E Diel, 1 Nëntor 2026

Kreditë e ish-bankave shtetërore, si do të administrohet borxhi nga agjencia shtetërore

Qeveria parashikon faljen e gjobave dhe kamatëvonesave për debitorët. ATK-ja ka të drejtën edhe të sekuestrimit të pronave të lëna si garanci

Ervin KOÇI

Qeveria ka vendosur që të lehtësojë të gjithë kredimarrësit e para vitit 1997, të cilët janë debitorë ndaj bankave me kapitale shtetërore dhe që aktualisht kërkojnë të shlyejnë kreditë. Për të gjithë këta borxhlinj, qeveria në ndryshimin që ka bërë në ligjin “Për Agjencinë e Trajtimit të Kredive”, me propozimin e ministrit të Financave, ka vendosur fal;jen e gjobave, kamat-vonesave dhe interesave me kusht kthimin e principalit të kredisë. Agjencia e Trajtimit të Kredive me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, nëpërmjet ndryshimit të marrëveshjes së kredisë me debitorin, ka të drejtë të ristrukturojë njërën prej kushteve të mëposhtme, të parashikuara në këtë marrëveshje kredie. Për debitorët, të cilët, në datën e transferimit të kredisë nga bankat, e kanë pasur shumën e principalit, deri në 3.000.000 (tre milionë) lekë: a) faljen, në masën 95 për qind, të interesave, të kamatëvonesave dhe gjobave, në rast se paraqiten për të shlyer detyrimin në periudhën maj-shtator 2009; b) faljen, në masën 90 për qind, të interesave, të kamatëvonesave dhe gjobave, në rast se paraqiten për të shlyer detyrimin në periudhën shtator-dhjetor 2009.
c) faljen, në masën 80%, të interesave, të kamatëvonesave dhe gjobave, në rast se paraqiten për të shlyer detyrimin në periudhën janar-qershor 2010. ç) faljen, në masën 60 për qind, të interesave, të kamatëvonesave dhe gjobave, në rast se paraqiten për të shlyer detyrimin pas muajit qershor 2010. d) konvertimin, sipas kursit fiks të Bankës së Shqipërisë në çastin e transferimit, për kreditë e transferuara në valutë. dh) periudha e likuidimit me këste nuk mund të jetë më shumë se 1 vit, nga data e lidhjes së kontratës së re.

Kreditë për makineri

Për të gjithë debitorët, që kanë marrë kredi për mekanikë bujqësore kushtet dhe afatet e përcaktuara të këtij vendimi, janë të vlefshme edhe për faljen e interesave, të kamatëvonesave dhe gjobave. Me principal të transferuar mbi 3 milionë lekë, periudha e likuidimit me këste nuk mund të jetë më shumë se dy vjet nga data e lidhjes së kontratës së re. Për debitorët që, në datën e transferimit të kredisë nga bankat, e kanë pasur shumën e principalit mbi 3 milionë lekë: a) faljen, në masën 85 për qind, të interesave, të kamatëvonesave, dhe gjobave, nëse paraqiten për të shlyer detyrimin në periudhën maj- shtator 2009. b) faljen, në masën 80 për qind, të interesave, të kamatëvonesave dhe gjobave, nëse paraqiten për të shlyer detyrimin në periudhën shtator-dhjetor 2009. c) faljen, në masën 75 për qind, të interesave, të kamatëvonesave dhe gjobave, nëse paraqiten për të shlyer detyrimin në periudhën janar-qershor 2010. ç) faljen, në masën 65 për qind, të interesave, të kamatëvonesave dhe gjobave, nëse paraqiten për të shlyer detyrimin pas muajit qershor të vitit 2010. d) konvertimin, sipas kursit fiks të Bankës së Shqipërisë në çastin e transferimit, për kreditë e dhëna në valutë. dh) periudha e pagesës së shumës së mbetur të kredisë nuk mund të jetë më e gjatë se 2 (dy) vjet nga data e lidhjes së kontratës së re.

Kreditë për banesa

Individët që kanë marrë kredi për banesa dhe që duan ta shlyejnë atë ligji vendos faljen, në masën 80 për qind, të interesave, të kamatëvonesave dhe gjobave, për debitorët me vendndodhje në bashkitë: e Tiranës, të Durrësit, të Sarandës, të Fierit dhe të Vlorës. Faljen, në masën 100 për qind, të interesave, të kamatëvonesave dhe gjobave, për debitorët me vendndodhje në të gjitha bashkitë e tjera. Periudha e pagesës së shumës së mbetur të kredisë nuk mund të zgjatet më shumë se 3 vjet nga data e lidhjes së kontratës së re. Llogaritja e detyrimit të ri të bëhet duke zbatuar normën e interesit 10 për qind në vit, me përjashtim të kredive, që në marrëveshjen ekzistuese të huasë, e kanë normën e interesit më të ulët. Detyrimet e transferuara nga bankat, për shpenzime gjyqësore dhe përmbarimore, nuk falen.

Debitorët që kanë vdekur

Të gjithë debitorët e këtyre kredive që nuk jetojnë më, ligji u kërkon trashëgimtarëve të tyre të likuidojnë vetëm shumën e principalit të mbetur. Periudha e pagesës së shumës së mbetur të kredisë nuk mund të zgjatet më shumë se 3 vjet, në varësi të llojit të kredisë.

12 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›