Importet, ja top artikujt

Blerja e 10 produkteve më të importuara i ka kushtuar vendit tonë rreth 1 miliardë dollarë. Gjeografia e blerjes së tyre
Importet vazhdojnë të zënë pjesën kryesore në tregtinë e vendit tonë me shtetet e tjera. Dhjetë produktet më të importuara në vend janë nafta, energjia elektrike, medikamentet, shufrat e hekurit, farat bujqësore, automjetet, gjedhët dhe kuajt, cigaret, naftë e cilësisë tjetër dhe hekur. Janë këto dhjetë produktet që vendi ynë importon më shumë të cilat bëhen publike nga ACIT (Qendra Shqiptare për Tregtinë Ndërkombëtare). Sipas ACIT dhjetë produktet më të importuara të vendit tonë zënë 24 për qind të totalit të gjithë produkteve të tjera që vijnë nga importi. Produktet të cilat kanë shënuar rritjen më të madhe në krahasim me vitin 2006 kanë qenë energjia, importi i të cilës ka shënuar rritje 6 herë më shumë. Kurse produktet e dyta janë medikamentet të cilat, importi i të cilave është rritur 2 herë më shumë se viti 2006. Po ashtu kërkesa e madhe për pajisje shtëpiake, naftë dhe energji kanë ndikuar që këto produkte të përfshihen në dy grupet e parë të produkteve më të importuara. Tre produktet e para më të importuara zë një vëllim të konsiderueshëm në strukturën e importeve. Sipas të dhënave të Qendrës për Tregtinë Ndërkombëtare naftë zë 6 për qind të gjithë totalit të importove të vendit tonë, energjia elektrike po ashtu dhe importi i saj zë 6 për qind të totalit, kurse medikamentet në strukturën e importeve zënë një vëllim prej 2 për qind. Përsa i përket vlerës monetare blerja e këtyre 10 produkteve më të importuara i ka kushtuar vendit tonë 1.026.579.000 dollarë. Përsa i përket mallrave bujqësore më të importuara tek ato vendin e parë e zë gruri. Përsa i përket origjinës së blerjes së 10 produkteve më të importuara, ACIT shpjegon se nafta importohet nga Greqia. Pra vendi ynë importon nga Greqia 176 milion dollarë naftë apo 49.5 për qind të gjithë karburantit që importohet në vend. Po ashtu nafta që vjen në vendim tonë importohet dhe nga Rusia dhe Gjeorgjia. Përsa i përket energjisë elektrike Zvicra mbetet partneri ynë kryesor, ku energjia e cila blihet në këtë shtet zë 64.9 për qind të të gjithë totalit të energjisë që është blerë në vend. Po ashtu një vend të rëndësishëm në strukturën kryesore të importeve zënë edhe shufrat e hekurit, ku sipas ACIT ato vijnë nga Turqia dhe Greqia. Po ashtu vëllimi në total I importeve për vitin e kaluar ka qenë në vlerën e 4.2 miliardë dollarëve. Vlera monetare e importeve vazhdon të jetë në shifra shumë herë më të larta se eksportet, çka tregon deficitin e lartë tregtar. Po ashtu parashikimet që janë bërë nga ekspertët e ACIT, tregojnë se thellim të mëtejshëm deficiti tregtar do të ketë edhe për vitin 2008. Sakaq në strukturën e importeve shqetësues mbetet fakti që nafta vazhdon të jetë prej vitesh një nga produktet e importuara. Banka e Shqipërisë në mjaft raporte të saj ka ngritur shqetësimin se importet e larta të karburanteve dhe energjisë elektrike rrisin presionet inflacioniste. Po ashtu përsa i përket karburanteve sasia e madhe e tij që importohet në vend ndikon në luhatjet e çmimit të shitjes me pakicë.
10 produktet më të importuara
Produktet Vlera (dollarë)
Nafta 251.499.000
Energjia elektrike 248.059.000
Medikamentet 85.231.000
Shufrat metalike 83.408.000
Farat bujqësore 73.837.000
Makinat 69.530.000
Gjedhët dhe kuajt 61.007.000
Cigaret 56.869.000
Lloj tjetër nafte 49.001.000
Hekur 48.047.000