E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vendoset afati për titujt e rinj për lexim jashtë klase



Titujt e rinj të librave për lexim jashtë klase do të pranohen deri më 20 shkurt. Ky është afati i vendosur nga Bordi i Rekomandimit të Literaturës së Mendimit Historik, Filozofik, Sociologjik dhe Psikologjik (BORELHIS) pranë MASH-it, i cili ka bërë të ditur se do të pranojë propozime për tituj të rinj deri më 20 shkurt. BORELHIS do të marrë në shqyrtim kërkesat e botuesve, të cilët ofrojnë literaturë në fushën e mendimit historik, filozofik, psikologjisë, sociologjisë dhe do të miratojë ato të cilat plotësojnë kriteret dhe pikësynimet e shkollës shqiptare për vlerat njohëse dhe edukative, në ndihmë të procesit mësimor dhe veprimtarive ekstrakurrikulare brenda dhe jashtë shkollës. Përzgjedhja përfundimtare e librave sipas titujve të listës së BORELHIS do të bëhet në çdo shkollë nga komisioni lëndor, në përbërje të të cilit janë të gjithë mësuesit e historisë për shkollat 9-vjeçare dhe mësuesit e historisë, sociologjisë, psikologjisë dhe të filozofisë për shkollat e mesme. BORELHIS ka për qëllim të këshillojë nxënësit e mësuesit e arsimit parauniversitar çfarë të lexojnë në orët e lira, por edhe si literaturë shtesë në ndihmë të temave të programit zyrtar. Bordet pranojnë për shqyrtim botime të ofruara vetëm nga shtëpi dhe ente botuese. Çdo botim që do të paraqitet në Borde duhet të jetë në 3 (tri) kopje dhe të shoqërohet me shkresën përcjellëse, ku të jepen kriteret, në bazë të të cilave shtëpitë dhe entet botuese kanë bërë përzgjedhjen, si dhe certifikatën e të drejtës së autorit nga zyra përkatëse. Bordi nuk merr në shqyrtim botimet që nuk respektojnë të drejtën e autorit dhe që rezultojnë me probleme redaktoriale apo drejtshkrimore. MASH-i ka ngritur Bordin e Rekomandimit të Literaturës së Mendimit Historik, Filozofik, Sociologjik dhe Psikologjik (BORELHIS) me anëtarë: Ferit Duka, studiues i historisë, Instituti i Historisë; Adem Tamo, pedagog i Psikologjisë, UT; Gjergj Sinani, pedagog i Filozofisë, UT; Liman Varoshi, pedagog i Historisë, Universiteti i Elbasanit; Ndriçim Mehmeti, përgjegjës i Sektorit të Arsimit të Mesëm; Luan Malltezi, studiues, Qendra e Studimeve Albanologjike.

Riformatohet Agjencia e Akreditimit të universiteteve

Riformatohet Agjencia Publike e Akreditimit të Arsimit të Lartë (APAAL). Me urdhër të ministrit të Arsimit, Fatos Beja, janë emëruar tashmë anëtarët e rinj të tij të kësaj agjencie, në përbërje të cilës për herë të parë do të marrë pjesë edhe një përfaqësues i qeverisë studentore. Anëtarët e këshillit të akreditimit janë mbledhur ditën e djeshme për të zgjedhur kreun e ri të Agjencisë së Akreditimit. Ministri i Arsimit ka emëruar anëtarët e rinj të Këshillit të Akreditimit: Emil Lamani, Ilir Bozgo, Bardhyl Musai, Shyqyri Llaci, Vladimir Nika, Gëzim Hadaj, Anila Hado si dhe përfaqësuesi i qeverisë studentore, Qamil Dika. Agjencia Publike e Akreditimit të Arsimit të Lartë, mat cilësinë e universiteteve private në vend dhe jep vendimin edhe për hapjen e programeve të reja “Master” dhe “Doktoraturë”. Gjithashtu kjo agjenci është përgjegjëse për vlerësimin e programeve dhe institucioneve publike dhe private të arsimit të lartë, si përpara licencimit të tyre, ashtu dhe atyre ekzistuese apo në proces. Ajo kryen gjithashtu edhe analiza dhe vlerësime sistematike dhe krahasuese institucionale dhe/ose programeve në AL.

Rama takon një nga familjet në nevojë në komunën e Paskuqanit

Kryetari i Bashkisë, Edi Rama, vizitoi familjen e Osman dhe Bahrije Dalipit, banues në Babrru të Tiranës, komuna e Paskuqanit. Familja Osmani ka ardhur në vitin 1993 nga Klosi i Matit dhe e ka ndërtuar jetën e saj modeste mes një papunësie e vështirësish të mëdha ekonomike që ofron jeta e përditshme në zonat informale të kryeqytetit. Kryebashkiaku Rama ka kaluar disa orë me pjesëtarët e kësaj familjeve, e cila është e përbërë nga 7 anëtarë, nga të cilët i vetmi që siguron të ardhurat për mbijetesë është kryefamiljari Osman Dalipi. Rama drekoi e njëkohësisht u njoh nga afër me gjendjen dhe pamundësitë ekonomike sociale, që kjo familje e qindra të tjera të ardhura nga zona të ndryshme të Shqipërisë përballen çdo ditë të jetës së tyre të vështirë. Kryebashkiaku është ndalur në problemin e integrimit të këtyre zonave informale, duke u njohur me vështirësitë dhe sakrificat e bashkëjetesës në këto lagje, problemin e papunësisë, mungesën e arsimit, mungesën e dritave, ujit.

17 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›