Imeraj: Nuk ka qeverisje pa dorëzuar mandatin e 9 në Fier
Partia Socialiste po e ripërsërit çdo ditë qëndrimin e saj në lidhje me procesin zgjedhor, duke deklaruar se do të bëjë një kërkesë ankimore në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për numërimin e 9 kutive të qarkut të Fierit. Këto 9 kuti dhe mandatin e 9 në këtë qark PS i ka vendosur si kusht për njohjen e zgjedhjeve të 28 qershorit. Kështu, edhe gjatë ditës së djeshme, Zëdhënësja e Partisë Socialiste, Armela Imeraj, ka deklaruar edhe një herë se grabitja e mandatit të nëntë në qarkun e Fier është i barabartë me mosnjohjen e zgjedhjeve nga PS.
Në emër të Partisë Socialiste, ajo lëshoi akuza të rënda në drejtim te Kryeministrit Berisha, duke e bërë atë përgjegjës për deformimin e votës së shqiptarëve. Partia Socialiste e Shqipërisë po e ndjek minute pas minute maskaradën që po luhet në KQZ me votat e shqiptarëve dhe posaçërisht me votat e popullit të Fierit. Duke e konsideruar vijim në rrugën e krimit elektoral të Sali Berishës vendimin e djeshëm të KQZ dhe paraqitur menjëherë ankimimin e këtij vendimi për të siguruar numërimin e të gjitha atyre votave që Sali Berisha po orvatet t'i fshijë për të grabitur mandatin e nëntë të Partisë Socialiste, ne rinënvizojmë me forcë se kjo grabitje është baras me mosnjohjen e zgjedhjeve nga ana jonë, tha Imeraj. Sipas pas saj, Partia Socialiste nuk do ta amnistojë krimin elektoral të 28 qershorit dhe do t'i shkojë deri në fund hetimit të tij, pavarësisht koalicionit të së keqes që politika e vjetër ka krijuar për t'i vënë kapak këtij krimi dhe frenuar ndryshimin që populli kërkon duke e përcaktuar Partinë Socialiste forcën e parë në vend. Imeraj gjithashtu akuzoi liderin e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, si bashkëpunëtorë me Berishën për heqjen e mandatit të 9 në Fier. Meta u bashkua me Sali Berishën për të grabitur mandatin e nëntë të Partisë Socialiste dhe për t'i dhënë jetë një qeverie që si asnjëherë në këto 18 vjet është mishërimi i aleancës së interesave ekonomike të familjeve e të oborreve të dy zotërinjve që për t'i shpëtuar falimentimit reciprok politik e kthyen qeverinë e vendit në një ndërmarrje të përbashkët me qëllim fitimi. Por qoftë njeri qoftë tjetri duhet ta harrojnë se mund të qeverisin pa dorëzuar mandatin e nëntë të Fierit, pa lejuar rinumërimet që kemi kërkuar në disa zona dhe pa i hapur rrugë hetimit të imët të të gjithë krimit elektoral të 28 qershorit, tha ajo. Së fundi Imeraj u shpreh se Partia Socialiste nuk ka fituar të drejtën për të qeverisur vendin, por ka marrë detyrën për të mos lejuar që vendi të qeveriset padrejtësisht.