E Shtunë, 31 Tetor 2026

Imami në Shkup, prezanton dy projekte për vendet e A5-s

 Diskutimet e këtij takimi u përqendruan tek sfidat dhe perspektivat e integrimit euro-atlantik të rajonit, si dhe sfidat që vijnë për shkak të krizës ekonomike globale. Ministri Imami, theksoi se integrimi euro-atlantik i rajonit është jashtëzakonisht i rëndësishëm për garantimin e paqes së qëndrueshme dhe zhvillimit ekonomik dhe demokratik të vendeve të rajonit.

Në vijim të fjalës së tij, ministri shqiptar është shprehur se një element shumë i rëndësishëm për të garantuar këtë është bashkëpunimi rajonal me të gjitha dimensionet e tij. Në këtë kontekst, Imami përshëndeti ministrin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), i cili merr pjesë për herë të parë në takimet e A5, si rezultat i marrëveshjes së arritur ndërmjet dy vendeve, Kosovë-Serbi, për përfaqësimin rajonal të Kosovës.

 Gjatë diskutimeve që u zhvilluan në këtë takim, kreu i mbrojtjes shqiptare, propozoi dy projekte për të konkretizuar bashkëpunimin rajonal: së pari, përqasjen rajonale ballkanike për mbrojtjen ajrore dhe së dyti, për një bashkëpunim më konkret për mbrojtjen bregdetare ndërmjet vendeve që ndajnë të njëjtën vijë detare. Ai theksoi se, veçanërisht për projektin e dytë, Shqipëria po rrit kapacitetet e saj për mbrojtjen bregdetare, ku përmendi edhe ndërtimin dhe prodhimin e katër anijeve patrulluese. 

“Dua të theksoj rëndësinë jetike që ka adresimi i çështjes së emergjencave civile për vendet e rajonit tonë. Për këtë i kam dërguar një letër edhe kolegut tim të Bosnje-Hercegovinës, për ta bërë këtë çështje pjesë të agjendës së punimeve të ministerialit të ardhshëm të A5-ës, i cili do të mbahet në Bosnje-Hercegovinë. Në këtë letër kam propozuar krijimin e një njësie speciale të përbërë nga ekspertë planifikues, e cila të këtë për detyrë hartimin e planeve për emergjencat civile dhe pastaj, hap pas hapi, të kapaciteteve të specializuara për çdo vend”, ka theksuar ai. /Start/

                                                                                             2012-03-29 15:34
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›