Imami: Ushtria shqiptare do të ridislokohet nga e para
Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, deklaroi dje nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës se Shqipëria ka një rol të rëndësishëm në NATO. Gjatë një vizite zyrtare në SHBA, për të biseduar për çështje që kanë të bëjnë me transformimin e NATO-s, Imami dha një intervistë për “Zërin e Amerikës”, ku foli për rolin e Shqipërisë në Aleancë dhe transformimin që po ndodh në ushtrinë shqiptare. Imami theksoi se, si vend i ri anëtar i NATO-s, Shqipëria përballet me disa sfida në transformimin e ushtrisë së saj. “Ne këtë vit jemi përfshirë në ridislokimin e të gjithë forcës sonë të armatosur, në organizimin e saj, në reformën e shërbimeve të inteligjencës ushtarake, në reformën e Ministrisë së Mbrojtjes dhe të Shtabit të Përgjithshëm”, pohoi ministri i Mbrojtjes. Sipas tij, kontributet e Shqipërisë në Aleancë janë serioze dhe për këtë arsye Shqipëria ka vendin e saj të rëndësishëm në NATO. Nga ana tjetër, ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, është takuar dje me disa zyrtarë të lartë amerikanë, teksa po vizitonte Komandën e Aleancës në Norfolk të shtetit të Virxhinias, e cila ndjek njëkohësisht edhe transformimin e Forcave të Armatosura të Shqipërisë. Një takim të veçantë Imami pati me ish-senatorin çak Hejgell, shef i Këshillit për Inteligjencën e Huaj pranë Presidentit Obama, njëkohësisht profesor në Shkollën e Shërbimit Diplomatik në Uashington. Nga ana e tij, Hejgell, në një prononcim për “Zërin e Amerikës”, theksoi se pjesëmarrja e Shqipërisë në NATO kontribuon në përpjekjet për të garantuar siguri dhe qëndrueshmëri në njërin prej rajoneve historikisht të paqëndrueshëm të botës. “Mendoj se të gjitha vendet anëtare të NATO-s janë shumë të kënaqura që Shqipëria është pjesë e Aleancës, ashtu si edhe vendet e tjera që janë anëtarësuar në vitet e fundit. Kjo vërtet përfaqëson një stabilitet dhe siguri që nuk e kemi parë më parë”, deklaroi zyrtari i lartë amerikan. Sipas tij, Shqipëria do të luajë një rol shumë të rëndësishëm, në një kohë që gjen vendin e saj në NATO dhe aftësitë e saj do të rriten.
#