E Diel, 1 Nëntor 2026

Varfëria, Ministria e Punës: 40 mijë fëmijë në vend janë bërë skllevër të punës

Sot, Dita Ndërkombëtare Kundër Punës së Fëmijëve, shifra zyrtare të frikshme. Zëvendësministrja Zaçe premton rikthimin e 350 fëmijëve në shkolla

Jonida Tashi

Rreth 40 mijë fëmijë shqiptarë kanë lënë mënjanë shkollën për t’u bërë skllevër të punës. Të dhënat zyrtare, të mbledhura nga ky fenomen, dëshmojnë se këta të mitur vendosin të mos frekuentojë rregullisht arsimin e detyruar, pasi zgjedhin të punojnë dhe të kontribuojnë në ekonominë e familjes. Akoma dhe më shqetësues është fakti se 6-7 mijë fëmijë të tjerë braktisin çdo vit shkollën në vend. Tirana, Elbasani, Korça, Shkodra shënojnë shifrat më të larta të fëmijëve që punojnë dhe të atyre që kanë braktisur shkollën.
Situata
Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare Kundër Punës së Fëmijëve institucionet përgjegjëse në vend janë kujtuar se duhet të mblidhen për të analizuar gjendjen në të cilën ndodhen aktualisht fëmijët në vend. Ministria e Punës, së bashku me sindikalistët, kanë zhvilluar dje një tryezë rreth këtyre fenomeneve shqetësuese për shoqërinë shqiptare. Sindikalistët shprehen se rreth 1600 arsimtarë po punojnë në projektet pilote për të luftuar këto fenomene. “Në qoftë se flasim për Fierin, Elbasanin dhe Korçën, janë kryesisht zonat, të dyja grupet, dhe ata që janë në rrezik për ta braktisur dhe braktisjet te komuniteti rom kryesisht, po dhe të tjerë për shkaqe ekonomike. Shkodra natyrisht ka specifik, veçanërisht fenomenin e gjakmarrjes, ndërsa zona e Bathores në Tiranë ka specifik problemin e vajzave. Braktisin kryesisht vajzat nga klasa e gjashtë”, - bën të ditur Xhafer Dobrusha, kryetar i Sindikatës së Arsimit.
Studimi
Braktisja e shkollës për shkak të punës që kryejnë fëmijët është më e hasur në komunitetin rom dhe egjiptian, rezulton nga një studim i kryer nga Ministria e Arsimit për shkaqet që favorizojnë analfabetizmin në vendin tonë, në bashkëpunim me UNICEF-in dhe shoqatën “Save the Children”. Nga studimi rezulton se fëmijët romë që punojnë i përkasin moshës 3-16 vjeç dhe përbëjnë rreth 4654 fëmijë. Përmes rekomandimeve të këtij studimi MASH-i ka përcaktuar zonat më të ndjeshme se ku duhet ndërhyrë dhe tashmë po zbatohet një plan veprimi konkret. Masat për parandalimin e këtij fenomeni harmonizohen në zhvillimin e kurseve, mësimin e gjuhës shqipe për fëmijët romë 3-5 vjeç, krijimin e klasave të integruara për eliminimin e braktisjes së shkollës nga romët etj. Sipas MASH-it, masat për mosbraktisjen e shkollës nga fëmijët kanë nisur me projektin “Cilësi dhe Barazi në Arsim”, i mbështetur nga Banka Botërore dhe donatorë të tjerë. Ky projekt përbën një nga prioritetet strategjike të MASH-it gjatë viteve 2007-2010, pasi harmonizon objektivat e qeverisë për një arsim cilësor dhe me akses për të gjithë nxënësit bazuar në objektivat e Strategjisë Kombëtare të Arsimit.
Premtimi
Së shpejti edhe rreth 350 fëmijë të tjerë do t’u kthehen bankave të shkollës. Ky është premtimi i bërë dje nga numri dy i Ministrisë së Punës, Marjeta Zaçe. Pas rikthimit në shkollë të 300 fëmijëve në rrethet Tiranë, Korçë e Berat, të cilët punonin në rrugë, të trafikuar, apo në risk trafikimi, do të nisë faza e dytë e projektit “Sistemi i monitorimit të punës së fëmijëve në Shqipëri”, mbështetur nga programi “IPEC” (ILO). “Përmes fazës së dytë të këtij projekti do të përfitojnë shumë shpejt edhe rreth 350 fëmijë të tjerë, që punojnë në Tiranë, Korçë, Shkodër, Elbasan dhe Berat”, - deklaroi zëvendësministrja e Punës, në takimin me rastin e Ditës Botërore të Luftës Kundër Punës së Fëmijëve, të organizuar me bashkëpunimin e Federatës së Sindikatave të Arsimit dhe Shkencës dhe Sindikatës së Pavarur të Arsimit Shqiptar. Në këtë takim, ku edhe Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO) promovoi Ditën Botërore të Luftës Kundër Punës së Fëmijëve, u vlerësua se faza e parë e projektit për kthimin e fëmijëve që punojnë në shkolla ka rezultuar e suksesshme. “Edhe në fazën e dytë të tij në fokus për fëmijët do të jetë krijimi i mëtejshëm i alternativave si arsimimi, formimi profesional, punësimi i ligjshëm dhe ndihma për familjet e tyre, me synim integrimin e fëmijëve në jetën sociale”,- u shpreh Zaçe.
Në kuadër të këtij projekti Zaçe tha se 265 fëmijë do të asistohen për t’iu rikthyer shkollës, ndërsa për 50 fëmijë të tjerë do të sigurohet formimi profesional dhe për 15 prej tyre do të sigurohen mjetet për krijimin e një biznesi familjar.

Punësimi i fëmijëve në shifra

40 mijë fëmijë rezultojnë të punësuar në vend
8.2 për qind e tyre punojnë në bare apo restorante
36 mijë fëmijë punojnë në punë të zezë
44 mijë fëmijë janë punësuar pa ekzaminimet shëndetësore
7 mijë fëmijë braktisin çdo vit shkollën
1600 arsimtarë po punojnë për të luftuar këtë fenomen
350 fëmijë të tjerë do t’i kthehen bankave të shkollës

Avokati i Popullit: “Shteti të ketë më shumë vëmendje për fëmijët jetimë në Shkodër”
Avokati i Popullit, Ermir Dobjani, pas një inspektimi në Shtëpinë e Fëmijës në Shkodër i kërkon në rrugë zyrtare ministrit të Punës të ndërmarrë masa konkrete për t’iu ardhur në ndihmë këtyre fëmijëve. Dobjani ka konstatuar se shteti këta fëmijë i ka lënë në mëshirë të fatit. “Problem shqetësues mbetej lagështira nëpër mure, në korridore, dhoma dhe në mensë. Kjo, sipas drejtuesit, vinte si rezultat i mungesës së hidroizolimit të tarracës”, - thuhet në raportin e Avokatit të Popullit. Sipas këtij të fundit problem tjetër ishte edhe furnizimi me artikujt e veshmbathjes se tyre. Fondi i vënë në dispozicion nuk mjaftonte duke pasur parasysh se në këtë moshë është edhe kulmi i zhvillimit të tyre fizik. Po kështu edhe furnizimi me ujë mbetej problem por që shume shpejt është premtuar se do të fillonte një investim i donatoreve dhe konkretisht kompanisë “Vodafone”, e cila do realizonte zgjidhjen e këtij problemi.

12 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›