E Shtunë, 31 Tetor 2026

Imami takim me sekretarin Gates në Uashington

Gjatë takimit është diskutuar për një sërë çështjesh që lidhen me angazhimin e Shqipërisë në Afganistan në kuadër të NATO-s, me zhvillimin dhe modernizimin e Forcave të Armatosura, demilitarizimin dhe asgjesimin e municioneve dhe shumë çështje të tjera. Sekretari Robert Gates ka falenderuar Ministrin Imami për prezencën e Shqipërisë në Afganistan dhe për kontributin që po jep vendi ynë atje dhe në shumë vende të tjera.

 “Shqipëria është e angazhuar në Afganistan duke iu përgjigjur thirrjes së SHBA-së dhe Aleancës. Ne jemi angazhuar përgjatë zgjedhjeve në Afganistan me një  kompani, e cila do të qëndrojë atje. Po dërgojmë një skuadër mjekësore. Do rritet numri edhe me disa oficerë, të ciltë do të shkojnë me mision në Afganistan. Ndërkohë, Ministri Imami është shprehur më tej se është biseduar me Sekretarin Gates edhe për rritjen e kapaciteteve operacionale të Forcave tona”, u shpreh Imami pas takimit.

Ai tha më tej se do të rritet kapaciteti operacional i Forcave tona të Armatosura në Afganistan, duke përmendur këtu dy programe të rëndësishme, njëri prej të cilëve me Gardën Kombëtare të Nju Xhersit, për të krijuar një grup trajnimi, i cili do të rrisë ndërveprueshmërinë e Forcave tona të Armatosura. “Gjithashtu po punojmë për një program  tjetër shumë të rëndësishëm. Një skuadër speciale e Forcave tona të Armatosura do të jetë e gatshme të dalë në terren së bashku me Forcat e Armatosura të SHBA-ve,” tha ministri i Mbrojtjes.

Në përgjigje të pyetjeve të gazetarëve, Ministri Imami u shpreh edhe për diskutimet që ai ka pasur gjatë kësaj vizite në SHBA për situatën e brendshme politike në vend.

“Për këtë çështje fola dje në Departamentin e Shtetit, ku mu bë e qartë se askush nuk ka simpati për bojkotin, askush nuk e mbështet bojkotin. Pikërisht tani, kur Shqipëria është në pritje të liberalizimit të vizave dhe marrjes së statutit kandidat për Bashkimin Europian, bojkoti është një praktikë e vjetër dhe jashtë  kohe. Nuk shoh asnjë mënyrë tjetër, përpos marrjes pjesë në rrugë institucionale për të kontribuar në procesin integrues të vendit,” - përfundoi Imami.

                                                                                             

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›