E Diel, 1 Nëntor 2026

Imami Kontrolli parlamentar i rendesishem por ne rruge ligjore

Debate të shumta në Komisionin  e Sigurisë, para raportimit të Ministrit të Mbrojtjes Arben Imami. Debatet kishin në qendër të tyre pretendimet e anëtarëve të komisionit deputetë të Partisë Socialiste, se nuk janë lejuar të kryejnë kontrolle në Ministrinë e Mbrojtjes. Deputetët kanë vijuar me aludimet e tyre duke u bazuar në publikime mediash për trafik të mundshëm armësh apo përgjime të jashtëligjshme, akuza të mohuara si të pabazuara në prova nga deputetët e Partisë Demokratike.  Anëtarët demokratë të komisionit, kanë kundërshtuar pretendimet e kolegëve socialistë, duke u shprehur se janë të hapur të aprovojnë çdo kontroll të tyre në çdo institucion apo qelizë të shtetit shqiptar, por në mënyrë institucionale dhe kundrejt rregullave dhe ligjeve në fuqi. Pas mbi 40 minutash debatesh, ka nisur raportimi i ministrit të Mbrojtjes, Arben Imami. Raportimi i ministrit për planin e ri të shpërndarjes është zhvilluar pa praninë e kamerave për shkak të informacioneve të klasifikuara që përmban. Ministri Imami është shprehur i gatshëm për caktuar edhe datë tjetër për të raportuar për pyetje të tjera të deputetëve të Partisë Socialiste, të cilat nuk ishin përfshirë në këtë raportim dhe që kërkonin kohë në mbledhjen e informacioneve të kërkuara.
Në përfundim të seancës në këtë komision ministri Imami bëri me dije se ka paraqitur përpara ligjvënësve dy reforma të rëndësishme në ushtri. Por lidhur me akuzat dhe pretendimet e ardhura nga deputetët socialistë, Imami vlerësoi se kontrolli parlamentar i rëndësishëm, por ai duhet të zhvillohet në rrugë ligjore.  Njëkohësisht Ministri i Mbrojtjes hodhi poshtë të gjitha pretendimet e socialistëve për trafik armësh, pasi vetë ai raporton çdo tre muaj  për shitjen e armëve. Po kështu, Imami mohoi dhe mundësinë për përgjigjime, ku sipas tij nuk ka asnjë rast të tillë, pasi përgjimi i diplomatëve është një fenomen që i takon komunizmit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›