Ukraina pritet të zgjedhë President njeriun e Moskës
Vota
Viktor Janukoviç, i rrëzuar pesë vjet më parë, rivjen në pushtet
Sot, në Ukrainë, zhvillohen zgjedhjet presidenciale, që pritet të sjellin në krye të shtetit personin e mbështetur nga Kremlini, ndërkohë që vendi pritet të ndërpresë flirtin me Perëndimin dhe të rikthehet nën sferën e influencës së Rusisë. Viktor Janukoviç, kandidati që Kryeministri aktual rus priste që të bëhej president pesë vjet më parë, pritet që të fitojë raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale. Rikthimi i tij nga një pozicion shumë i tërhequr gjatë këtyre viteve mendohet se do ta fusë sërish Ukrainën nën sferën e ndikimit rus, ndërkohë që ky vend është shumë i rëndësishëm edhe për transportin e gazit nga Rusia në Europë. Sipas analistëve, një rezultat i tillë do të “vriste” çdo shpresë të Ukrainës për t’u bërë pjesë e NATO-s dhe do të rriste shanset që Rusia të vazhdojë të mbajë flotën e saj detare në Krime. Sipas vëzhguesve, e ardhmja e Ukrainës, një vendi që ka përmasat e Francës e me një popullsi prej 47 milionë banorësh, është në pikëpyetje për sa i përket marrëdhënieve të saj me Perëndimin. Rusia kërkon që të përcaktojë sërish rajonin sipas rregullave të saj dhe rasti i Ukrainës mund të jetë një shembull edhe për fatin e shumë vendeve të tjera të vogla të rajonit, që dikur ishin nën varësinë sovjetike. Fitorja e pritshme e Janukoviçit do ta vendosë atë në pozicion kyç për sa i përket raundit të dytë të votimeve, që do të zhvillohet muajin e ardhshëm. Suksesi i tij do të jetë një rezultat i hidhur i mbështetësve të zjarrtë të Revolucionit të Portokallinjtë, të vitit 2004, i cili rrëzoi nga pushteti Janukoviçin dhe vendosi në krye të vendit Presidentin Jyshçenko, i njohur për qëndrimin properëndimor. Ndërkaq edhe kandidatja tjetër e zgjedhjeve, Kryeministrja aktuale, Timoshenko, është afruar shumë me rusët, ndërkohë që pesë vite më parë ajo ishte pro rrëzimit të Janukoviçit dhe properëndimore. Rikthimi i Janukoviçit është si një rikthim nga bota e të vdekurve. Në vitin 2005, gjykata vendosi që ai e kishte marrë me falsifikime Presidencën e vendit. Në atë periudhë, karriera e tij politike dukej se kishte marrë fund dhe ai një pensionist, por ish-mekaniku, i cili ka qenë për disa kohë edhe në burg kur ishte i ri, si për ironi të fatit e mori veten dhe këtë herë, pesë vite më pas, synon sërish Presidencën. Politika e tij flet vetë. Ai ka deklaruar se do të njohë dy republikat separatiste të Gjeorgjisë dhe do të nënshkruajë një marrëveshje ekonomike për rigjenerimin e lodhjeve ekonomike mes ish-republikave ruse. Ai ka bërë të ditur edhe se do të lejojë Rusinë që të përfshihet në menaxhimin e transitit të gazit ukrainas në Europë dhe ka krijuar lidhje të ngushta me Kishën Ortodokse ruse. Situata në Ukrainë është e dëshpëruar. Ukrainasit janë aq të pakënaqur me mefshtësinë e atyre që e mbështetën pesë vjet më parë, sa zgjedhin si alternativë Janukoviçin, njeriun kundër të cilit u ngritën në protesta në dimrin e vitit 2004.
#