Kthimi i banesave pronarëve të tyre
Kredi me zero interes banorëve - shtëpia e pronarit duhet të lirohet
Kryeministri Sali Berisha kërkoi dje nga Ministri i Punëve Publike dhe Transportit, Sokol Olladashi hartimin e një projektligji i cili do të kërkojë lirimin e banesave të zëna dhe kthimin e tyre pronarëve të vërtetë. Për zbatimin sa më të drejtë dhe të shpejtë të ligjit do të ngarkohet Enti i Banesave në bashkëpunim me qeveritë vendore. Kryeministri tha se abuzimeve me pronësinë e këtyre banesave duhet tu vijë fundi dhe se të gjitha falsifikimet e bëra duhet të jenë tashmë objekt denoncimesh në prokurori. Kreu i qeverisë theksoi që banuesve të këtyre banesave u ofrohet kredi me zero interes, por shtëpia e pronarit duhet të lirohet. Kryeministri u shpreh se ndonëse ka dy vjet që banorëve aktualë të banesave u janë ofruar kredi me zero interes, përsëri procesi i kthimit tek pronarët ka hasur në pengesa, gjë e cila nuk do të lejohet më. Në këtë kontekst, kryeministri bëri të ditur se Ligji duhet të parashikojë se në rast se brenda një afati të caktuar bashkia nuk e zbatojnë ligjin, Enti i banesave do të ndërhyjë me gjithë forcën e ligjit për të zbatuar atë. “Zoti Olldashi duhet të përgatisni menjëherë projektligjin që Banesat tu lirohen pronarëve dhe do të ngarkohet për këtë Enti i banesave bashkë me qeveritë vendore dhe do të përdoren të gjitha mjetet e shtetit për të zbatuar ligjin. Ne u ofrojmë banuesve të tyre kredi me zero interes, por shtëpia e pronarit duhet të lirohet. Ne kemi mbi dy vjet që kemi përcaktuar shumën, kemi ofruar kredinë, por diku funksionon, diku jo se kryetari i bashkisë nuk i pyet. Kjo nuk do të jetë më kështu. Pronarëve duhet tu kthehen shtëpitë. Dhe ta dini se ka një mal të turpshëm falsifikimesh mbi to. Që të gjitha duhet të jene objekt denoncimesh në prokurori. Përpjekjet për tu përvetësuar pronarëve shtëpinë janë të jashtëzakonshme. Shtëpitë duhet të lirohen. Ligji duhet të parashikoje se në rast se brenda një afati të caktuar bashkia nuk e zbatojnë ligjin, Enti i banesave do të ndërhyjë me gjithë forcën e ligjit për të zbatuar ligjin. Shtëpitë duhet tu kthehen pronarëve të vërtetë. Shumica janë kthyer, por përsëri janë me mijëra që kanë mbetur pa u kthyer, të cilat kryesisht janë në Tiranë, sepse këtu ka patur më shumë.
...