Luajne me granate plagosen 3 vellezer
Shpërthimi në rethana ende të paqarta e një granate ka lënë të plagosur rëndë 3 vëllezër të mitur nga fshati Bardhaj i komunës Kaçinar në Mirditë. Vëllezërit Çuni përkatësisht 13, 10 dhe 6 vjeç kanë marrë plagë të rënda dhe janë transportuar menjëherë për në Spitalin Ushtarak të Tiranës nëpërmjet helikopterëve, ku u janë nënshtruar ndërhyrjeve të specializuara. Ngjarja ndodhi rreth orës 8 e 30 minuta, kohe kur vëllezërit kishin dalur në oborrin e shtëpisë së tyre për të luajtur si çdo dite. Nuk dihet ende sesi 3 vëllezërit e mitur kanë rënë në kontakt me granatën, por mësohet se ata po luanin me të kur në një moment ajo ka shpërthyer duke shkaktuar edhe plagosjen e tyre. Në momentin e shpërthimit fëmijët ndodheshin vetëm në oborrin e shtëpisë dhe janë gjetur të shtrirë përtokë nga prindërit të cilët janë alarmuar pas shpërthimit. Fillimisht ata janë transportuar për në spitalin e Rrëshenit dhe me pas është kërkuar ndihma e helikopterëve për dërgimin e tyre drejt Tiranës, ndërsa policia ka nisur hetimet në lidhje me këtë ngjarje.