E Shtunë, 31 Tetor 2026

Imami në Afganistan: FA, ambasadorë të imazhit të vendit

Ndalesën e parë ministri Imami e bëri në Kabul, në Komandën Qendrore të ISAF-it, ku u prit në një takim të veçantë nga Komandanti i Përgjithshëm, Gjenerali Major Petreaus.

“Forca jonë e ka kryer me sukses me trimëri, me disiplinë, me përkushtim të madh një mision të rëndësishëm dhe të vështirë. Dua patjetër që të informoj publikun e gjerë që vlerësimi i komandave më të larta, duke nisur nga komandanti i stafit Gjeneral Petreaus dhe të gjithë me radhë, më kanë përgëzuar mua si anëtarë i qeverisë dhe si përfaqësues i Forcave tona të Armatosura, për punën e shkëlqyer që Forcat Speciale kanë bërë në Afganistan dhe me të vërtetë mund të mburremi dhe mund të themi që Forcat tona Speciale janë ambasadorë të rëndësishëm të imazhit të Shqipërisë, janë ambasadorë të rëndësishëm të mesazhit të paqes, që Shqipëria padyshim e mëton e lëshon, e rrezaton sot jo vetëm në rajon, por edhe në botë”, ka deklaruar Imami.

Pasi e njohu Gjeneral Petreaus me masat që po merren për përgatitjen e FASH për pjesëmarrje në ISAF, Ministri Imami në emër edhe të qeverisë shqiptare, i siguroi se për vitin 2011 do të ruhej kontributi aktual i Shqipërisë në këtë operacion  si edhe do të mundësohej angazhimi me një OMLT dhe POMLT për trajnimin e stërvitjen e ushtrisë e policisë afgane.

Ministri Imami shprehu gjithashtu falenderimet për SHBA dhe vendet aleate për ndihmën dhe mbështetjen e dhënë për kryerjen me sukses të detyrave nga ana e kontingjenteve shqiptare. Aktualisht forcat tona kryejnë operacione të përbashkëta në Kandahar, Herat, Kabul, Komandën Rajonale të Veriut, krah për krah me Kontingjentet e SHBA, Italisë, Gjermanisë, Turqisë e Hungarisë. /Start/

                                                                                             2011-01-18 15:30
  [ 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›