E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ina Rama pranon dorëheqjen e Shtyllës, në krye të “Gërdecit” Sokol Stojani



Tiranë - Zamir Shtylla zyrtarisht nuk është më kryehetuesi i dosjes “Gërdeci” dhe drejtori i Drejtorisë Kundër Krimit të Organizuar. Ai është zëvendësuar dje nga Sokol Stojani, një tjetër prokuror i dosjes “Gërdeci”, me një bilanc shumë të suksesshëm në karrierën e tij si prokuror. Stojani njihet si një ndër prokurorët që ka drejtuar disa dosje “të vështira” edhe në të kaluarën, ndërsa në rastin e dosjes “Gërdeci” ai mbulonte pistën e trafikimit të armëve, e cila ka qenë dhe pika më delikate e gjithë procesit hetimor. Së fundi Stojani drejtoi dhe hetimin e vdekjes së dëshmitarit kryesor të skandalit të fishekëve të Rinasit, Kosta Trebickës. Në këtë mënyrë Zamir Shtylla ka kaluar “prokuror i thjeshtë” dhe është në pritje të verdiktit të Gjykatës Kushtetuese mbi ligjin për pastërtinë e figurës, i cili në rast se lihet në fuqi, mund ta pengojë Shtyllën të ushtrojë dhe funksionin si prokuror i thjeshtë.
Zamir Shtylla dha dorëheqjen katër ditë më parë, ndërsa dy muajt e fundit emri i tij u lakua nga vetë kryeministri dhe nga disa deputetë të maxhorancës në Kuvend, duke e konsideroi Shtyllën si një prokuror të regjimit totalitar komunist. Maxhoranca dy muaj më parë çoi për shqyrtim dhe më pas për votim në Parlament ligjin mbi pastërtinë e figurës, i cili pengon çdo zyrtar, hetues, gjykatës apo ish-bashkëpunëtor të Sigurimit të ushtrojë funksione publike. Ky ligj është tashmë i miratuar dhe i kundërshtuar si nga komuniteti ndërkombëtar, ashtu dhe nga faktorët e opozitës. Sipas këtij ligji, cilido prokuror apo gjykatës përjashtohet automatikisht nga ky funksion, mjaft që të ketë punuar në të njëjtin pozicion para vitit 1990. Ky ligj ka hyrë në fuqi dhe pritet të ankimohet në Gjykatën Kushtetuese, ndërsa është i paprecedent nëse krahasohet me praktikat e zbatuara në të gjitha vendet ish-komuniste, të cilat e kanë kryer këtë proces një dekadë më parë. “Anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe gjyqtarët e prokurorët e të gjitha niveleve të gjykatave dhe prokurorive, funksionarë të lartë të Presidencës, administratës së Kuvendit, të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, të Gjykatës së Lartë, të Gjykatës Kushtetuese, të Prokurorisë së Përgjithshme”, - shkruhet ndër të tjera në këtë draft, i cili detajon të gjitha kategoritë e funksionarëve publikë që do t’i nënshtrohen kontrollit.

17 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›