Imami: Edi Rama, njeri pa kapacitet dhe i paqëndrueshëm psikologjikisht

Kandidatët e PD, Imami dhe Turku takim me banorët e lagjes “Luigj Gurakuqi” dhe “Beqir Dardha”, në Elbasan
Në vijim të turit të takimeve elektorale, Arben Imami, kryesuesi i listës së kandidatëve për deputetë të Partisë Demokratike në Qarkun e Elbasanit, ka zhvilluar një takim me banorë të lagjes “Luigj Gurakuqi”, ku prezantoi kandidatin për deputet të kësaj zone, z.Ardjan Turku. Gjatë fjalës së tij, z.Imami vuri theksin tek investimet e realizuara nga qeveria “Berisha” në këto vite, me prioritet infrastrukturën e zonave rurale, investimet në bujqësi, arsim apo dhe shëndetësi. Duke kërkuar votën e qytetarëve për një mandat të tretë qeverisës të Partisë Demokratike, Arben Imami tha se në këto vite Shqipëria ka dëshmuar një model ekonomik të shëndetshëm, falë taksave të ulëta dhe klimës pozitive për zhvillimin e biznesit dhe thithjen e investimeve të huaja, gjë që ka ndikuar në rritjen e punësimit. Ndërsa duke komentuar vendimin e kreut të PS, Edi Rama për taksën progresive, Imami tha se kjo do ta çonte Shqipërinë drejt krizës ekonomike, do largonte investitorët si dhe do shkatërronte mijëra vende pune. Sipas tij, Rama propozon taksën progresive, për të mbrojtur bizneset e Koço Kokëdhimës, i cili do ta kishte më të lehtë të paguante në xhepin e zyrtarit, sesa në buxhetin e shtetit. “Duke investuar në infrastrukturën rurale ne bëmë të mundur rritjen e ekomomisë reale. Ne bëmë të mundur përballimin e krizës që ka përfshirë europën. Për Francën ky është viti i hyrjes në krizë, është një socialist edhe ai, po aq i mirë edhe ai sa edhe Edi Rama, ka ngritur 70 % të taksës. Në analizë të fundit kush do të mbrojë punën në këtë sistem të tregut nuk ka rrugë tjetër veçse t’i japë mundësi biznesit mbi bazë të ligjit, dhe duke ruajtur të drejtat e punës të punojë. Taksë progresive do të thotë që Koço Kokëdhima nuk paguan sepse është brenda, ka në milion e ca pa paguar taksat, tjetri është i detyruar të paguajë, Kokëdhima i paguan tek xhepi i zyrtarit, kurse ky biznesmeni tjetër do të donte të mos paguante taksat, por nuk e çan dot. Ajo për të cilët shqetësohemi ne është se këta njerëz që punojnë, ku do të vazhdojnë të punojnë, me çfarë do të mbahet buxheti i shtetit nëse nuk paguhen këto taksa. Taksa e sheshtë dhe taksa e ulët bëri të mundur që biznesi të zhvillohet, të rriten investimet e huaja, dhe me futjen në NATO shkoi 1 miliard dollarë për çdo vit nga 2009 deri më sot, dhe kemi të siguruar 1 miliard euro në kaskadën e Devollit, 2 miliard euro në projektin e TAP-it që do të thotë se investimet e huaja do të vazhdojnë në Shqipëri, dhe këto investime rriten në mënyrë ekstravagante, prandaj Shqipëria e përballoi krizën”- u shpreh Imami. Një nga premtimet e rëndësishme të kryeministrit Berisha për mandatin e ardhshëm qeverisës, është rritja e pagave për arsimtarët në 700 dollarë. Për z.Imami ky është një premtim realist, pasi rritja e pagave dhe pensioneve është politikë konstante e qeverisë. Duke u ndalur tek investimet në arsim, një prej të cilëve atë të universitetit “Aleksandër Xhuvani” që sipas Imamit, është një biznes më vete për qytetarët elbasanas, qeveria ka ndërtuar infrastrukturën e shkollave si dhe ngritur kabinetet e informatikës, duke i dhënë kështu përparësinë e duhur dijes dhe komunikimit. Në politikat e qeverisë “Berisha” një vend të rëndësishëm zë edhe bujqësia si dhe investimet në HEC-e. Në këtë drejtim, Qarku i Elbasanit, tha z.Imami, katër vitet e ardhshme do të ketë mijëra vende të reja pune dhe shtysë të rëndësishme për këto, mbeten HEC-et e Devollit si dhe trefishimi i investimeve në bujqësi.
Alternativa tjetër, tha z.Imami, është një eksperiment i paqëndrueshëm; ka sfiduar ligjin, ka kthyer parlamentin në shesh demonstratash si dhe ka bllokuar të ardhmen europiane të vendit. Sipas tij, “Edi Rama është njeri pa kapacitet dhe i paqëndrueshëm psikologjikisht, ndërsa solli në vëmendje se, “edhe programin e sportit e prezantoi me kopje në dorë”. “Si ka mundësi që në këtë moment kaq delikat në këtë vend, të eksperimentojë me një njeri të paqëndrueshëm, me një njeri që nuk ka dhënë prova, që ka dhënë prova vetëm me rritje taksash, për një njeri që nuk ka respekt për ligjin, respekt institucional, dhe kemi derdhur gjakun, që të kemi një parlament pluralist, ky njeri nuk ka respekt për parlamentin, nëse di e bën me bilbila parlamentin e kthen atë në shesh demonstratash cili është respekti për ligjin, si mund të ecë ky vend, si mund të integrohet ky vend? Kjo qeveri ka treguar që ka zemër, dhe që përpiqet të gjejë zgjidhje aq sa mundet për problemet”, tha Imami.