Imami i Parisit e mbështet ndalimin e perçes
Një imam francez, i cili është aktiv në dialogun e myslimanëve me hebrenjtë, ka mbështetur ligjin për ndalimin e perçes, duke u shkëputur nga pjesa më e madhe e udhëheqësve të komunitetit mysliman në Francë, të cilët kanë apeluar te parlamentarët francezë që të mos votojnë për ligjin për ndalimin e perçes.
Hassen Chalghoumi, imam në një xhami në veri të Parisit, ku jeton një numër i madh i myslimanëve, theksoi se femrat, të cilat dëshirojnë të mbulojnë fytyrat e tyre, duhet të shkojnë në Arabinë Saudite apo shtetet tjera myslimane, ku perçja është traditë.
Asambleja Kombëtare e Francës pritet që së shpejti ta miratojë rezolutën, me të cilin do të dënohet perçja dhe do të bëjë përpjekje që gjatë muajve të ardhshëm ta miratojë ligjin, me të cilin perçja do të ndalohet në tërësi.
Presidenti i Francës, Nicolas Sarkozy, ka theksuar se perçja nuk është e mirëseardhur në Francë, vend ky në të cilin jetojnë mbi 5 milionë myslimanë.
“Po, jam për ndalimin e perçes, e cila nuk ka vend në Francë, një shtet në të cilin femrat votojnë që nga viti 1945”, theksoi Chalghoumi.
Chalghoumi, i cili është kërcënuar me vdekje, për shkak të promovimit të dialogut me hebrenjtë, theksoi se perçja nuk ka rrënjë në islam.
“Perçja është një burg për femrat, një mjet i dominimit gjinor dhe indoktrinim islamik”, theksoi Chalghoumi.