Kryesia e LSI-së formalizon garën kundër PS-së në Tiranë
Deklaratat e kreut të Lëvizjes Socialiste për Integrim për një garë kundër Partisë Socialiste në Tiranë janë formalizuar si nisma organizative. Në një mbledhje të djeshme me strukturat drejtuese të kryeqytetit, Meta ka hapur atë që mund të quhet fushata e ristrukturimit të kësaj dege, që do të përballojë edhe sfidën e vështirë elektorale të 2011-s. “Takimi i sotëm me drejtues të LSI të kryeqytetit ka të bëjë pikërisht me aprovimin e kalendarit, i cili tashmë u bë publik lidhur me gjithë procesin e ripërtëritjes së saj në Tiranë. Ky proces fillon në datën 20 qershor me miratimin e kandidaturave, do vijojë për gati 100 ditë deri në 26 shtator, ku do të votohet jo vetëm për kryetarin apo kryetaren, por edhe për kryetarët apo për kryetaret e LSI-së, të njësive të Tiranës”, tha kreu i LSI-së në fjalën e tij. Ai e ka vënë theksin te vlerësimi i punës së strukturave të kësaj partie për sa i përket problematikës së komuniteteve të kryeqytetit në tërësi. Në një ripërcaktim të tij kundër kreut të Bashkisë së Tiranës, Meta ka sjellë në vëmendje trafikun e rënduar që së fundmi është bërë pjesë e debatit mes përfaqësuesve të qeverisë dhe atyre të bashkisë. Dy ditë më parë, kreu i LSI-së, Ilir Meta, deklaroi se “në zgjedhjet lokale në disa nga bashkitë kryesore ne do të konkurrojmë me Partinë Socialiste. Përveç arsyeve të tjera, ne jemi shumë të zhgënjyer nga përdorimi i votave tona, të cilat ishin përcaktuese si në Tiranë, ashtu dhe Durrës”. Meta ka folur për “vota përcaktuese të LSI-së” në Tiranë, zbritja e të cilave nga rezultati i 2007-s e vë seriozisht në diskutim betejën për Tiranën, që është në vetvete një sfidë mirëfilli politike. Këtë skenar që i atribuon LSI-së një rol thelbësor në zgjedhjet lokale të 2011-s, e ka bërë të vetën edhe deputeti socialist Kastriot Islami, që ka zhvilluar me këtë rast edhe matematikën elektorale të procesit. Edhe pse Meta nuk e ka qartësuar se cila do të jetë gjeografia e koalicionit me PD-në në 2011-n, është më se e sigurt se në bashkitë kryesore koalicioni do të kërkojë fitoren përballë selisë rozë, e cila duhet thënë se është penalizuar dy herë rresht për shkak të përçarjes me partinë e drejtuar nga zv.kryeministri i tanishëm.
#