Shtohet numri i viktimave të dhunës në Nigeri

Vullnetarët kanë zbuluar kufoma të reja në shtetin e trazuar Plateau në Nigeri, duke e shtuar kështu numrin e viktimave të dhunës ndërfetare, me ushtrinë e Nigerisë e cila u urdhërua që të shtojë masat e sigurisë.
Me dhjetëra kufoma u zbuluan në rrugët, shtëpitë dhe burime të ujit në Kuru Karama, një fshat rreth 30 kilometra larg kryeqytetit të Plateaus, Josit, epiqendër e përleshjeve mes myslimanëve dhe të krishterëve, të cilat vazhduan për katër ditë me radhë.
“Deri me tani kemi zbuluar 62 kufoma, por edhe shumë kufoma tjera janë hedhur në bunarë dhe frikësohem se do të jemi të detyruar që të mbyllim bunarët me rërë, ngase shumë kufoma tashmë janë dekompozuar”, deklaroi udhëheqësi i ekipit të vullnetarëve, Ibrahim Tanimu.
Me mijëra ushtarë patrulluan sot në rrugët e Josit dhe rajonet përreth, duke ngritur postblloqe dhe duke kontrolluar automjetet.
Zëvendëspresidenti i Nigerisë, Goodluck Jonathan, u zotua se personat përgjegjës për dhunë do të vendosen para drejtësisë.
“Qeveria federative është e vendosur që të dënojë përgjegjësit për këto krime”, theksoi ai.
Jonathan urdhëroi ushtrinë që të kujdeset për situatën e sigurisë në rajonet e goditura, e gjithashtu edhe në rajonet fqinje, për shkak të brengës se edhe aty mund të ketë shpërthim të dhunës.
Qeveria nuk ka dhënë shifra zyrtare për numrin e viktimave të dhunës, e cila shpërtheu të dielën, por udhëheqësit religjioz dhe punëtorët mjekësorë kanë theksuar se deri të mërkurën kanë numëruar rreth 300 kufoma.