E Shtunë, 31 Tetor 2026

Imami prezanton konceptin e ri strategjik pas anëtarësimit në NATO

05/03/2010 Ministri i Mbrojtjes raporton në komisionin parlamentar të Sigurisë

Një ndër pikat është dhe çlirimi nga municionet e tepërta

Ndryshimet e brendshme që pritet të ndodhin në strukturën e NATO-s, kërkojnë nga Shqipëria dhe përgatitjen e strategjisë si vend me të drejta të plota i Aleancës. Për këtë qëllim, ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, ka prezantuar dje para komisionit të Sigurisë strategjinë e Forcave të Armatosura Shqiptare. Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, theksoi në fjalën e tij se koncepti i ri i NATO-s lidhet me ndryshimin e mjedisit strategjik në botë. Ai vlerësoi se vendi ynë duhet t’u përgjigjet koncepteve të reja dhe në hartimin e tyre duhet të marrin pjesë edhe institucionet shqiptare. Në Samitin e fundit të Aleancës, në Strasburg-Kehl në prill të vitit 2009, Këshilli i Atlantikut të Veriut vendosi që në 2010-ën të hartojë konceptin e ri strategjik të NATO-s, nisur nga fakti që mjedisi i sigurisë sot ka ndryshuar dhe nuk është më ai i vitit 1999, kur është miratuar koncepti me të cilin punon aktualisht Aleanca. Për hartimin e konceptit të ri strategjik të NATO-s, i cili pritet të miratohet në Lisbonë në fund të këtij viti, Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës, Anders Fog Rasmusen, ka ngritur një grup ekspertësh, i cili kryesohet nga ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Madeleine Albright. Vetëm para pak ditësh, ministri i Mbrojtjes, Imami, priti në një takim Presidentin e Asamblesë Parlamentare të NATO-s, Sergio de Gregorio. Në këtë takim ministri u fokusua edhe tek shndërrimi i FA-së në forcë tërësisht profesioniste, në zvogëlimin e saj dhe në rritjen e efeciencës. Deri në vjeshtën e vitit 2010, FA-ja do të jetë tërësisht profesioniste, ka theksuar ai. Gjithashtu, në fjalën e tij, ministri Imami i kushtoi vëmendje të veçantë modernizimit të FA-së, me infrastrukturë, mjete dhe pajisje moderne, ndër të cilat u theksua blerja e helikopterëve dhe programi për blerjen e autoblindave. “Programi kryesor është çlirimi i FA-së nga municionet e tepërta dhe në këtë drejtim ka ecuri pozitive dhe pritet që në fund të vitit 2013 ky proces të përfundojë. Ministri tha se po hartohet një plan veprimi i plotë edhe për identifikimin, përzgjedhjen dhe heqjen e të gjitha materialeve dhe pronave të tepërta të FA-së, në mënyrë që kjo të mos jetë pengesë për zhvillimin e FA-së”, tha Imami në këtë takim

Marrëdhëniet ndërkombëtare

Në raportimin që Imami i bëri delegacionit të NATO-s u shpreh se Shqipëria është e rrethuar nga vende fqinje, me të cilat ka marrëdhënie shumë të mira politike. Ai veçoi si problematike vetëm zhvillimet në veri të Kosovës, të cilat janë burim instabiliteti dhe problemet e qenësishme në Bosnjë-Hercegovinës. Ministri u shpreh edhe për qëndrimin e Shqipërisë ndaj Afganistanit, duke potencuar idenë se qasja është militare dhe civile. Në këtë kuadër, ai shtoi se Shqipëria, përpos angazhimit ushtarak në Afganistan, është angazhuar të japë kontribute civile, si në ndërtimin e shkollave, ofrimin e bursave për studentët afganë dhe në dërgimin e një ekipi mjekësor.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›