetër ministri i Mbrojtjes nënvizoi se është një provokim lajmi se janë përgjuar dhe diplomatë dhe përfaqësitë e huaja në vendin tonë.
“Nuk jemi në kohën e Traktatit të Varshavës që të përgjohen diplomatët e vendeve të Perëndimit. Kjo është një çështje e së shkuarës, por edhe kjo tullumbace e dytë shumë shpejt do të plasi. Në këtë kontekst, presioni që ushtrohet nuk është i mirë as për shërbimin, as për reputacionin e Shërbimit Informativ Ushtarak dhe në analizë të fundit të Republikës së Shqipërisë”, u shpreh Imami.
Në përfundim ministri i Mbrojtjes, Imami tha se procesi i demilitarizimit është drejt përfundimit dhe se Shqipëria do të çlirohet një herë e mirë prej municioneve të tepërta të rrezikshme për sigurinë e qytetarëve.
“Në vitin 2013, Shqipëria do të jetë e çliruar nga kjo gjë që i ka marrë frymën. Në datë 24 të këtij muaji jeni të ftuar të vini në Bizë, sepse do të bëjmë edhe shpërthimin e fundit për municionet e tepërta, të cilat i kemi shpërthyer dhe shkatërruar nëpër poligone, që pa dyshim kanë qenë një peshë shumë e rëndë për ushtrinë, por sigurisht që herë pas here dhe ne kemi qenë koshientë që asgjësimi i këtyre municione mund të ketë shqetësuar edhe popullsinë, por s’kemi pasur rrugë tjetër”, përfundoi Ministri i Mbrojtjes Arben Imami.