Përparim në negociatat SHBA-Rusi
Negociatat mes Rusisë dhe SHBA-së për marrëveshjen e re për kontrollin e armatimit kanë qenë të vështira, por dy palët kanë arritur përparim të madh drejtë arritjes së marrëveshjes për reduktimin e arsenaleve të tyre bërthamore, ka deklaruar presidenti i Rusisë, Dimitri Medvedev.
Marrëveshja e re është paraparë të zëvendësojë Traktatin për Reduktimin e armëve strategjike (START), të nënshkruar në vitin 1991, traktat ky i cili ka skaduar më 5 dhjetor. Moska dhe Washingtoni kishin shpresuar se do të arrijnë marrëveshjen në fund të vitit të kaluar, por dy palët nuk qenë në gjendje që të eliminojnë disa probleme ekzistuese.
“Negociatat do të vazhdojnë. Ato nuk janë të lehta, por marrë në përgjithësi, ne kemi arritur marrëveshje me amerikanët për shumë pika”, tha Medvedev.
Rrethi i ri i negociatave është paraparë të zhvillohet më 25 janar në Gjenevë. Medvedev këtë deklaratë e bëri gjatë takimit me kryetarët e katër partive të përfaqësuara në parlamentin e Rusisë, i cili duhet të miratojë marrëveshjen e re për kontrollin e armatimit, para se ajo të hyjë në fuqi.
Me marrëveshjen START ishte paraparë që SHBA-ja dhe Rusia të reduktonin për një të katërtën arsenalet e tyre bërthamore dhe për të zbatuar procedurat për verifikim, për të konfirmuar se që të dy palët po i përmbahen marrëveshjes.