E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria varfëron institucionet e pavarura

Berisha: Do të shkurtojmë 20% të buxhetit të shpenzimeve operative

Qeveria do të rrisë më 1 korrik pagat dhe pensionet për 820 mijë qytetarë shqiptarë, por kjo rritje do t’i kushtojë institucioneve të të gjithë vendit shkurtimin e buxhetit të tyre me 20 për qind. Ky ishte qëndrimi që shprehu dje Kryeministri Berisha në mbledhjen e radhës të qeverisë, teksa ishte duke folur për rritjen e madhe të pagave e të pensioneve, që do të vijë në fillim të muajit tjetër. “Këtë vit do të shkohet në Parlament me qëllimin për të shkurtuar shpenzimet e institucioneve. Në qoftë se vendosim të rrisim rrogat dhe pensionet, ne do t’i qëndrojmë asaj që kemi deklaruar për shkurtimin me 20 për qind të buxhetit të të gjitha institucioneve”, deklaroi Berisha në mbledhjen e radhës së qeverisë. Në këtë kuadër, Kryeministri kërkoi edhe mirëkuptimin e institucioneve të tjera shtetërore të pavarura për këtë shkurtim të buxhetit të tyre, ndonëse theksoi se pesha kryesore e uljes do të binte mbi institucionet me varësi nga qeveria. “Shkurtimet e para më të mëdha do t’i bëhen qeverisë dhe agjencive të qeverisë, por nga këto shkurtime nuk do të përjashtohet as edhe një institucion i vetëm. Sepse është e domosdoshme që të garantojmë parametrat më të mirë të mundshëm”, paralajmëroi kreu i qeverisë. Sipas Berishës, kjo masë merrej për të garantuar edhe një mbështetje më të madhe për sektorin privat në vend. Nga ana tjetër, Berisha nuk harroi të theksonte se qeveria që ai drejton e ka kryer edhe më përpara këtë praktikë. Sipas tij, rritja e sivjetshme e pagave dhe pensioneve në një kohë krize për botën, vjen edhe si pasojë e shkurtimeve të herëpashershme operative që ka kryer qeveria që ai drejton. “Ne kemi bërë të mundur që të shkurtojmë me rreth 30 për qind shpenzimet operative të administratës dhe këto para t’i kthejmë në rroga dhe pensione për qytetarët shqiptarë. Pra nga kolltukë, që e dini vetë ju si përdoreshin, në para në dorë për 820 mijë qytetarë shqiptarë”, kujtoi Kryeministri. Por kreu i qeverisë theksoi gjithashtu se kontribut të jashtëzakonshëm në rritjen kundër trendit të rritjes së pagave dhe pensioneve kanë pasur edhe elementët e ekonomisë shqiptare. Sipas Berishës, Shqipëria ka një rritje eksportesh të paprecedentë në historinë e saj, duke bërë që eksportimi i produkteve në Shqipëri të trefishohet. “Në pesë muajt e parë të këtij viti janë eksportuar mallra ‘Made in Albania’, prodhim direkt shqiptar, 30 miliardë lekë. Pra, pothuajse tri herë më shumë. Dhe nga këto, 7 miliardë lekë janë energji, kështu që rritja i bie të jetë së paku, po të heqim dhe 1 miliard të 2009-s, 140 për qind”, sqaroi Kryeministri. Po kështu, Berisha theksoi se pozitive është edhe fakti se në vend janë rritur edhe depozitat bankare. “Depozitat janë rritur me 14 për qind. Kjo është dëshmia më e sigurt dhe më e rëndësishme e shëndetit të sistemit bankar shqiptar”, theksoi ai. Një element tjetër me rëndësi të veçantë për Berishën për sa i përket mundësimit të kësaj rritjeje ishte edhe rritja e numrit të bizneseve të reja. “Këto pesë muaj, regjistrimi i bizneseve të reja është rritur me 28 për qind. Kjo është një nga rritjet më të mëdha që mund të jenë regjistruar ndonjëherë. Ndërsa çregjistrimi i bizneseve është 6.3 për qind më i ulët sesa 5-mujorin e vitit të kaluar”, shpjegoi ai. Kreu i qeverisë theksoi se deklaratat e opozitës për probleme në ekonominë shqiptare janë të pabaza.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›